E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitoren e demokratëve e sjell emancipimi i PD dhe jo sistemi zgjedhor

Rolit që do të luajë sistemi në zgjedhjet e ardhshme politike po i jepet një peshë që në fakt ai nuk e ka. Kjo është veçanërisht e vërtetë për kampin e djathtë, ku edhe diskutimi i tij, pra i Kodit Zgjedhor, në fakt, po bëhet më i qetë. Qetësia, megjithatë, nuk të krijon përshtypjen që politikanët e PD e kanë kuptuar se sistemi i zgjedhjeve nuk është aq i rëndësishëm për ta. Kjo qetësi prishet herëpashere nga prononcimet e aleatëve të vegjël, veçanërisht të PDR, e cila mundohet të krijojë përshtypjen e kundërt, atë që aleancat në zonën e djathtë të politikës janë më të thjeshta për t’u bërë se ato në zonën e majtë dhe është pikërisht kjo një arsye esenciale pse fitorja është më e lehtë për t’u arritur. Edhe mund të shkrihemi, ka thënë një nga dy drejtuesit e kësaj partie, duke nënkuptuar përfundimisht se bashkimi, qoftë koalicion i përbërë apo shkrirje, është një kontribut i tyre dhe në fund të fundit është thjesht matematikor, d.m.th., vlerat mblidhen, shtohen dhe së bashku me to edhe votat. Ai, por edhe të tjerë, harrojnë që në këtë botë, dhe veçanërisht në politikën shqiptare, ka edhe antivlera, pra vlera negative, që në rast bashkimi nuk mblidhen, por zbriten, duke bërë që bashkimi të jetë më i pavlefshëm në sytë e shqiptarëve sesa kur forcat politike, konkretisht PD të konkurronte e veçuar. Ky fenomen i pritshëm, i vënë re edhe nga analistët, anashkalohet nga partitë aleate të PD, me synimin kryesor për të siguruar mbijetesën në zgjedhjet e ardhshme. Lufta për mbijetesë është normale dhe prandaj ky qëndrim i PDR apo edhe i ndonjë partie tjetër nuk duhet konsideruar shqetësues. Shqetësuese për demokratët duhet të jetë pritja me indiferentizëm e shkrirjes apo e koalicionit me parti si PDR, konsiderimi i këtij kombinacioni si një rrugë e zgjuar, si një As nën mëngë, që do të përdoret nga autoritetet kryesore politike të PD për të fituar zgjedhjet politike. Ndikimi i aplikimit të këtij apo atij sistemi zgjedhor në rezultatin e zgjedhjeve, pra në madhësinë e mbështetjes popullore, në të gjitha rastet është një fraksion i parëndësishëm në krahasim me atë mbështetje popullore që PD e ka humbur gjatë viteve, që nga koha e fitores së saj të parë politike. Humbja e kësaj mbështetjeje, që llogaritet të jetë më shumë se gjysma e mbështetjes së saj fillestare, është gjigante, e pakrahasueshme me atë që mund të fitohet ose të humbet në zgjedhjet e ardhshme për shkak të natyrës së sistemit të aplikuar zgjedhor. Prandaj, vëmendja e sotme politike e PD ose më mirë e autoriteteve politike të saj është thellësisht e gabuar. Ajo është e orientuar drejt një faktori të parëndësishëm, duke lënë mënjanë identifikimin e faktorëve që kanë çuar në zvogëlimin dramatik të PD gjatë viteve. Ka shumë pak shanse që ky çorientim politik të jetë i rastësishëm, por janë të gjitha shanset që çorientimi i kësaj radhe të ndihmojë demokratët e hutuar dhe të pahutuar, të lënë mënjanë apo të afruar, të zhgënjyer apo optimistë, të kuptojnë më së fundi se çfarë nuk shkon me PD, çfarë i duhet asaj në të vërtetë për t’u përgatitur realisht për zgjedhjet e ardhshme politike.

Sinergjizmi dhe qëndrimi i PD ndaj koalicioneve apo shkrirjeve

Presidenti Bush e filloi fushatën për mandatin e tij të dytë me idenë që të zgjeronte programin e konkurrimit, pra të dilte nga kufijtë e një programi strikt konservator, me shpresën që do të tërhiqte më shumë amerikanë, veçanërisht ata që luhateshin midis kampit republikan dhe atij demokrat. Kjo do të thoshte që ai nuk duhet të qëndronte strikt në çështje të tilla të ndjeshme për konservatorët, si qëndrimi ndaj familjes, ndaj çështjes së etikës së kërkimit shkencor duke vrarë qelizat primare të embrionit njerëzor dhe në çështjen e martesave midis partnerëve që nuk lënë pasardhës. Por shumë shpejt ekipi i tij e këshilloi që ai t’i rikthehej menjëherë bazës tradicionale të konservatorëve, sepse dalja nga kufijtë e programit tradicional po sillte humbjen e më shumë votuesve të sigurt konservatorë sesa afrimin e votuesve të luhatur. Zgjerimi i programit bashkonte pjesë që eliminonin njëra-tjetrën, pra ky bashkim nuk ishte sinergjik, domethënë nuk thithte më shumë votues, përkundrazi, më pak sesa ndarja e qartë programore. Presidenti Bush fitoi bindshëm, sepse ekipi i tij e kuptoi shpejt mungesën e efektit sinergjik apo atë sinergjizëm negativ që u shfaq në fillim të fushatës së tij.

