Zbulohet përmbajtja e letrës në shishen e doktorit në Dajt
Kryeministri, Sali Berisha, ka dalë të dielën shëtitje në malin e Dajtit me djalin e tij, Shkëlzenin. Shëtitja ka zgjatur rreth dy orë dhe është filmuar vetëm nga një kamera amatore e familjes dhe pastaj është shpërndarë nëpër televizione. Kamera natyrisht nuk ka mundur të filmojë detajin më të rëndësishëm të kësaj vizite, atë të varrosjes së një shisheje me një mesazh që Berisha ia ka lënë amanet djalit ta zbulojë në vitin 2020. Flamuri, i cili organizon udhëtimet e doktorit, ishte i mërzitur, pasi dje nuk e kishin marrë me vete.
- Nuk do kishte takim me njerëzit, - tha, - dhe më tha doktori “nuk është e nevojshme të vish”. Por unë e bëra timen, i ndoqa me makinë nga pas, se kam merak mos ndodhte ndonjë gjë. Ndalesën e parë e bënë sa kalon kthesën e parë të Linzës. Aty është një vilë e madhe e bardhë, trekatëshe, me rreth 2 mijë metra sipërfaqe ndërtimi. Zeni hapi derën e vilës dhe ia prezantoi doktorit. Është vila më e bukur, kur ngjitesh në Dajt. Doktori u surprizua se nga e kishte gjetur çelësin i biri. Vila ishte shumë luksoze dhe e pajisur sikur jetohej përditë. Ka një restorant që mund të hanë një mijë vetë. Pastaj, ka një kat tjetër që i bie të jetë rrafsh me tokën nga rruga ku është holli i pritjes për kokteje. Më lart, ishte një kat hoteleri.
- E kujt është kjo vilë, Shkëlzen? - i tha doktori.
- E jona është, - i tha Zeni. - Ma ka falur daja i nuses. Ti e di që ai është i pasur. Erdhi para tri vjetësh, e ndërtoi dhe më la çelësat. Më ka thënë “përdore sa herë të duash, është juaja. Për ju e kam bërë”.
Pastaj vazhduan rrugën për në Dajt. Ndalën te parku ‘Dajti’, te ndërtesa e bukur që ka bërë familja e kryetarit aktual të komunës. Doktori hezitoi të futej, por Zeni i tha “futu”.
- Është socialist, po është burrë i mirë, - i tha. - Ne na ka ndihmuar. Se dua të të tregoj pak ku e ka blerë tokën Argita. E ka në vend të mirë. Ja, shiko përballë, ku duket ajo shtëpia e madhe e bukur. ....Ajo është e Besnik Mustafajt. Pak më tutje, tek ajo lëndina ...ja aty. Aty e ka. E ka në vend të mirë.
Doktori u kënaq shumë.
- Në vend shumë të mirë e paska, - tha.
Pastaj u ngjitën lart te tarraca e Dajtit. Aty ndodhi dhe surpriza. Doktori nxori nga xhepi një letër dhe kërkoi shishen e qelqit që kishte në makinë. Ia çuan.
- Këtu, - tha, - kam një letër që do të hapet pas 20 vjetësh. Dua ta varrosim në një vend të sigurt. Them ta varrosim këtu, - tha.
Shkëlzenit në fakt nuk i pëlqeu vendi.
- Po kjo s’është toka jonë, - tha. - S’dihet, vjen njeri dhe na bën ndonjë ndërtim dhe si ta gjejmë pas 20 vitesh?
- Mos ki merak, nuk lëmë njeri të ndërtojë, - tha. - Kështu do jetë dhe pas 20 vjetësh.
- OK, - tha Shkëlzeni, - ndryshe i bie më mirë ta blejmë, ta kemi dhe si tokë.
- Jo, jo, s’ka nevojë. Mjafton ta mbani mend vendin.
- Po çfarë mund të ketë në shishe, di gjë ti? - e pyetëm Flamurin.
- Vallahi, nuk di gjë, po ai burri s’e ka bërë kot atë. Ka shumë koincidenca viti 2020. Së pari, është viti kur na është premtuar se do hyjmë në Bashkimin Evropian dhe kjo do të jetë një arritje e madhe. Së dyti, është viti kur PD mund të vijë në pushtet sërish, po humbi zgjedhjet e 2009.
Unë e lexova me bisht të syrit një pjesë nga letra. Po ua jap, po mos tregoni gjë. Ja se ç’thotë:
“Kam dash ta ruaj të fshehur këtë mesazh për 12 vjet, për një arsye madhore. Punët e mëdha janë si lartësitë e mëdha, që sa më larg t’i shohësh, aq më të mëdha duken. Dhe unë kam dash t’u them se punët që kam bërë në mandatin tim nga vitit 2005-2009 janë shumë të mëdha për t’u dukur në kohën që jetojmë. Për këtë arsye po gropos këtë mesazh për ta gjykuar këtë punë pas 12 vitesh. E di që do të duket krejt ndryshe dhe do të më jepni të drejtë. Ju kujtohet atëherë në vitin 2008, kur shumë njerëz deshën të na akuzonin ne si familje se ishim të përzier në historinë e Gërdecit? Pas 12 vitesh të gjithë janë të bindur se jemi të pafajshëm, madje jemi viktima të asaj tragjedie. Të gjithë kujtojmë me respekt të dashurit e familjes sonë që humbën jetën aty. Një femër që u bë vegël e mafies si kryeprokurore u shkarkua me turp dhe mori përgjigjen që meritonte. Gjykata e Lartë, e cila donte ta njolloste familjen, e mori përgjigjen. Presidenti i asaj kohe, një axhami që e zgjodhëm se nuk na duhej më në parti, po ashtu e mori leksionin e duhur nga Partia Demokratike. Të gjithë ata që u përpoqën të na hidhnin baltë, tashmë nuk ekzistojnë më. Një nënkryetar KLD, që e përdorte presidenti si vegël, u shkarkua dhe mori përgjigjen që meritonte. Opozita e asaj kohe, megjithëse korrekte në përgjithësi, ka pasur disa teprime, por koha tregoi se reagimi im ishte me vend dhe ata e mbyllën gojën. Disa diplomatë perëndimorë, që nuk ua mbante të flisnin hapur, por thërrisnin ca spiunë nëpër ambasada, morën përgjigjen e duhur. Vërtet na penguan disa vite për t’u futur në NATO, po më mirë vonë sesa në mëshirën e atyre. Lufta që nisëm atëherë kundër korrupsionit dha fryte të mëdha. Pas 12 vitesh askush nuk vjedh më pa leje dhe pa e meritue. Pas 12 vitesh të gjithë jemi të bindur në drejtësinë e vendimeve tona të asaj kohe dhe madhështinë e punëve që kemi ba. Pas 12 vitesh ARMO është ba një ndërmarrje e fuqishme dhe ata që akuzuan atëherë time bijë të përfshirë në skandalin e privatizimit, gabuan. Sot, ajo është e vetmja në treg dhe askush nuk shet dot naftë pa lejen e saj. Sot që po e hapim këtë letër, jemi të lumtur që kemi ditur të bëjmë atë që duhet, duke mbështetur qeverinë time, pavarësisht hezitimeve që kanë pasur njerëzit gjatë këtyre viteve për të na votuar. Është dita për ta festuar dhe për ta çuar më tej këtë histori të nisur me aq mundim e sakrifica....”