Fyerjet për islamin, 15 të vrarë në Pakistan
Protestat kundër fyerjeve të bëra ndaj profetit Muhamed kanë përfunduar në dhunë të ashpër me rezultat 15 të vrarë në Pakistan. Reuters raportonte dje se në ditën e faljes së myslimanëve rezultati i protestave ishte i tmerrshëm, ndërkohë që në vende të tjera situata duket më paqësore. Në Francë, ku u bë edhe publikimi i karikaturave tallëse për Muhamedin, u bë paraprakisht e ditur se nuk do të lejohej asnjë formë proteste dhe se ato ishin të ndaluara kategorikisht. Edhe qeveria tuniziane ndaloi protestat kundër imazheve të publikuara nga satirikja javore franceze. Një javë më parë, katër persona u vranë, ndërkohë që 30 të tjerë u plagosën në Ambasadën Amerikane, ku plasën protestat pas transmetimit të një filmi. Transmetimi i këtij të fundit ka sjellë me vete edhe një sërë zhvillimesh të mëdha, ku producenti rezulton i zhdukur së bashku me familjen, kurse nga ana e aktorëve pretendohet se nuk janë njoftuar paraprakisht mbi atë çka do të luanin dhe se kanë marrë kërcënime. Rrjetit Youtube i është kërkuar që ta heqë këtë film, ndërkohë që vendimi pritet që të merret ditët në vijim.