E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i Biznesit edhe në Dhomat e Tregtisë

Me anë të një vendimi të marrë gjatë ditës së djeshme, qeveria ka vendosur që në të gjitha Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë të ofrohet edhe regjistrimi i Biznesit. Me anë të vendimit të miratuar dje bëhet e ditur se Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Biznesit ofron shërbimin ndaj publikut edhe nëpërmjet sporteleve në Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, në qarqe, në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Të gjitha shpenzimet për hapjen, funksionimin dhe mirëmbajtjen e sporteleve do të mbulohen nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe dhomat e tregtisë dhe industrisë, në qarqe. Por çfarë parashikon ligji dhe Rregullorja për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit dhe afatet që ajo duhet të plotësojë në rast pranimi të regjistrimit të një biznesi. Pas lëshimit të konfirmimit për aplikim, aplikimi dhe dokumentet shoqëruese, shqyrtohen për vendimmarrje nga nëpunësi i autorizuar i QKR-së (regjistruesi). Nëse pas verifikimeve, regjistruesi konstaton se aplikimi është në përputhje me kërkesat e ligjit, brenda afatit maksimal prej 1 dite nga paraqitja e aplikimit ai miraton: kryerjen e regjistrimit, lëshimin e Numrit Unik të Identifikimit (NUIS), gjithashtu i njohur si NIPT, vërtetimin e kryerjes së regjistrimit dhe lëshimin e certifikatave të regjistrimit (në rast kur biznesi regjistrohet). Këto certifikata (një për çdo vend ku biznesi kryen aktivitet) mund të merren nga aplikanti (ose person i autorizuar) në çdo sportel shërbimi të QKR-së, si edhe kryerjen e publikimit elektronik të regjistrimit në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Regjistrimit të QKR-së, e cila mund të shihet në faqen zyrtare të internetit të QKR-së ditën pas miratimit të regjistrimit. Plotësimi i regjistrimit dhe lëshimi i Certifikatës së Regjistrimit, janë evidenca e aplikantit për regjistrimin e biznesit, për regjistrimin fiskal të biznesit (Tatim-Taksa), për regjistrimin në sigurimet shoqërore, për regjistrimin në Sigurimet Shëndetësore, si dhe regjistrimin me autoritetet e Inspektoratit të Punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›