Takimi në Romë, PD: Zgjedhjet e 11 majit, akt historik për ndryshimin e vërtetë

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, gjatë takimit me mbështetës të kësaj force politike, në Romë, Itali u bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë të regjistrohen dhe të votojnë në zgjedhjet e 11 majit, pasi siç u shpreh ai, ato përbëjnë një akt historik për të sjellë ndryshimin.
“Zgjedhjet e 11 majit janë një moment kritik për të ardhmen e Shqipërisë. Ato nuk janë thjesht një votim, por një akt historik për të sjellë ndryshim të vërtetë, për të ndalur shkretimim dhe grabitjen, degradimin e banalitetin e se keqes. Një e ardhme e ndershme dhe e drejtë për çdo shqiptar varet nga fati i asaj dite”, deklaroi Gjekmarkaj.
Ai theksoi më tej se largimi i qytetarëve nga vendi erdhi prë shkak të keqqeverisjes.
“Në çdo vend tjetër nuk ikën populli por qeveria. Shqiptaret do të kthehen dhe Edi Rama do të ikë”, deklaroi ai.
Gjekmarkaj tha se kreu i PD-së do të sjellë ringritjen e Shqipërisë.
“Përdoreni fuqinë e votës tuaj! Vota juaj është arma më e fortë për të garantuar një Shqipëri demokratike, një vend ku sundon ligji dhe jo korrupsioni, një vend që meriton të jetë shtëpia e të gjithëve, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, deklaroi ai.
Ndërsa kryetari i PD në Romë, Bardhok Doda ngriti akuza ndaj qeverisë për bashkëpunim me organizata, që sipas tij, nuk ia duan të mirën kombit.
“Populli e ka kuptuar tashmë që ndryshimi duhet të vijë, dhe këtë ndryshim e sjell vetëm ardhja e Partisë Demokratike në pushtet. Vetëm idetë dhe programi i partisë sonë do t’i hapin rrugën çlirimit të vendit nga vargonjtë e krimit dhe korrupsionit që ka kapur çdo cep të qeverisjes aktuale”, u shpreh ai. /j.p/