Takimi në Romë, Noka thirrje diasporës: PD qëndresë titanike me regjimin, regjistrohuni për fitore në 11 maj

TIRANE, 9 shkurt/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka gjatë takimit të organizuar nga kjo parti me diasporën në Romë, u ka bërë thirrje shqiptarëve që të regjistrohen dhe të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
Noka u ndal tek situata në vend, duke theksuar se zhvillimit iu pre rruga nga PPP-të, nga investitorët strategjikë, nga krimi dhe korrupsioni qeveritar.
“Shqipërinë Edi Rama e ktheu në narkoshtet. Kjo që turpëron çdo shtetar, çdo njeri që i thotë vetes shqiptar, por Edi Ramën dhe bandën e rilindjes kjo nuk e turpëron. Kjo bëri që ju të merrni rrugët e Europës dhe botës dhe hallet e problemet e familjeve tuaja, atje nuk i ka trajtuar kurrë shteti, por Shqipëria është ushqyer nga ju, diaspora jonë”, tha ai.
“Ne duhet t’i prijmë atij ndryshimi të shumëpritur që çdo shqiptar e pret dhe ndryshimi do të vijë nga vota e diasporës. Që ky ndryshim do të trokasë në 11 maj në Shqipëri, duhet që mërgata shqiptare të regjistrohet dhe votojë masivisht në këto zgjedhje. Është vota juaj, vota e diasporës që pritet si një rreze shprese nga të gjithë shqiptarët”, theksoi Noka.
“Me votën tuaj ne do ta mundim regjimin, do ta zëvendësojmë regjimin me një demokraci evropiane. Vota juaj do të ndalojë dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria, do ta ndalë dëbimin e të rinjve. Me votën tuaj do ta mundim narkoshtetin me 11 maj, ndaj vetëm një thirrje për çdo njërin prej jush, regjistrohuni, është e vetmja mënyrë që ti ktheni reston regjimit që ju largoi nga Shqipëria”, u shpreh Noka, ndërsa vuri në dukje se Partia Demokratike ka bërë qëndresë titanike me regjimin.
“Më shumë se çdo opozitë në Europë. I mbijetuam të gjitha komploteve për asgjësimin e saj. Jo vetëm që jemi kockë e fortë e gjithnjë në këmbë, të panumërt në bulevard në Tiranë, por jemi mes zemrave këtu në Romë, në Itali, në Gjermani e Greqi, në të gjithë Europën, edhe në Amerikë e Zelandën e fundme; kudo ku fluturuan shqipet”, tha ai.