E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE, konferencë rajonale në Tiranë për lirinë e medias

TIRANË - Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviæ do të mbledhë në Tiranë më 18-20 shtator ekspertë, gazetarë dhe zyrtarë nga rajoni për të diskutuar probleme të lirisë së medias, shkaqet dhe rrugëdaljet, në konferencën e tretë të medias. 

Me këtë rast, zyra e përfaqësueses së OSBE-së ka përgatiur një informacion mbi kërcënimet ndaj medias së lirë në Evropën Juglindore.
"Imagjinoni një media të censuruar, liri fjale të kufizuar, pamundësi për të komentuar lirisht online, asnjë mundësi për të pasur kanale televizive dixhitale apo një legjislacion të hartuar me qëllim kufizimin e aksesit dhe të drejtave të qytetarëve. Fatkeqësisht, këto janë çështje të vërteta dhe probleme të vërteta në Evropën Juglindore", shprehet Mijatovic. 

"Fakti, vijon ajo, që unë kam ndërhyrë në më shumë raste në këtë rajon, sesa çdo Përfaqësues tjetër i mëparshëm, flet vetë. Tendenca është e qartë: liria e medias në rajon po përkeqësohet", thotë përfaqësuesja e OSBE-së. 

Sipas saj, problemet janë të shumta, ashtu sikurse janë të shumta edhe pyetjet që kërkojnë përgjigje. "Siguria e gazetarëve është e kërcënuar dhe vështirë se kalon muaji pa u frikësuar ndonjë anëtar i medias, pa u ngacmuar, apo pa u sulmuar fizikisht për shkak të punës. Përveç kësaj, ligje të reja që pengojnë lirinë e medias po hartohen me ngut, duke kufizuar aksesin në informacionin online dhe offline", thotë Mujatovic.
"Nëse situata nuk përmirësohet, ajo ç'ka përfundimisht rrezikohet është liria dhe demokracia," shton ajo.

Në konferencën e Tiranës do të diskutohen hapur problemet që hasin të gjithë ata që janë të angazhuar dhe të përfshirë në media, ku çështje kryesore janë: transmetuesit e Shërbimit Publik dhe Rregullatorët; kalimi në Transmetimet Numerike; legjislacioni, aksesi i publikut në informacion, liria e internetit etj.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›