E Diel, 1 Nëntor 2026

Tarifat e reja të energjisë, ERE: Vendimi merret javën tjetër

08/12/2011  Nuk pritet rritje për konsumatorët. Sokol Ramadani: Ja pse u shty mbledhja

Bordi drejtues i Entit Rregullator të Energjisë do të marrë në mes të javës së ardhshme vendimin për çmimet e reja të energjisë për vitet 2012-2014. kryetari i ERE-s, Sokol Ramadani saktësoi dje se mbledhja është shtyrë për shkak të disa paqartësive në planin e investimeve të HEC-eve: Bistrica, Bistrica 1, Ulza dhe Shkopeti. Sipas tij, Enti Rregullator i Energjisë duhet të rifreskojë të dhënat për planin e investimeve të kompanisë “CEZ Shpërndarje”. Plani i investimeve të kësaj kompanie lidhet direkt me vendimin që do të merret për rritjen e tarifave të energjisë. Në mesditën e djeshme në zyrat e Entit Rregullator të Energjisë u shqyrtua kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë nga tre kompanitë OST, KESH dhe “CEZ Shpërndarje”. Kreu i ERE-s është shprehur edhe më herët se nuk do të ketë ndryshime të mëdha në çmimin e energjisë për konsumatorët fundorë, gjë që është konfirmuar edhe nga deklaratat e ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço gjatë prezantimit të ligjit të ri për energjinë në Kuvend, sipas të cilit nuk do të ketë asnjë rritje të çmimit të energjisë. Aktualisht, çmimi i energjisë për familjarët është 7.7 L/kWh deri në 300 kwh/muaj dhe 13.5 L/kwh mbi këtë kuotë. Ajo që pritet është vetëm një rishqyrtim i çmimeve të shitjes mes KESH-it dhe “CEZ Shpërndarje”. Kërkesë për rritjen e energjisë është bërë nga tre operatorët, KESH, CEZ dhe OST-ja. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare kërkoi që çmimi i energjisë elektrike të rritet nga 1.48 deri në 5.05 lekë për kilovat/orë. Ekspertët e KESH-it kanë arsyetuar se fitimi i munguar për vitin 2011, kur ERE nuk mori parasysh kërkesën për rritje të çmimit, duke e lënë në 1,48 lekë/kwh është rreth 9 247 335 000 lekë. Për këtë arsye është e mundshme që çmimi me të cilin KESH-i ia shet energjinë CEZ-it të shkojë nga 1,48 lekë në 3 lekë për kW/orë. Rritje të çmimit të energjisë ka kërkuar edhe kompania “CEZ Shpërndarje” me rreth 4.6 lekë për kW/orë ose me 0 lekë nëse i falen borxhet që i ka shtetit dhe KESH-it. Ndërsa Operatori i Sistemit të Transmetim kërkoi gjithashtu një rritje të çmimit të energjisë elektrike nga 0.6 lekë në 0.73 lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›