Koalicioni i sotëm qeverisës, që në njëfarë mënyre origjinon nga koalicioni politik i zgjedhjeve të mëparshme, ka dëshmuar se si ekzaktësisht nuk duhet qeverisur në Shqipëri. Në shumë raste ai është ndërtuar mbi një sinergjizëm negativ, sepse janë bashkuar forca politike me interesa që nuk e forcojnë, përkundrazi, e dobësojnë energjinë qeverisëse. Përbërësit e sotëm të koalicionit të djathtë e kanë përdorur pushtetin jo aq për qeverisjen se sa për forcimin e partive të tyre pothuajse inekzistente, ndërsa përgjegjësia e mosqeverisjes, automatikisht dhe në përputhje me mentalitetin shqiptar, ka rënë mbi PD. Energjia e koalicionit ka shkuar për forcimin e partive aleate dhe dobësimin politik të PD, ndërsa shqiptarët janë qeverisur më keq nga sa mund të qeveriseshin nga PD dhe pa aleatët. Nga ana tjetër, partitë aleate nuk kanë qenë të interesuara të zbatonin pjesë të rëndësishme të programit politik të PD, p.sh., i tillë ka qenë Ligji 7501 apo programi i legalizimeve për republikanët, decentralizimi dhe vendosja e marrëdhënieve të reja në arsim për PDR apo trajtimi i mjedisit si një faktor që modifikon shumë parametra ekonomikë të vendit për PA. Prandaj, bashkimi i tyre nën një program qeverisës ka prodhuar një qeverisje më të keqe nga sa mund të ishte qeverisja e PD pa koalicionin. Kjo eksperiencë e hidhur do të përkthehet në më pak vota për koalicionin e djathtë në zgjedhjet e ardhshme, nëse ky i fundit ndërtohet sipas shëmbëlltyrës së qeverisjes së deritashme. Më së fundi, ajo që vërtet do të bëjë që e tëra të jetë shumë më e vogël se shuma e pjesëve veç e veç, pra që koalicioni të marrë shumë më pak vota nga sa do të merrte PD pa të, janë shembujt skandalozë të trajtimit të arsimit nga përfaqësuesi i PDR, të shëndetësisë nga përfaqësuesi i PDK, apo të PR në skandalin mesjetar të armëve. Qeverisja mizerabël e aleatëve kthehet kështu në një kërcënim serioz në betejën e PD në zgjedhjet e ardhshme.

Emancipimi i PD përkundrejt sistemit zgjedhor

Ndikimi i sistemit zgjedhor në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme politike është një faktor i dorës së dytë në krahasim me ndikimin që do të kishte në këtë rezultat emancipimi i PD, që fatkeqësisht ka degraduar me kohën, që prej themelimit të saj. Logjikisht, kjo do të thotë që nuk është aq shqetësuese se si mund të mbledhësh votat e së djathtës përmes një koalicioni, qoftë ky edhe pa efekt sinergjik; pra nuk është aq shqetësues sistemi zgjedhor se sa të dish pse i ke humbur votat gjatë viteve dhe si mund të ndryshosh veten që t’i rikthesh ato. Në thelb, degradimi i asaj baze morale dhe emancipuese, mbi të cilën u themelua, PD ndodhi gradualisht dhe si në të gjitha rastet, nëpërmjet deformimit të raporteve midis kontrollit të plotësimit të përgjegjësive dhe prishjes së ekuilibrit të pushteteve. Pushteti i shpërndarë fillimisht midis autoriteteve dhe strukturave të partisë filloi gradualisht të thithet në qendër dhe të akumulohet në pak duar, duke përjashtuar të tjerët dhe duke i kthyer individët dhe strukturat e partisë në “ekzistenca” pa funksion, në spektatorë të thjeshtë, me të cilët mund të ndash vetëm humbjen. Zhbalancimi i pushtetit automatikisht solli edhe pamundësinë e raportimit dhe të kontrollit të plotësimit të përgjegjësive apo të mënyrës së përdorimit të pushtetit, që nga ana e vet, gjeometrikisht progresoi një akumulim të mëtejshëm ekstrem të pushtetit, veçanërisht në duart e kryetarit të partisë. Një “shpërfytyrim” i tillë institucional i asaj partie që udhëhoqi shkëputjen nga e shkuara totalitariste, pra që në thelb udhëhoqi krejt procesin e emancipimit të shoqërisë shqiptare dhe ndarjen me diktaturën, është arsyeja themelore pse PD e ka humbur imazhin e saj emancipues, është zvogëluar në vite dhe njëkohësisht edhe arsyeja themelore pse PD nuk mund të futet kështu në zgjedhje. Që të futet në zgjedhje dhe t’i fitojë ato, PD duhet të japë sinjale të forta që po ndryshon, d.m.th., që po shkëputet nga praktikat e vjetra që karakterizojnë forcat politike të një vendi jodemokratik. Thjesht, PD dhe veçanërisht autoritetet e saj politike duhet të japin sinjale të forta të fillimit të procesit të emancipimit të vetvetes dhe të paktën në dy drejtime.

