Tash edhe spiunët

Shteti i Kosovës edhe publikisht e konfirmoi se janë në zor nga përgjimet. Madje kjo doli nga goja e vetë Bajram Rexhepit, ministrit të Punëve të Brendshme.
Në raste të tilla, dikush do të duhej të jepte përgjegjësi. Nëse vetë ministri i Punëve të Brendshme ankohet se nuk po mund të bëjë asgjë pa u përgjuar, atëherë duket se puna nuk është hiç mirë.
Për më tepër, ekspertët e sigurisë thonë se dihet prania e përgjimeve nga ana e shërbimeve të huaja sekrete, që veprojnë në numër të madh në Kosovë që nga viti 1999.
Por edhe më e keqja në këtë rast është se ata thonë se nuk mund të bëhet asgjë që ato të ndalohen.
Sipas tyre, nëse zyrtarët e vendit duan të bëjnë diçka serioze, telefonat duhet t’i hedhin në shportë mbeturinash.
Madje, as letrat nuk bëjnë punë. Edhe ato mund të lexohen. Kështu, mundësia e vetme mbeten takimet kokë më kokë.
Rexhepi nuk i ankohet EULEX-it
Ministri Rexhepi u ankua të hënën në Komisionin për siguri dhe punë të brendshme të Kuvendit të Kosovës, se bisedat e tij më kryeministrin Hashim Thaçi, janë duke u përgjuar.
“Bisedat e mia me kryeministrin Thaçi përgjohen nga ndërkombëtarët, e më pas edhe dekonspirohen. Në të kaluarën, ka pasur bashkëpunëtorë nga UNMIK-u që kanë bashkëpunuar me strukturat ilegale. Për këtë arsye, është planifikuar shpejt aksioni në Veri”, ka thënë Rexhepi para këtij komisioni.
Por kjo duket të jetë hera e parë që një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës ankohet për këtë problem. Së paku publikisht.
Zyrtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) thotë se ata nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga ministri Rexhepi në lidhje me këtë çështje.
“Përgjimi i telefonatave, si një mjet hetimor në një rast hetimor, mund të bëhet vetëm nëse gjyqtari i Procedurës Paraprake e miraton kërkesën e prokurorit të ngarkuar me atë rast”, thotë Blerim Krasniqi, një nga zëdhënësit e EULEX-it.
Ai për Express sqaron qëndrimin e këtij misioni sipas të cilit, “kjo masë është e parashikuar në nenin 258 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”.
“Si gjykatësit, ashtu dhe prokurorët e EULEX-it i përmbahen këtij legjislacioni gjatë kryerjes së detyrave të tyre përkatëse. Por as Prokuroria Speciale, e as Zyra e kryeprokurorit të EULEX-it nuk kanë pranuar ndonjë ankesë nga z. Rexhepi lidhur me këtë çështje”, thotë zëdhënësi Krasniqi.
Por këto procedura i dinë gati të gjithë. Madje edhe Policia e Kosovës konfirmon se për të përgjuar dikë, duhet vepruar në këtë mënyrë.
Sipas Baki Kelanit, një nga zëdhënësit e Policisë së Kosovës, hetuesit e tyre duhet ndjekur procedura legale për të përgjuar dikë, kur ai është i dyshuar apo që duhet për të hetuar.
Ekspertët: Përgjimet nuk mund të zhbëhen
Agim Musliu, një nga ekspertët e sigurisë në vend, tregon se prania e shërbimeve të huaja në Kosovë nuk është diçka e re.
Sipas tij, këto shërbime të huaja nuk u përgjigjen ligjeve të Kosovës dhe as Kushtetutës së vendit.
“Ata janë autonomë në veprimet e tyre. Mundësia e përgjimit të çdo qytetari apo zyrtarëve të vendit është e madhe dhe mendoj që kjo praktikë duhet të ndërpritet për shkak se shteti ynë është i pavarur që tri vjet, e të gjithë që jetojnë e veprojnë këtu, duhet t’u nënshtrohen ligjeve të Kosovës”, thotë Musliu për Express.
Ai tregon se çdokush që ka nevojë të përgjojë një telefon apo person të caktuar, duhet t’i përmbushë procedurat e kërkuara nga prokurori dhe gjykata.
“Shumë pak, zyrtarët e vendit mund të bëjnë në ndërprerjen e përgjimeve. Mund të bëhet ndonjë presion politik, por shumë pak mund të arrihet”, thotë Musliu, sipas të cilit, e tëra që mund të bëjnë është që t’i zgjedhin mënyrat alternative të komunikimit dhe asgjë tjetër.
“Jo të flitet me letra, sepse edhe ato përgjohen, por mënyrat alternative janë të ndryshme e si më e thjeshta dhe më e mira, është kur flasin në tavolinë, jashtë ambienteve që mund të përgjohen”, shpjegon eksperti Agim Musliu.
Sa për përgjimet, ato duket se janë të pranishme në tërë botën dhe të gjitha punojnë për shtetet e tyre respektive, apo grupet e ndryshme të interesit.
AKI
Edhe Kosova i ka shërbimit e veta të zbulimit, por nëse merret parasysh deklarimi dhe ankesa e ministrit Bajram Rexhepi, atëherë del se Agjencia e Inteligjencës e Kosovës (AKI) nuk është askund me punën e vet. Kjo agjenci është krijuar menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, por deri më tash, puna e saj nuk është bërë aspak e njohur. Në fakt, raportimet e kësaj agjencie duhet të bëhen para Komisionit parlamentar të AIK-ut, por deri më tash pak apo fare dihet për punën e këtij institucioni.
Shërbimet sekrete
Secili shtet në botë ka edhe shërbimin ose shërbimet e veta sekrete, të cilat ngarkohen për të mësuar më shumë për planet e vendeve të ndryshme armike, por edhe mike. Shërbimet më të forta të zbulimit vlerësohet se i kanë shtetet më të mëdha e të fuqishme të botës, si ai britanik, amerikan, francez, rus dhe kinez.
Si shërbimi më i njohur i zbulimit vlerësohet ai i Britanisë së Madhe- MI5, i cili ka reputacion të fortë në botë për aftësitë e veta që të infiltrohet deri në zemër të grupit apo institucioneve të vendeve të huaja që duan t’i zbulojnë. Edhe shërbimi sekret amerikan CIA vlerësohet si një prej shërbimeve të forta të zbulimit, pastaj ai rus FSB, e cila është pasardhëse e ish-shërbimit sovjetik të zbulimit KGB.