E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Otrantos do të rrëfehet në skenë

Ajo çfarë ndodhi 15 vjet më parë do të rrëfehet në teatër. Një iniciativë kjo e Teatrit të Maçabeteatros dhe Thalasia, financuar nga Fondi Europian për Zhvillimin Rajonal

Pas kthimit të reliktit “Kater i Radës”në një simbol muzeal, një tjetër iniciativë kulturore ka në qendër të saj tragjedinë e 15 viteve të shkuara, që njihet si tragjedia e Otrantos. Historia e ndodhur 15 vjet më parë do të rrëfehet në teatër. Një iniciativë kjo e Teatrit të Maçabeteatros dhe Thalasia, të cilët do të tregojnë në mënyrën e tyre atë ngjarje. Për këtë është ngritur një laborator multidisiplinor rindërtimi dhe rrëfimi, udhëhequr nga Françesko Niçolini, Fabrizio Pugliese dhe Luigi D’Elia. Projekti financohet nga Fondi Europian i Zhvillimit Rajonal dhe i është besuar Krahinës së Pulias dhe Drejtorisë së Mesdheut, Kulturës dhe Turizmit në Teatrin Publik puljez. Laboratori është i hapur jo vetëm për shkrimtarë dhe aktorë, por edhe për gazetarë, autorë, muzikantë, artistë dhe skulptorë, videomaker, historianë të rinj, studiues, persona zemërgjerë që kanë dëshirë t’u hyjnë kërkimeve në ndjekje të gjeografisë dhe kohës së fakteve dhe të thurin me shkencë dhe vërtetësi një skenar kompleks, delikat dhe akoma plot kundërshti që nga aktet e gjykatës deri tek intervistat e dëshmitarëve; nga lëvizjet e lindura nga tragjedia deri tek artistët që kanë krijuar e vazhdojnë të krijojnë mbi këtë temë. “Projekti mendohet të përfundojë më 28 mars 2012, plot 15 vjet pas tragjedisë së ‘Katerit të Radës”, ku do të rrëfehet publikisht ajo që ndodhi në Otranto për t’i dhënë zë vuajtjes dhe tmerrit që përjetuan fatkeqët”,- shkruan “La gazzetta del Mezzogiorno”. Ky projekt është i ndarë në tri faza të ndryshme dhe ai u është besuar tre artistëve të ndryshëm. Faza e parë, ajo e kërkimit, rindërtimit dhe shkrimit të asaj që ndodhi 15 vjet më parë, i është besuar dramaturgut Françesko Niçolini. Vitin e shkuar Niçolini, i njohur për publikun e gjerë si autor i shumë monologëve të Marco Paolinit, shkroi një tregim veçanërisht emocionues të Brindizit të ditëve të para të marsit 1991. “Non abbiate paura - Grand Hotel Albania” titullohet pjesa e tij, e cila u botua gjerësisht në shtypin italian. “Grand Hotel Albania” është një tregim për qytetin dhe banorët e tij, që ata të mos harrojnë çfarë ndodhi. Por mbi të gjitha rrëfimi i dramaturgut është për atë takim të jashtëzakonshëm mes 90 mijë qytetarëve të Brindizit dhe mbi 20 mijë shqiptarëve. Faza e dytë është vënia në skenë dhe kjo i është besuar regjisorit dhe aktorit Fabrizio Pugliese, që është një ndër figurat më të spikatura të Teatrit të Pulias. Faza e ndërtimit të skenës ku do të shfaqet teatri është lënë në dorë të Lois D’Elia, një artist i cili është vazhdimisht në kërkim të ndërthurjes së artit pamor me teatrin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›