Niveli i aplikimit të demokracisë në parti, veçanërisht përpara zgjedhjeve politike, në radhë të parë ka të bëjë me përcaktimin e një mandati legjitim të ekipit dhe të kryetarit të partisë që do të udhëheqin fushatën. Ai ekip dhe ai kryetar që nuk merr votat brenda partisë, nuk mund të jetë i suksesshëm në marrjen e votave të shqiptarëve. Nga ana tjetër, procesi i mandatimit të secilit aktor të rëndësishëm të fushatës nëpërmjet konkurrimit para zgjedhjeve politike, sipas parimit ‘Një anëtar, një votë’, sjell automatikisht edhe unifikimin e PD, duke eliminuar konfliktet, pra fërkimet që sjellin një harxhim të panevojshëm të energjisë. Në qoftë se nuk ndodh kjo, pra në qoftë se nuk ndiqet kjo rrugë, atëherë pritet të ndiqet tjetra: kryetari i PD dhe njerëz pranë tij do të mandatojnë ata që do të përfshihen në fushatë, pasi kanë zhvlerësuar propozimet e ardhura nga rrethet apo qarqet. Kjo gjë, në mungesë të konkurrimit, dhe veçanërisht nëse ndodh shkrirja e PD me PDR, do të krijojë një gjendje alarmante, në të cilën dëshira për fitore do të zëvendësohet nga pakënaqësitë e pafund, koordinimi në ekip do të zëvendësohet nga mllefet dhe bashkëpunimi me krisjet dhe zbehjen e komunikimit. Me një parti të tillë nuk fitohen zgjedhjet, prandaj praktika e zgjedhjeve, sipas modelit ‘Një anëtar, një votë’, nëpërmjet konkurrimit dhe duke përfshirë të gjithë autoritetet politike të partisë pa asnjë përjashtim duhet të jetë sinjali i parë që PD duhet të emetojë drejt anëtarësisë së saj dhe votuesve në përgjithësi.

Sinjali i dytë që do të qe mjaft efektiv në kthimin e votave të humbura gjatë viteve, pra në rikthimin edhe njëherë të një mbështetjeje popullore, është edhe vendosja e raporteve të drejta institucionale shembull edhe për pjesën tjetër të shoqërisë midis PD dhe njerëzve që punojnë për të. Prirja për t’u marrë me njerëz të veçantë, tek më tek dhe mbi bazë të njohjeve personale, prirja për të gërmuar në historitë e tyre, për të njohur dobësitë, ato që iu mungojnë dhe mbi këtë bazë të ndërtosh rregullat, standardet, modelet e afrimit selektiv të tyre, është një prirje që prej kohësh është kthyer në atavizëm në shoqëritë demokratike dhe sistemet pluraliste. Kjo prirje duhet më së fundi të zëvendësohet me të kundërtën e saj. Në fillim përcaktohen rregullat, standardet dhe mbi të gjitha, baza morale dhe ideologjike. Vetëm pas kësaj kërkohet për njerëzit, individët, që i plotësojnë ato. Humbja e këtij sensi për shkak të një pragmatizmi vulgar në sjelljen e autoriteteve të partisë ka sjellë edhe distancimin e shumë demokratëve dhe akoma më keq, largimin e një numri të madh votuesish, ka sjellë zvogëlimin dramatik të bazës popullore të PD. Por një gjë është e sigurt, ata nuk shkuan te një parti tjetër. U distancuan me dinjitet, kokëlartë, të heshtur dhe formuan partinë në hije, por më të madhen në Shqipëri, partinë e atyre që nuk votojnë. Ata mund të rikthehen, vetëm nëse e kapin këtë sinjal dhe binden që ai është i vërtetë, jo i emetuar vetëm për qëllim elektoral.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›