Tarifat e ujit, ulet çmimi 6 muaj pas vendimit
Në mbledhjen e ditës së djeshme qeveria ka miratuar uljen e tarifave të ujit, vendim i marrë që në qershor
Biznesi ka bërë të ditur se ligji që miratoi qeveria në datën 7 qershor 2007, nuk u fut në zbatim
Pas një vonese prej rreth 6 muaj që nga vendimi i marrë, qeveria ka miratuar uljen e tarifave të ujit teknologjik. Sipërmarrja ka denoncuar vazhdimisht gjatë këtyre muajve këtë vendim që nuk ishte vënë në zbatim që prej muajit qershor, duke sjellë humbje të mëdha financiare për sipërmarrjen. Pas një sërë deklaratash publike të qeverisë, se do të vendosë 1 Euro të gjitha pagesat që do të bëjë biznesi, erdhi edhe një nga vendimet e pakta të kësaj nisme që u mirëprit nga ana e sipërmarrjes. Qeveria vendosi që në muajin qershor uji teknologjik të paguhej nga biznesi për 1 Euro, por deri më sot ky vendim nuk është zbatuar ndonjëherë. Sipas sipërmarrësve të kësaj fushe, mos zbardhja e këtij vendimi nga ana e qeverisë ka bërë që biznesi të paguajë një kosto prej miliona eurosh, të cilat vilen në mënyrë të padrejtë nga ana e buxhetit të shtetit. Deri tani çdo industri shqiptare që përdor ujin e puseve, duhet që të paguajë çdo vit një kosto që shkon mbi 100 mijë euro, ndërkohë që industrialistët në Itali nuk paguajnë për këtë mall më shumë se 900 euro. Industrialistët i kanë bërë thirrje vazhdimisht qeverisë, që të kërkojë nga ana e Këshillit Kombëtar të Ujit që të zbardhë sa më parë këtë vendim dhe njëkohësisht nga qeveria, që të miratojë këtë vendim të rëndësishëm për fatin e kësaj industrie. Nisma "1 Euro" ishte një nga projektet më të mëdha të qeverisë, që mbeti vetëm në letër. Nëse i hidhet një vështrim investimeve të huaja në vend, gjatë këtij viti, ato mbeten në nivele tepër të ulëta. Nëse krahasohemi me vendet e Rajonit, shifra është disa herë më e vogël. Nga ana tjetër edhe raportet e publikuara nga institucione prestigjioze, si Banka Botërore, tregojnë se klima e biznesit në vend është përkeqësuar. Duke iu referuar këtij vendimi, kryeministri Berisha tha se tarifa e përdorimit të ujit, në shumë raste është nën 1 Euro, në disa raste të tjera dalin mbi një euro, por mesatarja e tyre është 1 Euro. Vendimi, me përcaktimin e tarifave për përdorimin e ujit, ka si qëllim të vlerësojë ekonomikisht ujin, këtë pasuri kombëtare, me synim zhvillimin e bizneseve të lidhura me të dhe disiplinimin e përdorimit të tij, duke i pajisur subjektet, që zhvillojnë këto biznese, me leje përdorimi ose koncesionare, gjë që do të ndikojë dukshëm në rritjen e të ardhurave nga ky sektor.