E Diel, 1 Nëntor 2026

Tarifat e telefonisë celulare do të ulen 20%, BB kritikoi qeverinë në qershor

Në mesin e shtatorit të këtij viti tarifat e telefonisë së lëvizshme do të jenë 20 për qind më të ulëta. Ministri i Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, tha dje se në këtë datë do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të miratuara në qershor të këtij viti. Ministri megjithatë tha se liberalizmi i çmimeve do të bëhej, kur një kompani e katërt të nisë punën në këtë treg. Ministri tha se është shpallur kërkesa për shprehje interesi për operatorin e katërt GSM (Global System for Mobile Communication) dhe është përgatitur projektvendimi për rregullat e prokurimit të licencës së katërt. Tregu shqiptar deri më tani ka mbajtur rekorde për tarifa të larta celulare. Ulja e ndjeshme e tarifave dhe përqasja e tyre me tarifat rajonale do të bëhet vetëm në vitin 2009. Sipas ERT, një ulje tjetër me 20 për qind do të aplikohet pas disa muajsh. Në muajin qershor të këtij viti Banka Botërore i bën thirrje Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor të ulin tarifat për shërbimet e telekomunikacionit. Çmimet e telefonisë në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë tri herë më të larta se në Evropë. Çmimet janë tri herë më të larta jo vetëm për thirrjet që bëhen nga Shqipëria drejt vendeve të tjera apo brenda vendit, por edhe për telefonatat që vijnë nga jashtë. Një fakt i tillë sipas raportit është më se i dukshëm. Metodologjia e propozuar nga ERT synon të rregullojë tarifat e interkoneksionit dhe tarifat e përdoruesve fundorë (abonentëve) për të tre operatorët e shpallur si operatorë me fuqi të ndjeshme në treg, siç është AMC, Vodafone dhe Eagle-Mobile. Sipas ERT, rregullimi i tarifave të interkoneksionit është parashikuar të bëhet për një kohëzgjatje prej dy vjetësh, ku në çdo gjashtë muaj do të synohet të reduktohen në masën e 9 %. Kështu, për operatorët e telefonisë së lëvizshme (celularët), vlera maksimale e tarifës për terminimin e thirrjeve në rrjetin e tyre do të pësojë një ulje me 9 për qind për çdo periudhë gjashtëmujore, duke filluar nga vlera 14 lekë për minutë, në 10.55 lekë për minutë. E gjithë zbritja apo ulja në krye të dy vjetëve do të synohet që të jetë në masën e 25 %. Ulje do të pësojnë dhe tarifat e telefonisë fikse. Kështu, të gjithë abonentët e telefonisë fikse “Albtelekom” në fund të vitit 2009 do të kenë një ulje të tarifave të thirrjeve të tyre në masën nga 24 për qind të telefonatave lokale, në 42 për qind të telefonatave kombëtare. E thënë ndryshe, të gjitha telefonatat lokale në fund të vitit do të kenë një zbritje nga 0.92 në 07 lekë për minutë. Ndërsa thirrjet kombëtare do të pësojnë një ulje nga 1.81 lekë për minutë që janë aktualisht, në 1.06 lekë. Gjithashtu ulje do të kenë dhe tarifat e thirrjeve ndërkombëtare nga 2.3 lekë për minutë, që janë aktualisht në 1.54 lekë. Metodologjitë e miratuara në muajin qershor të këtij viti nga Këshilli i Ministrave parashikojnë reduktimin e shpenzimeve të konsumatorëve me 20 % brenda vitit 2008 dhe një reduktim mesatar të mëtejshëm me 20% brenda vitit të ardhshëm. Kjo do të sjellë një ulje mesatare në total prej 36% në vitin 2009 në krahasim me shpenzimet aktuale. Metodologjitë kanë për qëllim që tarifat e vendosura nga operatorët me fuqi të ndjeshme në treg (Albtelekom, Vodafone Albania, AMC ), të jenë të orientuara drejt kostos, të jenë transparente, të mos jenë diskriminuese dhe të garantojnë trajtim të barabartë për operatorët dhe pajtimtarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›