E Shtunë, 31 Tetor 2026

Targat diplomatike në qarkullim, ato civile ende

Misionet diplomatike të vendosura në Prishtinë kanë nisur të pajisen me targat e Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se tashmë gjashtë ambasada janë pajisur me targat e reja dhe në procedurë janë edhe të tjerat.

Ndërkohë targat civile të automjeteve me elementet e shtetit të Kosovës ende nuk dihet kur do të lëshohen në qarkullim.

Këshilltarja për media në MPB, Dafina Myrtaj, ka thënë për Kosovapress tha se deri më tani gjashtë ambasada janë pajisur me targat e reja dhe në procedurë janë edhe të tjerat.

“Ambasada e parë që është pajisur me këto targa është ambasada e Francës. Menjëherë pas Francës kanë pasur rastin të pajisen edhe ambasada e Belgjikës, Finlandës, Luksemburgut, Bullgarisë dhe Danimarkës. Po ashtu mund të themi se në proces të furnizimit me këto targa janë edhe disa ambasada që janë këtu në Kosovë dhe po ashtu presim aplikimin e të gjitha ambasadave tjera që janë këtu në Kosovë”, ka thënë Myrtaj.

Targat e reja për misionet diplomatike nuk kanë stemën apo flamurin e Kosovës, por ajo që e identifikon shtetin është mbishkrimi RKS.

Këshilltarja Myrtaj ka shprehur përkushtimin e MPB-së për pajisjen e të gjitha misioneve diplomatike me targa të Kosovës.

“Pasi që ka filluar kjo procedurë, besojmë se shumë shpejtë të gjitha ambasadat do të pajisen, mirëpo nuk e kemi një limit të caktuar kohor. Është përkushtim i MPB-së që të gjitha ambasadat që janë në Kosovë të kenë sa më shpejtë këto targa” është shprehur ajo.

Ndërkohë edhe pse në vazhdimësi ishte premtuar se targat e reja të automjeteve me shkurtesën RKS, do të lëshohen në qarkullim për të gjithë qytetarët, ato ende nuk janë gati, pasi disa herë janë anuluar tenderët për prodhimin e tyre.

Zyrtarët e MPB-së thonë se është hapur prapë tenderi për targat e automjeteve të civile dhe pas procedurave pritet të shpallet fituesi.

Tenderi për targat e reja të automjeteve civile të Republikës së Kosovës, është anuluar tri herë radhazi për shkak të parregullsive, ndërkohë që për të katërtën herë ishte rihapur më 21 qershor.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›