E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tarifat e reja të shërbimeve në spitale

06/11/2009  Rriten çmimet e kryerjes së vizitave mjekësore për të gjitha spitalet në vend

Edhe pacientët e siguruar do të paguajnë nëse anashkalojnë sistemin e referimit

Vizitat mjekësore në spitale tashmë do të kushtojnë 30 mijë lekë, në rast se pacienti paraqitet pa rekomandimin e mjekut. Ky rregull nuk do të vlejë vetëm për pacientët e pasiguruar, por edhe për ata pacientë që kontribuojnë në skemën e sigurimeve shëndetësore. Derdhja e tarifës përkatëse për shërbimin nga pacientët që janë pjesë e skemës së sigurimeve do të bëhet vetëm në rastet kur këta të fundit do të shkojnë në spital duke anashkaluar sistemin referimit. Megjithatë, çmimet e vizitave mjekësore nuk janë ndryshuar vetëm për spitalet e poliklinikat në kryeqytet, por edhe ato të rretheve. Në secilin prej institucioneve do të ushtrohen edhe kontrolle të rrepta nga grupet e ekspertëve për të parë zbatueshmërinë e urdhrit më të fundit. Megjithatë, specialistët e shëndetit publik në Ministrinë e Shëndetësisë pohojnë se rritja e çmimeve do të ndihmojë në zbatimin e këtij sistemi, si dhe do të sjellë rritjen e numrit të pacientëve të siguruar.

Tarifat

Kostoja e vizitave mjekësore dhe e shërbimeve nuk do të jetë e njëjtë për të gjitha institucionet shëndetësore. Me ngjitjen e hallkave drejt atyre më të specializuara edhe pagesa do të vijë në rritje. Drejtori i shëndetit publik në Ministrinë e Shëndetësi ka pohuar se vizita e thjeshtë te mjeku i familjes do të kushtojë 1000 mijë lekë, kalimi te mjeku specialist do të jetë 150. Ndërsa për spitalet rajonale të rretheve për shërbimet e specializuara pagesa do të jetë 20 mijë lekë për çdo pacient, qoftë ky i siguruar apo i pasiguruar, në rast se paraqitet pa rekomandimin e hallkës së mëparshme, ku faktohet nevoja e trajtimit të specializuar. Ndërsa më kalimin në spitalin universitar kjo pagesë do të arrijë në 30 mijë lekë. Gjithashtu edhe shërbimet më të thjeshta do të jenë të kushtueshme. Kështu, bërja e një injeksioni do të kushtojë rreth 150 lekë. Megjithatë, rritja e tarifave nuk është aplikuar vetëm për vizitat dhe konsultat, por edhe për një sërë shërbimesh të tjera që ofrohen në institucionet shëndetësore të çdo niveli. Lista e plotë e çmimeve për të gjitha shërbimet ka nisur të afishohet në të gjitha pavijonet e spitaleve si dhe ato të qendrave të shërbimit parësor.

Ndëshkimet

Mosrespektimi i sistemit të referimit do të shoqërohet me ndëshkime të forta jo vetëm ndaj bluzave të bardha, por edhe ndaj pacientëve, të cilëve do t’u duhet të derdhin pagesa të larta. Ndërsa për stafet mjekësore që do të evitohen duke lejuar kryerjen e vizitave pa rekomandime në spitale, do të jepet menjëherë masa për largim nga puna. Gjithashtu kjo masë do të jepet dhe në rastet kur mjekët do të thyejnë etikën profesionale apo do të fyejnë pacientët duke mos u dhënë shërbimin e duhur në kohë. Për të ndihmuar në rritjen e kujdesit shëndetësor dhe cilësisë së shërbimit drejtuesit e Shëndetësisë kanë kërkuar nga vetë qytetarët të denoncojnë çdo rast abuziv që do të kryhet ndaj tyre.

Ekzaminimet e shtrenjta

Pacientët që janë të siguruar nuk do të paguajnë koston reale të shërbimit kur paraqiten në spitale për të marrë ekzaminimet e shtrenjta. Këta të fundit, sipas rregullores së aprovuar, paguajnë vetëm 10 për qind të çmimeve, reale që janë publikuar dhe në tabelën e mësipërme. Pacienti që paraqitet ambulatorisht i siguruar duhet të paraqesë këto dokumente për të marrë këtë shërbim: dokumentin e identifikimit (pasaportë ose certifikatë me fotografi), librezën e shëndetit, rekomandim nga mjeku i përgjithshëm dhe ai i familjes. Gjithashtu kërkohet edhe rekomandim nga mjeku i spitalit, rekomandimin e firmosur nga shefi i klinikës. Sipas ligjit, është përcaktuar që pacientët e siguruar do të paguajnë vetëm 10 për qind të çmimit të ekzaminimit, ndërsa ata të pasiguruarit vlerën e plotë të shërbimit. Janë edhe një sërë kategorish të tjera që i përfitojnë këto shërbime falas në masën 100 për qind. Në këtë grup bëjnë pjesë shtresat: fëmijët 0–12-muajsh, invalidët e plotë, invalidët e luftës, veteranët, të sëmurët me TBC e CA. Për këto kategori ekzaminimet e shtrenjta mbulohen nga të ardhurat e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor.

Shërbimet e thjeshta

Rritja e çmimeve është aplikuar për të gjitha spitalet e vendit, qofshin këto universitare apo rajonale. Përkundrejt këtyre rritjeve është miratuar edhe çmimi për shërbimet më të thjeshta. Kështu, bërja e një injeksioni do të kushtojë rreth 150 lekë. Megjithatë, rritja e tarifave nuk është aplikuar vetëm për vizitat dhe konsultat, por edhe për një sërë shërbimesh të tjera që ofrohen në institucionet shëndetësore të çdo niveli. Lista e plotë e çmimeve për të gjitha shërbimet ka nisur të afishohet në të gjitha pavijonet e spitaleve si dhe ato të qendrave të shërbimit parësor.

Mungesa e rekomandimit

Libreza e shëndetit është një dokument mjaft i rëndësishëm, që provon se një person është i siguruar. Pacientët që janë të siguruar, kur shkojnë në spital, përveç librezës duhet të paraqesin dhe rekomandimin e dhënë nga mjeku i familjes. Vetëm në rastet kur faktohet se mjeku i familjes nuk e merr përsipër trajtimin e mëtejshëm pacienti i nënshtrohet vizitës në spital duke mos paguar tarifa. Për rastet e tjera, kur pacientët që janë të siguruar shkojnë në spital pa rekomandim, do të aplikohen tarifat e reja të shërbimeve të miratuara gjatë këtyre ditëve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›