E Shtunë, 31 Tetor 2026

Talasemia, ligj për analizat gjenetike para martese

Çdo çift para se të celebrohet në martesë duhet të kryejë analizat gjenetike. Ky është propozimi më i ri i hedhur dje nga ekspertë të fushës së shëndetësisë në Ditën Botërore të Talasemisë, me qëllim parandalimin e sëmundjeve gjenetike te fëmijët që do lindin.
Vasili për ligjin
Kësaj ideje duket se i është bashkuar edhe vetë ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, ndërsa është shprehur se nëse deri tani gjithë përpjekja është përqendruar tek kurimi i të sëmurëve talasemikë, fokusi i Shëndetësisë në të ardhmen duhet të jenë fushatat parandaluese. Çdo gjë është debat i hapur, dhe çdo gjë që do i bënte mirë çdo familje është një debat që mund të bëhet. Deri në këtë moment kemi menduar që ta inkurajojmë në këtë mënyrë duke respektuar dhe atë spektër normal demokratik të të drejtave të njeriut, i cili nuk ka arsye pse të mos respektohet, por duke punuar fort, tha Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë.
Talasemia
Sipas studimeve talasemia ka përhapje në të gjithë vendin tonë, ku rreth 7 për qind e popullsisë është bartëse e kësaj sëmundje të rëndë të gjakut. Specialistët flasin për rreth 20 raste të reja në vit. Ne kemi disa vite që vazhdojmë të ruajmë nivele shumë të ulëta. Megjithatë përsëri insistoj të them se çdo rast i ri është i panevojshëm që të jetë, tha më tej Vasili. Talasemia është një çrregullim i trashëguar i gjakut, e cila transmetohet nga prindërit tek fëmija. Ajo e ul sasinë e rruazave të kuqe  në trupin e njeriut dhe mund të sjellë në këtë mënyrë si rezultat, pamundësinë që ato të çojnë në mënyrë të mjaftueshme oksigjen në organizëm, atje ku ai është i nevojshëm. Transfuzioni i rregullt i gjakut është i vetmi mjekim i përshtatshëm deri tani për talaseminë.
Medikamentet
Falë lobingut të Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë dhe Shoqatës së Talasemikëve me institucionet qeverisëse, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka mundësuar rimbursimin e një medikamenti që ka ndryshuar cilësinë e jetës për fëmijët e prekur nga talasemia. Vendosja e Deferasirox 250 mg (Exjade) në listën e barnave të rimbursueshme në 2005, u cilësua një revolucion në trajtimin e kësaj sëmundjeje. Preparati, një tabletë e vetme nga goja para transfuzionit, zëvendësoi infuzionet 24-orëshe traumatike të Desferealit. Të dhënat e rimbursimit të këtij bari nga ISKSH tregojnë se kemi një rritje me rreth 50 pacientë më shumë që nga 2007-a. Aktualisht me këtë medikament mjekohen rreth 156 pacientë.

INSTAT: Rriten çmimet e ilaçeve dhe qiraja e banesave
Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin prill të këtij viti shënoi një ulje prej 0.1 % krahasuar me muajin e mëparshëm. Sipas statistikave të publikuara dje nga INSTAT, ndryshimi vjetor në muajin prill është 1.6 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 4.1 %. Indeksi i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një ulje prej 0.4 % krahasuar me muajin e mëparshëm.  Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 5.2 % vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të kastravecëve me 35.1 %, patëllxhanëve me 15.1 %, sallatës jeshile me 14.9 %, qepëve të njoma me 13.1 %, preshit me 7.4 %, specave me 3.2 %, etj. Indeksi i nëngrupit “fruta” shënoi një rritje prej 3.4 %, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të mandarinave me 12.6 %, bananeve me 7.8 %, portokajve me 2.2 %, dardhëve me 0.7 %,etj. Çmimet kanë shënuar ulje edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë uljet në nëngrupin “sheqer e ëmbëlsira” me 0.2 %, nëngrupin “bukë e drithëra” me 0.1 %, nëngrupin “vajra dhe yndyra” me 0.1 % etj. Indeksi i grupit “veshje dhe këpucë” ka shënuar një ulje prej 0.1 %. Indeksi i grupit “qira ujë lëndë djegëse dhe energji” ka shënuar një rritje prej 0.4 %, ku mund të veçojmë rritjen e tarifave të ujit të pijshëm me 6.9 %. Indeksi i grupit “shëndeti” shënoi një rritje prej 1.0 %, brenda të cilit çmimet e medikamenteve shënuan një rritje prej 1.3 %. Në grupet e tjera ndryshimet varjojnë nga + 0.1 deri + 0.4 %.

Sharrë, banorët përzënë romët, ndihmë Totozanit
Banorët e zonës së Sharrës në Tiranë kanë protestuar dje kundër strehimin të familjeve rome pranë lagjes të tyre. Ata nuk pranojnë kurrsesi që pjesëtarë të komunitetit rom të strehohen afër shtëpive të tyre të banimit. Tetë familje rome të mbetura të pastreha që prej djegies së kampingut të tyre tek zona pranë Stacionit të Trenit pas disa negociatave mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Punëve dhe Çështjeve Sociale u vendos të strehohen tek ish-reparti ushtarak. Por, banorët e zonës së Sharrës janë kundër strehimit të 8 familjeve dhe për këtë në shenjë proteste kanë bllokuar dje rrugën. Pavarësisht protestave të banorëve, 8 familjet rome, shumica gra e fëmijë po shoqërohen nga policia në këtë zhvendosje të tyre. Janë efektivët që po negociojnë me banorët për të hapur rrugën. Por nisur nga këto mosmarrëveshje, mësohet se mesditën e së djeshme 8 familjet rome janë rikthyer në ambientet e Avokatit të Popullit, për të qëndruar aty deri sa çështja e strehimit të tyre të marrë zgjidhje definitive. Rreth 52 anëtarët e këtyre familjeve, prej kohësh kanë jetuar në një kopsht në Kinostudio. Kontrata e qëndrimit në kopsht ka qenë deri më 29 prill, ndërsa pas kësaj ata i janë drejtuar për ndihmë Avokatit të Popullit. Në zyrat e këtij institucioni romët qëndruan për rreth dy javë, derisa institucionet shtetërore u garantuan se do ti dërgonin te ish-reparti ushtarak në Kombinat.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›