E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia të ndërtojë segmentin brenda qytetit

06/11/2009  Ekzekutivi kërkon të ndërtojë së bashku me Bashkinë unazën e madhe të Tiranës

Berisha: Qeveria është e gatshme të marrë borxhin për këtë pjesë

Qeveria ka dalë garante për të marrë borxh, në mënyrë që Bashkia e Tiranës të ndërtojë atë pjesë të unazës së madhe që kalon në territorin që ajo administron, ndërkohë që pjesën tjetër të këtij segmenti ta ndërtojë vetë. Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se situata mjedisore në kryeqytet është e papranueshme, por nuk ka ndër mend ta përdorë aspak këtë akuzë për qëllime politike, pasi vijimi i replikave nuk zgjidh problemin. Sipas tij, ky problem zgjidhet përmes ndërhyrjes së fuqishme në qytetin e Tiranës. Ai bëri me dije se qeveria i ka propozuar së fundi kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, një ofertë të sinqertë për ndërtimin e unazës së madhe. “Segmentin që është brenda qytetit ta ndërtojë Bashkia dhe ne jemi të gatshëm të marrim borxhin për Bashkinë”, - ka deklaruar ai. Kryeministri theksoi se institucioni që administron kryeqytetin duhet të vetëkufizohet, pasi unaza duhet të ndërtohet. Kreu i qeverisë theksoi se kjo përbën një zhvillim pozitiv në zgjidhjen e problemit madhor të trafikut, që është dhe ndotësi numër një i Tiranës. Për Berishën ndotja nuk vjen nga ndonjë faktor tjetër përveç emetimeve të gazrave që dalin nga makinat që qarkullojnë në rrugët e kryeqytetit, pasi Tirana nuk ka as industri kimike dhe as termocentrale të mëdha. “Tirana ndotjen dy herë më të lartë se qytetet e tjera e ka pikërisht nga trafiku”, - ka deklaruar ai.

Ndërtimi i unazës së madhe ka ngjallur një debat mes qeverisë qendrore dhe Bashkisë së Tiranës. Në mesin e muajit të kaluar kryeministri Berisha ka kërkuar marrjen e masave të shpejta për përgatitjen e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e unazës së madhe të Tiranës, ndërtimi i së cilës do të jepet me koncesion. Sipas tij, ndërtimi i kësaj unaze përbën një domosdoshmëri të madhe. Duke qenë i vetëdijshëm se në ndërtimin e këtij segmenti do të kalohet në zona që janë në administrim të komunave të ndryshme dhe të Bashkisë së Tiranës, kryeministri Berisha nënvizoi se ky projekt madhor infrastrukturor do të realizohet në bashkëpunim me të gjitha qeveritë vendore. Ai theksoi se ky projekt do të realizohet në bashkëpunim me të gjitha qeveritë vendore: me atë të Farkës, të Dajtit, Paskuqanit, Kamzës, me qeverinë vendore të Tiranës, aty ku segmenti kalon në territorin e Bashkisë së Tiranës. Segmenti rrugor i njohur si unaza e madhe e Tiranës do të ketë një gjatësi 30 kilometra dhe sipas kryeministrit është parashikuar të ndërtohet me 8 korsi. Ndërtimi i kësaj vepre në opinionin e kryeministrit Berisha ka rëndësi shumë të madhe për Tiranën, si një nga qytetet me sipërfaqen rrugore më të vogël në Europë dhe botë. Por menjëherë pas kësaj deklarate reagoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ai hodhi poshtë deklaratën e kryeministrit. Sipas tij, Bashkia e Tiranës ka nisur kontaktet me BERZH-in për të përfituar fondet, të cilat do të viheshin në dispozicion të këtij projekti. Kryebashkiaku tha në reagimin e tij se unaza e madhe e Tiranës duhet të ndërtohet nga Bashkia e Tiranës dhe qendrore duhet të mbetet jashtë këtij projekti.

Reforma në shëndetësi prioritet i qeverisë

Gjatë vitit të ardhshëm është parashikuar që qeveria t’i japë Ministrisë së Shëndetësisë një buxhet të konsiderueshëm. Sipas projektbuxhetit, do të ketë një riorientim të të gjitha fondeve në funksion të reformës. Kështu, është menduar të realizohet një skemë e re, sipas të cilës të vendosjen marrëdhënie të reja kontraktuare midis prodhuesve të produkteve dhe blerësve të tyre. Qëllimi i këtyre fondeve të mëdha është ndërmarrja e reformave të domosdoshme në sistemin e shëndetësisë shqiptare, e cila është theksuar shpeshherë se ka nevojë për një rishikim dhe rivlerësim të plotë. Kryeministri Sali Berisha, duke u ndalur në ndërmarrjen e reformave në vend, ka deklaruar dje se reforma e të gjitha reformave do të jetë shëndetësia. “Ky vit shënon një riorientim të fondeve të tëra në funksion të reformës, të cilat përfshijnë si vendosjen e marrëdhënieve të reja kontraktuare midis prodhuesve të produkteve dhe blerësve të tyre, thellimin e këtyre marrëdhënieve, ashtu edhe përpjekjen e madhe për dixhitalizimin e të gjithë sistemit”, - ka deklaruar shefi i ekzekutivit. Kështu, është menduar që në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm për shëndetësinë të vihen në dispozicion fonde që do të bëjnë të mundur një sistem sa më modern dhe më afër interesave të qytetarëve. Në reformat e shëndetësisë theksi është vënë në eliminimin e fenomenit të rëndë të korrupsionit.

