Takohen dostat

Dita e mërkurë ka qenë e veçantë për Blerim Rrustemin. Mbrojtësin kosovar nuk është transferuar te ndonjë klub i madh, por ka takuar mikun e tij të vjetër, Diego Forlanin, me të cilin nuk janë parë tash e 7 vite.
Rrustemi dhe Forlan janë takuar në qytetin e Leverkusenit, ku klubi spanjoll Atletico Madrid të enjten ka zhvilluar ndeshjen kundër Bayer Leverkusenit në kuadër të Europa League.
Anëtari i klubit gjerman Wegberg-Beeck dhe sulmuesi i përfaqësueses së Uruguait ishin takuar menjëherë pasi ky i fundit u shpërblye me çmimin Topi i Artë për paraqitjet e shkëlqyeshme në botërorin Afrika e Jugut 2010
“Forlan në Gjermani ka ardhur më herët sesa skuadra e Atleticos, pasi në Nurnberg ka marrë çmimin Topi i Artë i Botërorit. Jemi dëgjuar me telefon dhe e kemi lënë që të takohemi në Leverkusen, ku ishte e paraparë të akomodohej skuadra e tij”, ka thënë Rrustemi për Express.
“Kemi biseduar gjatë me Forlanin për shumë gjera. E kam ftuar që ta vizitojë Kosovën dhe ta luajë një ndeshje për bamirësi, kur ka kohë të lirë dhe më ka premtuar se do të vijë. Po ashtu edhe ai më ka ftuar që të shkoj në Madrid dhe ta shikoj një ndeshje të Atleticos”, rrëfen vushtrriasi.
Ish mbrojtësi i klubeve gjermane Borussia Monchengladbach e RW Erfurt tregon se gjatë bisedës Forlan i ka thënë se synon të mbetet në Atletico deri në përfundim të kontratës. Sipas Rrustemit, sulmuesi uruguaian pasi ta përfundojë kontratën me Atleticon, planifikon që karrierën ta vazhdojë në Evropë ose Amerikë.
Diego Forlan dhe Blerim Rrustemi për herë të fundit janë takuar në vitin 2004, në Uruguai gjatë periudhës kur mbrojtësi kosovar ka qenë pjesë e klubit uruguaian Defensor Sporting Club.
Forlan dhe Rrustemi njihen që nga viti 2001. Kosovari në këtë kohë është menaxhuar nga babai i sulmuesit uruguaian, Pablo Forlan, i cili e kishte transferuar nga klubi kanadez Supra Toronto në atë brazilian Portuguesa Sao Paulo dhe më pas në Defensor Sporting Club.
“Me Forlanin, edhe pse nuk jemi takuar qe një kohë të gjatë, kemi mbajtur kontaktet. Po ashtu kamë kontakt të vazhdueshme edhe me familjen e tij”, përfundoi ish mbrojtësi i Kombëtares shqiptare.
Rrustemi gjatë këtij takimi i ka dhuruar për kujtim një fanellë të Kombëtares shqiptare Diego Forlanit. Edhe ky i fundit i ka dhuruar mbrojtësit kosovarit fanellën e Atletico Madridit.