Tani që festa europiane e futbollit mbaroi...
Finalja e Euro 2012-ës me kurorëzimin absolut të Spanjës ndaj Italisë i dha fund shfaqjes së ndjekur prej gati një muaji nga e gjithë bota për t’na lënë tani, ne shqiptarëve të paktën, në hallet tona që s’kanë të mbaruar. Ende pa na dalë ai opium i ëmbël i festës së madhe futbollistike të Polonisë dhe Ukrainës, menjëherë, kjo javë do t’na ulë me këmbë në tokë, sepse do të startojë edicioni i ri i Kupave të Europës për klubet, ku përvoja e këtyre viteve për ne ka qenë vërtetë skandaloze. Mendimi i parë që të vjen në prag të ndeshjeve ndërkombëtare për klubet tona, është ai i dështimit të shpejtë të tyre, shoqëruar edhe me frikën e humbjeve të thella, siç ka ndodhur shpesh këto kohët e fundit. Duket tepër e largët, gati si e një tjetër bote, ajo periudhë e bukur kur “Flamurtari” i Vlorës kalonte deri në turin e tretë të një kupe Europe, apo kur luante me dinjitet dhe eliminohej vetëm me gol në fushën kundërshtare, pas dy barazimeve ndaj Barcelonës së famshme të Zubizaretës e Geri Linekerit me shokë. Asaj kohe të largët të para një çerek shekulli i takojnë edhe ato rezultate të “17 Nëntorit” (FK Tiranës) kur eliminonte kampionen e Rumanisë, ngjarje këto që duken të pabesueshme për brezin tonë të ri që tek futbolli ynë i sotëm sheh një situatë kaotike dhe krejt të pashpresë. Nuk janë pak, por më shumë se dy dekada që klubet tona në pjesëmarrjen e tyre të rregullt e të vazhdueshme nëpër kupat e Europës, paraqiten keq e më keq, aq sa është e vështirë të orientohesh në pyllin e dendur të humbjeve dhe eliminimeve që kanë pësuar. Dhe kjo është duke ngjarë pikërisht në periudhën më të mirë të ekzistencës së tyre, në kohën e parasë e të ekonomisë së tregut, kur edhe zgjedhjet e mundësitë për zhvillim janë shumë më të mëdha se në të kaluarën, kohë në të cilën centralizmi dhe fukarallëku zotëronin çdo qelizë të jetës sonë!
Pa dashur të tregohem optimist artificial, siç bëjnë shumë prej atyre që këndojnë të njëjtin avaz me institucionin përkatës, duke e mikluar kot së koti këtë futboll që më shumë lëngon se sa rritet, jam i detyruar të ribëj edhe njëherë pyetjet, që ende kanë mbetur pa përgjigje, se: Kujt rruge i është futur ky futbolli ynë i klubeve, si po ecën ai deri tani dhe çfarë modeli është duke ndjekur? Rasti i “F.K. Tiranës”, më i vjetri dhe më i suksesshmi në futbollin tonë, është më tipiku për të parë gjendjen e tij të vërtetë sot, por edhe të ndonjë tjetri që gjithashtu, me statusin e ngatërruar që paraqesin, nuk duket të jenë as mish dhe as peshk!? Është një situatë e tillë për to që ngjanë sikur të jenë duke ndjekur një rrugë tipike socialiste në veprimtarinë e tyre, ndërkohë që prej vitesh, tashmë, jemi futur në një rrugë kryekëput kapitaliste. Them kështu sepse ashtu siç po përpiqet të ecë Tirana, që nga sezoni i kaluar dhe ky i riu që pritet të nisë së shpejti, kur duket sikur nuk ja ka nevojën sponsorëve, derisa i nxjerr jashtë loje ata(!) dhe kërkon t’i zgjidh problemet e klubit nëpërmjet administratës të Bashkisë, kjo nuk i ngjanë tjetër soji, veçse asaj rrugës socialiste të së shkuarës, kur çdo gjë e zgjidhte shteti, ndërsa të përmendje privatin përbënte një herezi tejet të rrezikshme!!!
Shembulli i “Flamurtarit” që prej disa vitesh drejtohet e financohet nga Bashkia e qytetit të Vlorës me shumicë socialiste mund të mos duket fort i keq për disa kur shohin që kjo skuadër, me gjithë luhatjet e pësuara, ka arritur gjithsesi të jetë pretendente në aktivitetet tona, si dhe të marrë pjesë në kupat europiane, por të mbetesh vazhdimisht në mëshirë të fondeve të një bashkie që burim të vetëm ka taksapaguesit e saj nga populli, kjo nuk është perspektiva e duhur, kur dihet se kapitalizmi është ngulur këmbëkryq në çdo cep të vendit. Në se kryetari i Bashkisë vlonjate ka pasion dhe e ndihmon me shpirt skuadrën e qytetit të tij, çka është treguar me fakte gjithë këto vite, kjo megjithatë nuk është krejtësisht e mjaftueshme për këtë kohë, madje edhe për miliarderin Berluskoni, që për Milanin e tij e ka parë të nevojshme që të mbledhë sponsorë e aksionerë deri edhe nga Shqipëria! Aq më tepër për Tiranën, tashmë me bashki demokrate, mbetja si një ishull i vetmuar, larg aksionerëve dhe sponsorëve që deri dje derdhën shpirtin e sakrifikuan financat e tyre për këtë klub, por që tani duket se kanë mbetur krejtësisht jashtë loje, e gjithë kjo i ngjanë tamam një rruge të vërtetë socialiste, që në kushtet aktuale të ekonomisë së tregut, duket më se absurde! Kur sheh që tjetër status kanë me veprimtarinë e tyre klube të tillë si “Skënderbeu” apo “Teuta”, e tjetër mënyrë organizimi ka “Flamurtari” dhe “Tirana”, atëherë nuk ke se si të mos vëresh se kjo situatë paradoksale, në të cilën ndodhet futbolli ynë, e ka vënë atë në një situatë tepër të vështirë. Me këtë çoroditje dhe kaos organizativ që po shohim, nuk mund të shkohet larg, ashtu siç mund të krijojnë iluzione disa, sidomos pas kualifikimit që ndoshta mund të arrijë Tirana në përballjen me diletantët e Grevenmacher-it të Luksemburgut.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)