E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi me Tahirin, ministri grek urdhër për mosndalimin e emigrantëve në kufi

TIRANË- Ministri i Brendshëm në qeverinë e re, Sajmir Tahiri është takuar sot me ministrin grek të rendit Nikos Dendias. Sipas njoftimit të Partisë Socialiste, ministri grek i ka shprehur Tahirit gatishmërinë për mbështetje për qeverinë e re shqiptare dhe kryeministrit Rama si dhe mbështetje për policinë shqiptare gjithashtu.

Nga ana e tij, Tahiri tha se qeveria e re ka vullnetin për të intensifikuar bashkëpunimin në luftën kundër trafiqeve dhe krimit te organizuar. Tahiri i ka kërkuar homologut grek të zgjidhet përfundimisht çështja e toponimeve, ndërsa theksoi se nuk duhet penguar lëvizja e lirë e qytetarëve.

Zyra e shtypit e PS-së bën të ditur se pas takimit me Tahirin, ministri grek i rendit ka lëshuar një urdhër për mosndalimin e emigrantëve në kufi, pavarësisht problemeve në pasaporta. Sipas PS, urdhri i ministrit Dendias është shpërndarë pasdite në të gjitha pikat kufitare Shqipëri–Greqi. 

Por pavarësisht njoftimit të PS, sikundër konfirmojnë gazetarët e “News24” në rrethe, shkresa ende nuk ka mbërritur në duart e palës shqiptare dhe as nuk është publikuar në faqe zyrtare të ministrisë greke të rendit.

(er.nu/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›