E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kurbani”, kurban i megalomanisë së autorit

17-11-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Libra të tillë shiten për shkak të kureshtjes që zgjojnë, jo për seriozitetin e veprës. “Kurbani”, ndonëse nuk është lexuar endé, po bëhet kurban i vetvetes. Z. Mit’hat Havari, shef i operacionit të prishjes së parkut “Rinia”, i pranishëm në Panairin e Librit as që kishte ndër mend ta blinte librin “Kurban”. Ai ka shkruar në një të përditshme: “Nuk kisha ndër mend  të harxhoja paratë për të blerë librin e Edi Ramës”. Por brenda panairit, në një bisedë me nënën e Edit,  kjo e kishte ngacmuar duke e pyetur nëse kishte ndonjë qejfmbetje me Edin. - Po, i kishte thënë drejtori i policisë ndërtimore. - Kishte parasysh se ai e kishte quajtur “llafeshumë e tekanjoz”. Dy nga të njëqind veset e veta, Rama ia kishte transplantuar tjetrit. Ja që Aneta u bë shkas që ta blente librin, ai që s’kishte qejf ta blinte. Dhe të gjente, në f. 67 të librit, ato rrenat e tij të zakonshme, në drejtim të z. Havari.
Që në kohët e hershme të prishjes së Parkut “Rinia”, Edvini bën protagonist vetveten, kur ishte i ngarkuar që të merrej vetëm me gjelbërimin e rrënojave. Havari nuk ia përton ta vërë të vërtetën në vend për rolin dytësor që ai kishte, kur përgjegjësi i këtij aksioni ishte Mit’hat Havari. Por lexuesit të mirinformuar, në këtë rrëfim të Havarit, ka  shumë gjasa që t’i bëjë përshtypje që tani e ëma e autorit tekanjoz (cilësor që do t’i përshtatej Ramës vetë), të bëhet promovuese e librit! Dhe të harrojë, për çudí, fyerjet që i biri i ka bërë të atit të tij, - domethënë bashkëshortit të promovueses së tanishme, - në atë gjyq të pazakontë e të bujshëm, të nxjerrë me fac símile e në të gjitha hollësitë poshtëruese, nga ai që tani thonë se është bërë mik për kokë i Edit. Do ta shohim edhe këtë në një editorial të 25 prillit të vitit 2004, në të cilin ky “miku” e stigmatizon se “po ndal orën e Tiranës, për t’u pasuruar dhe për të krijuar një klasë të re pronarësh në Tiranë, përmes zyrës së tij të lejeve të ndërtimit”.
Në shkrimin e tanishëm të M. Havarit, kemi këtë shprehje të Ramës drejtuar shefit të Policisë Ndërtimore: - Është në taketuke kryeministri që kërkon të prishë pakun “Rinia”? “Në mbledhje, - thotë artikullshkruesi, - isha ngarkuar shef i operacionit, kurse Rama do ta kthente në zonë të gjelbër”. Citojmë: “Për ironi të fatit, E. Rama te ky libër thotë se një miku i tij (nuk po ia përmend emrin) e çmontoi vetë ndërtesën. Pikërisht ky person, i privilegjuari i Ramës, ndërsa ne vepronim, m’u drejtua me këto fjalë: “Është pronë private, z. Havari”. Ia ktheva shkurt: “Nuk ka pronë private në tokën e shtetit. Do fillosh ta çmontosh, apo të veprojmë ne?” Më tha se do takoheshim në gjyq. Në atë moment dhashë urdhër të prerë: “Zef, godite!” (Zefi ishte komandant i grupit, që i jepte urdhra fadromistit). Dua t’i them Ramës se ditën që fillova operacionin e vështirë, ai pinte verë në një restorant në mal të Dajtit dhe që andej shihnin nëpërmjet televizorit  që shefi i operacionit  po u jepte shpresë njerëzve se shteti vepron dhe është i fortë”. Lexojmë më tej: - “Në përfundim të çdo vepre, vjen dhe përurimi. “Po kush e përuroi?”. Ndër këta ishte dhe Edi Rama. Mit`hat Havari nuk ishte thirrur. Kur unë i thashë Edi Ramës se ishte një turp që s’më kishin thirrur, ai m’u përgjigj: “Hë mo dhe ti! Çfarë përurimi?! Dava park ‘Rinie’…”. I thashë: - “Po mirë, atë dava park ‘Rinie’ e përuron Kryeministri, kryetari i Bashkisë dhe mungon protagonisti kryesor që i vuri gjoksin duke u ndeshur me rrezikun?! S`ka problem. Ju kam lënë Zotin. - Dhe u largova zemërthyer”.
