E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi i dy qeverive Itali-Shqipëri në Romë-Gjokutaj: Cikël i ri në zhvillimin ekonomik

Eksperti i çështjeve ekonomike Eduard Gjokutaj deklaroi se takimi i sotëm mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane që mbahet në Romë shënon një cikël të ri në zhvillimin ekonomik mes dy vendeve.

Duke folur në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri”, Gjokutaj theksoi se Shqipëria e ka Italinë partnerin ekonomik dhe strategjik më të rëndësishëm dhe takimi i sotëm sipas tij, sjell një përforcim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Shqipëria e ka Italinë partnerin strategjik dhe ekonomik më të rëndësishëm. Marrëdhëniet tregtare që ka me Italinë përfaqësojnë mbi 30 për qind të të gjithë tregtisë që bën Shqipëria me vendet e ndryshme. Kjo ka një ndikim të madh në zhvillimin e ekonomisë vendase dhe në këtë mes ajo çfarë përfaqëson në këtë raport është përforcimi i këtyre marrëdhënieve që në vitet e fundit kanë një luhatje për shkak të konjukturave të tregut, për shkak të mënyrës i imponohen të gjithë aktorët e Bashkimit Evropian”, u shpreh Gjokutaj.

Ai shpjegoi se Shqipëria kërkon të mbetet pjesë e rëndësishme e tregut europian përgjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas Gjokutajt, takimi i sotëm sjellë një cikël të ri ekonomik ku markat shqiptare të jenë pjesëmarrëse “në treg si një proces integrimi tashmë të ekonomisë”.

“Shqipëria në këtë mes kërkon të mbetet një pjesë e rëndësishme, jo periferike e zinxhirit të furnizimit dhe të forcojë më tej ato çka ka ndërtuar deri më tani, për të kaluar në një cikël të ri të marrëdhënieve ekonomike, ku markat shqiptare, që përkojnë me programin ekonomik të Shqipërisë dhe të jenë pjesëmarrëse në treg si një proces integrimi tashmë të ekonomisë i cili nuk vjen menjëherë por duhen plotësuar një sërë kriteresh  të ndryshme”, theksoi Gjokutaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›