E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pakënaqurit PD-PS, Ilir Gjoni-Edi Ramës: Qyqar, fisi im të mbyt me pështymë

Kryeministri Sali Berisha e cilësoi edhe dje si fituesen e 23 qershorit listën e kandidatëve të PD-së, ndërsa Edi Rama ndjehet i çliruar, pasi sipas tij, më në fund do të flitet për Shqipërinë. Shefi i qeverisë në një postim në faqen e tij personale në “Facebook” vlerësoi listën e kandidatëve demokratë si ekipi e fitores së 23 qershorit, duke theksuar se impakti që mori është pozitiv. Duke falënderuar bashkëpunëtorët e tij me të cilët po përmbushë këtë mandat qeveritar, ai ka ftuar gjithë anëtarët dhe mbështetësit e PD-së, që të ecin së bashku drejt mandatit të tretë. “Dorëzuam listën e ekipit të ri parlamentar qeverisës, ekipit të fitores për 4 vitet që vijnë. Impakti i saj publik ishte shumë pozitiv. Duke shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë bashkëpunëtorëve të mi për kontributin dhe mbështetjen tejet të çmuar në 4 vitet që shkuan, ftoj të gjithë anëtarët, simpatizantët, mbështetësit e Partisë Demokratike dhe ‘Aleancës për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim’, të ecim së bashku drejt mandatit të tretë, mandatit të Shqipërisë së zhvilluar, Shqipërisë Europiane. Fitore!”, shkruan Berisha në një postim në rrjetin social “Facebook”. Nga ana e tij, kreu i PS-së, Edi Rama pas dorëzimit të listës së koalicionit të majtë në KQZ, shprehet i kënaqur që nuk do flitet më për lista, por për Shqipërinë. Pak para nisjes për në Danimarkë, Rama komentoi në “Twitter”: “Më në fund s’do flitet për lista po për Shqipërinë që duam. Qysh nesër (sot) në Kopenhagen, me kryeministrin e një vendi fantastik që duam ta kemi më pranë”. Po dje kryeministri Berisha ishte në jug të vendit, në Fier dhe Berat, ku gjatë fjalës së tij në ceremoninë e përurimit të rikonstruksionit të rrugës Ura Vajgurore – Pashalli – Mbistrovicë në Berat, tha se “në këto zgjedhje PD-ja shkon me dy lista, njërën me atë të kandidatëve për deputetët, ndërsa tjetra me listën e veprave konkrete për zhvillimin e Shqipërisë”. Berisha bëri të ditur se Kuvendi do të vijojë të mblidhet çdo javë për votimin e 3 ligjeve të konsideruara si çelësi për marrjen e statusit kandidat për në BE. “Duke bllokuar statusin dëmtohet çdo shqiptar, dëmtohet qeveria, dëmtohet opozita dëmtohet Shqipëria. Të njëjtën gjë bënë me vizat, por nuk ia dolën. E përshëndetëm faktin që pas 206 ditëve bllokim, Rama u kujtua se po kryente një vepër të padenjë. E hëna ishte në parlament, dje shkuam me kënaqësi. Ju e patë, bënë ritin e zakonshëm, sa erdhëm tek ligjet u ngritën njëri pas tjetrit dhe boshatisën parlamentin. Do mbledhim çdo javë parlamentin, sytë e shqiptarëve janë të drejtuar në atë sallë dhe shqiptarët presin që ne të votojmë ligjet”, - u shpreh Berisha.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›