Talentët e papërgatitur
Në Kosovë, talentë të futbollit ka. Këtë e ka vërtetuar edhe vizita e përfaqësuesve të Kalmarit të Suedisë, të cilët u ndanë të kënaqur me atë çka panë, duke vërejtur disa futbollistë që, sipas tyre, mund të luajnë në të ardhmen në ekipin nga elita e futbollit suedez.
Një fakt të tillë e pranojnë edhe menaxherët kosovarë. Sipas tyre, Kosova mund të konsiderohet si një ‘fabrikë’ talentësh, mirëpo me ta nevojitet shumë më tepër punë, nëse klubet pretendojnë që t’i ofrojnë në ndonjë klub evropian.
Menaxheri Mërgim Bekteshi, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, tregon se në Kosovë ka shumë talentë, mirëpo ata janë të papërgatitur fizikisht që të fillojnë një aventurë në futbollin evropian.
“Problemi është që futbollistët që luajnë në Kosovë janë të papërgatitur fizikisht dhe nuk mund të depërtojnë këtu në Gjermani. Talentë ka sa të duash, të cilët kanë teknikë dhe dinë mirë të punojnë me topin, mirëpo janë të dobët fizikisht”, ka thënë Bekteshi për Express.
Ai thotë se gjatë afatit kalimtar të dimrit është shumë e vështirë që ta transferojë ndonjë lojtar nga Kosova, pasi klubet kërkojnë futbollistë të cilët janë të gatshëm të hyjnë menjëherë në fushë dhe të kontribuojnë për skuadrën
Mirëpo, sipas tij, afati kalimtar i verës është ndryshe, pasi klubet mund të marrin futbollistë që nuk janë të përgatitur mirë dhe t’u kushtojnë më tepër kohë për t’u forcuar dhe për t’u inkuadruar në ekip.
Edhe menaxheri i njohur kosovar, Nexhmedin Haxhiu, ndan mendimin me kolegun e tij. ‘Nexhi’, siç e njohin të gjithë, e pranon se e vetmja mangësi e futbollistëve kosovarë është përgatitja jo e mirë fizike, por ai beson se me kohë lojtarët e këtushëm mund t’i përshtaten ambientit të ri jashtë vendit.
“Talentë në Kosovë ka shumë, por ata nuk janë të gatshëm për momentin të luajnë jashtë vendit. Dihet se në çfarë gjendje gjenden ekipet kosovare, kështu që lojtarët nuk janë të përgatitur fizikisht si duhet”, shpjegoi Haxhiu.
Mirëpo, shton ai, në të kaluarën është vërtetuar se lojtarët kosovarë mund të adaptohen në sistemin e ekipeve të huaja. “Po mendoj për Dallkun, Currin dhe Januzin, të cilët kur i kam dërguar jashtë Kosovës, kanë qenë katastrofë në aspektin fizik. Por, me kohë, ata i janë përshtatur ambientit të ri”, vazhdoi menaxheri kosovar.
Haxhiu tregoi se gjatë janarit e ka ndërmend t’i dërgojë 2-3 futbollistë në prova jashtë Kosovës dhe është optimist se do të nënshkruajnë me klubet ku do të testohen. Ai nënvizoi se lojtarët, të cilët kanë më shumë mundësi të luajnë jashtë Kosovës, duhet të jenë 21-22 maksimum 23 vjeç, pasi për të tjerët (që janë më të moshuar) nuk bëhet fjalë.
Viteve të fundit ishin të shumtë futbollistët kosovarë që u provuan në skuadra të huaja. Mirëpo, vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre i kaluan testet në ekipet përkatëse.