Talente të reja në komentim sportiv, projekti i Akademisë Olimpike

Me mbështetjen e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe Solidaritetit Olimpik, Akademia Olimpike Shqiptare ka organizuar trajnimin e parë të dedikuar formimit në gazetarinë sportive me fëmijët pjesëmarrës në projektin “Ekipet Sportive në Shkolla”. Kjo nismë inovative synon të identifikojë dhe mbështesë nxënësit që spikasin në të shkruar, komentim dhe që shohin veten si profesionistë të ardhshëm në median sportive.
Përmes një kombinimi të leksioneve teorike dhe ushtrimeve praktike, fëmijët janë njohur me bazat e gazetarisë sportive, komentimit të ndeshjeve dhe etikës në media. Iniciativa ka ngjallur interes të madh te nxënësit, duke u shndërruar në një përvojë frymëzuese dhe edukative.
E ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, Drejtoresha e Akademisë Olimpike, Enkeleda Caushi, deklaroi se ky është vetëm hapi i parë i një iniciative më të gjerë që synon të promovojë edukimin olimpik përmes sportit dhe medias, duke krijuar ura mes brezave të gazetarëve dhe duke fuqizuar zërin e të rinjve në rrëfimin e sportit.
“Donim të bënim diçka në ditën ndërkombëtare të gazetarisë sportive por jo një gjë të zakonshme siç është një konferencë, menduam si do ta lidhim brezin e ri të gazetarëve me brezin aktual të gazetarëve. e Akademisë Olimpike Shqiptare në vitet e fundit është dedikuar shume edukimit olimpik tek të rinjtë në shkollë. Menduam të zgjedhim talente të rinj ne shkolla që lidhen me aktivitete sportive janë të angazhuar me ekipe sportive. Aktualisht kemi parë që në ndeshjet e ekipeve janë disa nga vet sportistët apo gjyqtar që komentojnë për arsye të njohjes së rregullave. Bëmë një projekt ku pjesa e parë i dedikohet edukimit olimpik për të formuar që në fillim me rregullat, dhe më pas këto talente të gazetarisë sportive kanë zhvilluar një ditë trajnimi”, u shpreh Caushi.
Drejtoresha e Akademisë Olimpike, Enkeleda Caushi, theksoi rëndësinë e këtij projekti në edukimin mediatik dhe sportiv të të rinjve.
“E ofruam këtë mundësi për fëmijët që janë të angazhuar në ekipe sportive sepse kemi parë mangësi tek pjesa e komentimit. Kemi përdorur kanalet tona të bashkëpunimit me 20 fëmijë duke e sjellë si një punë në grup. Është vetëm fillimi ku ne dhamë disa parime dhe informacione por përzgjedhja është bërë nga individ të cilët janë të lidhur me sportin. Besoj se nëse do të evidentohen vërtet mundet të marrim dhe iniciative te tjera”, tha Drejtoresha e Akademisë Olimpike.
Ajo deklaroi se Solidariteti Olimpik është gjithmonë i hapur për projektet e tilla.
“Solidariteti Olimpik është gjithmonë i hapur për projektet e tilla sidomos aty ku është brenda edukimi olimpik. Komiteti Olimpik ka qenë shumë i suksesshëm në realizimin e projektit te ekipeve sportive në shkolla, kemi aktualisht 12 mijë fëmijë në të gjithë Shqipërinë të cilët aktivizohen”, u shpreh Enkeleda Caushi .
/rtsh.al/