Taksa progresive, Berisha: Rama, me Manifestin e Marksit
BERAT- Kryeministri, Sali Berisha ka deklaruar nga Berati se qeveria qe drejton do beje gjithcka qe investitoret te kene suksesin me te madh, duke garantuar se vendi nuk do te kete rikthim tek taksat marksiste.
“Ketë jave qeveria hoqi Tvsh-të për të gjitha makineritë e importuara, lehtësi të tjera fiskale do të parashikohen. Ata të cilët premtojnë taksën progresive nuk bëjnë gjë tjetër vetëm shëtisin Manifestin e Karl Marksit nëpër sipërmarrje, kodrat, fushat, malet e Shqipërisë, por ai ju jap fjalën nuk ka të ardhme”- tha Berisha, gjate inspektimit te punimeve për shpimin në pusin kërkimor Shpirag 2, në Berat.
Sipas tij, ata qe mendojnë se do të pasurojnë të varfrit, duke shkatërruar të pasurit, ata shohin ëndrra në diell.
“Ajo është rruga me e sigurt렠e kalimit të tyre nga varfëria në mjerim. Më mirë se kushdo tjetër e kanë provuar këtë baballarët dhe gjyshërit tanë në regjimin që shkoi. Ne besojmë se paratë në kontot e biznesmenëve dhe të investitorëve kthehen shumë më shpejt, shumë më sigurtë ne vende pune, në rroga, në mirëqenie për qytetarët shqiptarë, se sa paratë në arkën e shtetit apo të qeverisë. Ndaj dhe ne i qëndrojmë politikës sonë”- tha Berisha, duke shtuar se kjo politikë ka bërë që Shqipëri të mos njohë krizën, të qëndrojë sërish në krye të rajonit, në krye të Evropës, për rritje ekonomike.
Pusi, i inspektuar sot, aktualisht ka arritur në thellësinë e 4045 metrave. Ai është vepër e kompanive Petromanas Energy Inc. dhe Shell dhe ka një kosto totale shpimi dhe përfundimi mbi 35 milion dollarë. Së shpejti, ky investim do të shoqërohet edhe me fillimin e kërkimeve në pusin Juban 1.