E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksat e përgjysmuara për makinat, në fuqi më 22 maj

Qeveria ka publikuar dje në Fletoren Zyrtare ligjin e ri që përgjysmon taksat e makinave, i cili hyn në fuqi më 22 maj. “Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare”, shkruhet në dokumentin qeveritar, ku përcaktohet formula e re e llogaritjes së taksave vjetore, afatet e pagesës për përdoruesit e mjeteve, si dhe penalitetet për vonesat. Sa për pagesat e prapambetura, ligji i ri përcakton se ato do të mund të paguhen në bazë të formulës së re për vitet e shkuara, pra me gjysmën e vlerës së dikurshme, madje pas asnjë penalitet në rast se një veprim i tillë kryhet para fundit të qershorit. “Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të gjithë pronarët e mjeteve, që nuk kanë paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura, paguajnë sipas këtij ligji. Në rast se pagesa bëhet brenda datës 30 qershor 2013, ata përjashtohen edhe nga penalitetet për vonesë në pagesën e taksave. Aplikimi i penalitetit për vonesë në pagesën e taksave, për të gjitha mjetet që u ka kaluar afati i vlefshmërisë së taksave, pavarësisht kur e kanë kryer pagesën e taksave, fillon nga data 1 janar 2014”, përcakton ligji i ri mbi taksat e mjeteve.
Formula e re
Sipas ligjit të ri, taksa vjetore e mjeteve të përdorura është e vlefshme për 365 ditë dhe caktohet sipas formulës: Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 12,5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit është si në shtojcën 1 bashkëlidhur këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij. Mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit. Koeficienti fiks për vitet e prodhimit është 0 për makinat deri në tre vjet dhe fillon me 0.18 për vitin e katërt. Koeficienti shtohet me 0.01 për çdo vit deri në vitin e dhjetë të vjetërsisë së makinës. Pas vitit të dhjetë, koeficienti 0.24 shtohet me 0.04 për çdo vit tjetër të vjetërsisë.
Gjobat
Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit. 18 për qind e të ardhurave vjetore nga kjo taksë i kalojnë buxhetit të qeverisjes vendore. Falen të gjitha detyrimet e prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor për mjetet e sekuestruara apo të konfiskuara me vendim të formës së prerë të gjykatës, të cilat i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për qëllime përdorimi apo rishitjeje.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›