Takimi i Këshillit evropian shihet me optimizëm nga analistët

Analistët dhe njohësit e proceseve integruese vlerësojnë se takimi i sotëm i Këshillit evropian do të sjellë vendime pozitive për Kosovën, në nisjen e negociatave të Stabilizim Asocimit.
Takimi i sotëm i Këshillit evropian shihet me optimizëm nga analistët dhe njohësit e proceseve integruese. Analisti politik Emrush Ujkani beson se Kosova do të marr një vendim pozitiv për hapjen e negociatave të Stabilizim Asocimit. Ai tha për Radio Kosovën se këtë e ka fuqizuar shumë ratifikimi i marrëveshjes dje në Kuvendin e Kosovës.
“Edhe po të mos ndodhte kjo, në fakt Kosova mendoj që i është dashur në një mënyrë t’i shpërblehet mundi për çdo përpjekje të veta për të gjithë konstruktivitetin e kësaj kohe, për arsye se procesi edhe aty ku ka mbetur peng, nuk ka mbet peng si shkak i delegacionit të Kosovës, por pala tjetër respektivisht Serbia ka qenë ajo që e ka kushtëzuar dialogun. Prandaj, ky konstruktivitet i treguar gjatë gjithë kësaj kohe, do të rezultojë pa kurrfarë dyshimi sot në marrjen e datës për marrëveshjen e MSA”, tha Ujkani.
Edhe analisti Avni Mazreku, thotë se Kosova do të përfitojë datën e negociatave për marrëveshjen e MSA, proces i cili sipas tij, mund të zgjasë deri në një vit e gjysmë.
“Këtu fillojnë negociatat për marrëveshje të MSA dhe negociatat për MSA janë të gjata, dhe në rastin e Kosovës, mendoj se do të jenë të gjata 1 vit deri në 1 vit e gjysmë. Këto negociata në fund duhet më prodhua në draft-tekst të asaj që quhet marrëveshje për Stabilizim Asociim dhe pasi të hartohet ky draft-tekst, atëherë nënshkruhet marrëveshja në mes të komisionarit për zgjerim që vjen nga BE dhe përfaqësuesit të lartë për politikë të përbashkët të jashtme të sigurisë”, tha Mazreku.
Ndryshe, Këshilli i Bashkimit Evropian pritet të marrë vendim nëse Serbisë do t’i jepet data për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE, pikërisht duke u bazuar në rezultatet e dialogut me palën kosovare, ndërkohë pritet të merret edhe vendimi nëse edhe Kosova do të shpërblehet me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit./Indeksonline/