Veçse në “Zonën e lirë” të Arian Çanit (2005), në kohën  kur Havari kandidonte si i Genc Pollos, Ariani i ishte drejtuar me një pyetje befasuese; -A e di, z. Havari, se Edi Rama ka deklaruar se parkun ‘Rinia’ e prishi Edi Rama? Z. Havari sqaroi se parkun “Rinia” e prishi Mit’hat Havari; kurse  Edi Rama mbolli barin jeshil”.
- Muaj më vonë  - vijon rrëfimi i Havarit, - takohem me Ramën te shkallët e hotel “Tiranës”. Sa më pa, me një fytyrë të zezë (...) më tha:  “Mit’hat Havari, historia duhet thënë ashtu siç është”. E pyeta se përse e kishte fjalën. -  “Për parkun, kishe folur te Arian Çani. Apo e ke bërë në kuadër të fushatës elektorale?”. “Po, ke të drejtë, – i thashë, – nuk kam shprehur të vërtetën, se në paradhomë të Kryeministrit më the se ai s’është në taketuke që donte të prishte parkun”. - “Unë ta kam thënë?!”, - m’u drejtua dhe u trondit nga kujtesa ime e pagabueshme.   Më poshtë vazhdon rrëfimi:  Gjithnjë kisha menduar të reagoja ndaj këtij veprimi të tij të ulët, por thosha: “Nuk kam për të rënë në nivelin e tij. Qytetarët janë dëshmitarë të gjallë”.
Kisha detyrim moral ndaj shumë njerëzve të thjeshtë e të ndershëm që, kur më takonin e më takojnë, më kishin thënë të indinjuar: “Si ka mundësi që Edi Rama pretendon se është ai që e prishi parkun ‘Rinia’, ndërsa e vërteta është krejt ndryshe?”. Këtyre njerëzve të mirë u përgjigjem: Askush nuk mund të gëzojë e të përfitojë nga djersa e tjetrit. Zoti vëzhgon!”.
***
Po të vërtetën e editorialit të 25 prillit 2004, për korrupsionin e Ramës, a e ka bërë kurban kurbanliu Rama?  Ky citim i fundit është dëshmi e dy të vërtetave: Të mashtrimeve të E. Ramës dhe të proselitizmit (konvertimit të ri) të mikut rishtar: “Ajo çka po bën Edi Rama është një korrupsion historik. Ai nuk riparohet më. Kullat e tij shumicën e të cilave i ka firma e Kinema “Millenium” nuk janë kioskat e Sali Kelmendit që mund t’i prishë edhe Mitat Havari. Ato janë dhuna reale që po ushtrohet jo vetëm mbi urbanistikën e Tiranës, por mbi të gjitha, mbi tregun dhe historinë e zhvillimit të Tiranës. Ai po ndal orën e Tiranës, për t’u pasuruar dhe për të krijuar një klasë të re pronarësh në Tiranë, përmes zyrës së tij të lejeve të ndërtimit, të cilat nuk firmosin asgjë që nuk që nuk paguhet tek ata. Ai është sot kështjella e korrupsionit zyrtar dhe historik të Shqipërisë, edhe për faktin se po përpiqet të shfrytëzojë malin e parave të pista që po vë në lëvizje për të prodhuar “Një Tiranë të Re”, e cila nuk ka as vlerën e së vjetrës, as hijeshinë e së resë. Projekti francez nuk është as “francez”, as shqiptar, as vizionar, as profesional. E ç’mund të dalë nga ngrysjet dhe gdhirjet e Ramës me disa biznesmenë (...)” etj.
Rama, sipas këtij shkrimi, nuk qenka edhe aq fukara! Këtë e themi të gjithë. Por, nëse nuk na beson neve, le t’i besojë së paku, Meros. Ta shkruajë, për hir të së vërtetës, në ribotimin e “Kurbanit”, se ka shtëpi me qira dhe se e gjithë pasuria e Ramës përmblidhet në 3000 euro! Veçse, gjer në ribotim, do të katandiset kokoshi i të vërtetave një thelë dhe “Kurbanit” do t’i mbeten vetëm kapakët e librit!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›