Fonde për thellimin e reformave në arsim

Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm arsimi është përcaktuar si një ndër pikat ku do të vazhdojnë financimet e qeverisë. Përmes fondeve që do t’i jepen Ministrisë së Arsimit synohet vazhdimi i investimeve në ndërtimin e godinave të reja të shkollave, ashtu dhe për konvikte. Gjithashtu fondet që do të jepen për arsimin kanë si qëllim thellimin e reformave në arsimin universitar dhe pasuniversitar. Në dokumentin e miratuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë theksi vihet te fakti se arsimi ruan gjithnjë përparësinë e tij në modernizimin dhe shtrirjen në të gjitha ciklet. Kështu, është parashikuar që të merren hapa seriozë gjatë vitit të ardhshëm, në mënyrë që në vitin 2013 qytetarët shqiptarë të jenë të gatshëm për vendimin që do ta bëjë arsimin e mesëm të detyrueshëm. Duke iu referuar kësaj pike, kreu i qeverisë ka pranuar se për këtë do të ketë një debat. “Por mendoj se me moshën e këtij kombi ky është një shërbim që ne i bëjmë. Nuk kemi pse të lëmë fëmijë, të rinj e të reja pa mbaruar shkollën e mesme. Kjo do të na kushtojë më shumë, por është një çmim i dobishëm për t’u paguar”, - ka deklaruar ai. Kryeministri tha se qeveria dërgon në Parlament buxhetin më ambicioz në historinë e saj, “buxhetin e hartuar në periudhën e një stuhie të madhe europiane dhe botërore, buxhetin që premton një realizim më të madh në të gjitha aspektet”.

Rrugët

Projektbuxheti i vitit 2010 do të përdoret në një masë të konsiderueshme për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në vend. Është parashikuar që qeveria të investojë të gjitha fondet që Rruga e Arbrit të mund të përfundojë deri nga fundi i vitit 2011 apo gjysma e vitit 2012. Ky afat mbetet në varësi nga përfundimi i projektit të disa pjesëve mjaft problematike, siç është ura më e lartë e vendit (150 metra e lartë) dhe disa tunele, që kërkojnë kohën e finalizimit të projektimit. Po ashtu në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar që të ecet me shpejtësi në ndërtimin e akseve rrugore që përbëjnë boshtin e Jugut. Ky bosht përbën segmentin e rëndësishëm Tiranë–Elbasan dhe Elbasan–Berat. Kryeministri Berisha tha gjatë mbledhjes së qeverisë se shpreson që nga fundi i vitit të ardhshëm boshti i Jugut të fillojë dhe në trajektoren Berat–Tepelenë.

Zhvillimi rajonal

Për vitin të ardhshëm janë akorduar fonde për institucionin më të ri - Fondin e Zhvillimit Rajonal të Shqipërisë. Kështu, për fshatrat, qytetet, bashkitë, komunat dhe qarqet e vendit do të jetë mobilizimi më i madh i fondeve financiare në historinë e vendit. Kryeministri Berisha tha se shuma prej 400 milionë dollarë e përcaktuar për rrugët rurale po shkon drejt plotësimit dhe se gjatë vitit 2010 kjo shumë do të tejkalohet. Sipas tij, donatorët e udhëhequr nga Banka Botërore “po zgjidhin qesen, grantet dhe donacionet e tyre, çka përbën një avantazh shumë të madh”.

Zhvillimi i bujqësisë

Ministrisë së Bujqësisë parashikohet t’i akordohet një buxhet i madh, përmes të cilit në epiqendër të zhvillimit rural do të jetë fshati, bujqësia dhe problemet e saj. Pretendohet se fondet që do të akordohen për bujqësinë të përbëjnë buxhetin i projekteve të mëdha në fushën e bujqësisë. Kështu, po punohet për konturimin dhe më pas për financimin e këtyre, siç është projekti i ullirit, ku ka një progres substancial në drejtim të finalizimit të këtij projekti dhe fillimit të jetësimit të tij. Gjithashtu vëmendje është vënë te projekti i vaditjes, grantet për nxitje, mikrokrediti dhe fusha të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›