E Hënë, 2 Nëntor 2026

Epilepsia, lufta me trurin – Krizat që kërkojnë kujdesin e duhur shëndetësor

Epilepsia është një çrregullim neurologjik që manifestohet me kriza të përsëritura.

Mjeku neurolog Gleni Halili na shpjegon se si shfaqet kjo sëmundje dhe shkaktarët e saj?

“Epilepsia është një çrregullim i trurit që karakterizohet nga një predispozitë për të gjeneruar konvulsione. Konvulsionet janë shenjat dhe simptomat që pacienti përjeton kur kemi shkarkesa elektronike të shtuara, sinkrone të çrregullta të aktivitetit elektrik të trurit. Moshat më të shpeshta ku diagnostikohet epilepsia është fëmijëria e hershme. Një nga shkaqet më të shpeshta është gjenetika. Shkaqet e tjera kanë të bëjnë me traumat e kokës, me ishemitë dhe hemorragjitë e trurit, encefaliti, meningjiti. Këto janë infeksione të cilat prekin edhe trurin. Janë shkaqet imune prej sëmundjeve autoimune që prekin trurin,” tregon Dr. Halili.

Si diagnostikohet epilepsia?

“Diagnostikohet në varësi të shenjave të pacientit. Dy ekzaminimet bazë, të cilat shërbejnë për të vendosur diagnozën, është elektroencefalograma ose ezheja, siç njihet – e cila studion aktivitetin elektrik të trurit – si dhe rezonanca e kokës, e cila e sheh trurin nga ana strukturore, për të parë nëse ka dëmtime në zonat ku prodhohen këto shkarkesa elektrike të shtuara,” shpjegon mjeku neurolog.

Si trajtohet kjo sëmundje?

“Menaxhohet kryesisht me anë të medikamenteve. Medikamentet për ataket epileptike janë të shumta dhe në varësi të profilit të pacientit, moshës, sëmundjes shoqëruese që ka, bëhet zgjedhja e përshtatshme e medikamentit kundër epilepsisë. 

Një pacient që vuan nga epilepsia quhet i shëruar në qoftë se ka 10 vite pa bërë kriza dhe nëse ka 5 vite pa përdorur medikamente kundër epilepsisë,” thotë Dr. Halili.

Me kujdesin e duhur, epilepsia menaxhohet. Mjafton diagnoza e saktë, trajtimi i vazhdueshëm dhe mbështetja e duhur.

Gazetare: Blerta Cina

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›