Taksa i shtrenjton ushqimet baze me 20

Gjergj Filipi, i institutit ”Axhenda” thotë se qeveria i ka mundësitë për të zbutur rritjen e kostove të jetesës, të paktën për produktet ushqimore.
“Duke ulur Tatimin e Vlerës së Shtuar për këto lloj produktesh, në mënyrë që çmimet e rritura në rang global dhe që zhvlerësimi i monedhës shqiptare, të mos kalojë i tëri në xhepat e qytetarëve, një pjesë e përgjegjësisë i takon ta mbajë qeveria”, tha Filipi për “Shqip”.
Për çdo produkt ushqimor, 20% e çmimit që çdo qytetar paguan kur blen, i shkon shtetit si Tatim mbi Vlerën e Shtuar. “Në të gjitha vendet e BE-së kanë nivelet e diferencuara për produktet baze. Qeveritë i tatojnë ushqimet shumë më pak mallrat e ushqimit për shtetasit e tyre”, shpjegoi Filipi.
Shqipëria që pretendon se është vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë e ka këtë taksë 4 herë më të lartë edhe sesa ato vende që klasifikohen si shtetet me taksa të larta në Europë.
“Kjo TVSH për ushqimet duhet riparë në mënyrë të menjëhershme. Me përgjysmimin e TVSH-së ne ulim çmimet në treg dhe pritet që të rritet konsumi i produkteve bujqësore në treg”, theksoi Filipi. Në vitin 2010, qeveria u mori qytetarëve 17.5 miliardë lekë TVSH vetëm nga importi i ushqimeve, 75% më shumë se në vitin 2006.
Barra e rënduar fiskale është një nga arsyet kryesore se pse Shqipëria sipas Eurostat është vendi me çmimet më të larta të ushqimeve në rajon edhe pse ka fuqi blerëse të ulët.
Në vitin 2010 çmimet e ushqimeve në Shqipëri ishin sa 70% e mesatares së vendeve të BE, kur për Maqedoninë ky tregues 52%, për Bullgarinë 67%, dhe për Rumaninë dhe Serbinë respektivisht 65 dhe 69%.
Këtë vit pati edhe shtrenjtim të medikamenteve, pikërisht për shkak të TVSH-së që qeveria vendosi për to në masën 10%.