Talebanët ndaluan gratë të punonin, katër OJQ mbyllin aktivitetin e tyre në Afganistan

Katër OJQ kanë njoftuar pezullimin e aktiviteteve të tyre në Afganistan, pasi talebanët vendosën të ndalojnë gratë të punojnë në to.
Në veçanti, në një deklaratë të përbashkët, Organizatat Joqeveritare Save the Children, Këshilli Norvegjez i Refugjatëve dhe CARE International njoftuan se po pezullojnë veprimin e tyre në Afganistan në pritje të “sqarimeve” në lidhje me vendimin e marrë nga talebanët.
“Ne po pezullojmë programet tona, duke kërkuar që burrat dhe gratë të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë në të njëjtën mënyrë për të shpëtuar jetë në Afganistan“, njoftuan ata. Edhe organizata ndërkombëtare e ndihmës “AfghanAid” po e pezullon aktivitetin e saj, duke paralajmëruar se është në konsultim me OJQ të tjera.
Me këtë vendim, talebanët shkaktuan reagime nga zyrtarë të lartë të Kombeve të Bashkuara dhe dhjetëra OJQ, ku u takuan të dielën në mëngjes për të diskutuar për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren.
Nga ana e saj, Ministria e Ekonomisë së Afganistanit, në një letër dërguar organizatave joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, njoftoi se këtë vendim e ka marrë pas “ankesave serioze” se punëtorët femra nuk respektojnë kodin e veshjes, domethënë se ato nuk mbanin “hixhabin islam”.
“Asnjëherë nuk kemi qenë të informuar për ndonjë problem në lidhje me veshjen e grave”, komentoi sot kreu i një organizate.
Ky vendim jo vetëm që i lë pa punë gratë në vend, por edhe miliona afganë që varen nga ndihma humanitare e dërguar nga donatorët e huaj përmes një rrjeti të madh të organizatave joqeveritare në vend. Konkretisht, sipas Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera, më shumë se 50% e 38 milionë banorëve të vendit kanë nevojë për ndihmë humanitare për të përballuar dimrin.
Dhjetëra organizata veprojnë në zona të izoluara të Afganistanit dhe shumë nga punëtorët e tyre janë gra./ CNN.gr
/rtsh.al/