E Shtunë, 31 Tetor 2026

Task Forca lehtësime për biznesin, ulet kohëzgjatja për të marrë leje ndërtimi

TIRANË- Tirana do të lehtësojë biznesin e ndërtimit duke reduktuar numrin e procedurave dhe kohën për të marrë një leje ndërtimi, regjistrim pronësie dhe regjistrimin e biznesit. Vendimi u mor sot gjatë mbledhjes së Task Forcës së Reformës Rregullatore të thirrur sot nga kryeministrit Berisha.
Kështu për sa u përket lejeve të ndërtimit, numri i procedurave reduktohet nga 24 që janë sot në 5 dhe dhe kohëzgjatja për të marrë një leje ndërtimi do të ulet në mënyrë drastike nga plot 436 ditë që duhen sot në 35 ditë. Kjo e bën të krahasueshme Tiranën me SHBA ku duhen 40 dite.

Nderkohë, për regjistrimin e pronësisë, numri i procedurave përgjysmohet - pra nga 6 që janë sot bëhen 3, ndërsa numri i ditëve të duhura për këtë proces reduktohet me 3 herë, pra nga 33 ditë që është sot bëhet 13.

Gjithashtu po sot u ra dakort  që numri i procedurave të regjistrimit të biznesit do të reduktohet nga 5 që janë sot në vetëm 2 dhe kostoja e regjistrimit ulet në vetëm 100 leke, nga rreth 112 lekë që ka qenë.

Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes u shpreh se Ministria e Ekonomisë ka bërë një studim të hollësishëm që do ju japë zgjidhje problematikës së klimës së biznesit në vend.

“Ministria e Ekonomisë ka bërë një studim të hollësishëm të të gjithë problematikës së klimës së biznesit dhe masave që duhet të marrim për të vendosur një seri standardesh të reja në të gjitha fushat. Unë dua të përgëzoj Bashkinë e Tiranës, e cila i dha përgjigje 2 javë më parë çështjeve të lejeve të ndërtimit. Kjo është një çështje themelore, në biznes, duke reduktuar afatin ne 50 ditë, me zotimin që do ta zbresin në 40 ditë”,- deklaroi Berisha.

Në mbledhjen e thirrur sot nga kryeministri Berisha merrnin pjesë si të ftuar edhe përfaqësues të shumë institucioneve, për të analizuar, diskutuar dhe vendosur mbi thellimin e mëtejshëm të reformave për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. Merrnin pjesë dhe përfaqësues të Bankës Botërore, IFC, që kanë dhënë e japin një ndihmë të çmuara në konceptimin dhe zbatimin e kësaj reforme madhore.

Disa nga lehtësitë e tjera që i ofrohen së shpejti biznesit kanë të bëjnë me:
- Numri i procedurave të regjistrimit të biznesit do të reduktohet nga 5 që janë sot në vetëm 2 dhe kostoja e regjistrimit ulet në vetëm 100 leke, nga rreth 112 lekë që ka qenë.
- Për sa u përket lejeve të ndërtimit, Tirana, e cila deri vjet klasifikohej ne vendin e fundit në rajon dhe në botë do të lehtësojë biznesin e ndërtimit duke reduktuar numrin e procedurave dhe kohën për të marrë një leje ndërtimi. Konkretisht numri i procedurave reduktohet nga 24 që janë sot në 5 dhe dhe kohëzgjatja për të marrë një leje ndërtimi do të ulet në mënyrë drastike nga plot 436 ditë që duhen sot në 35 ditë. Kjo e bën të krahasueshme Tiranën me SHBA ku duhen 40 dite.
- Për furnizimin me energji, numri i procedurave reduktohet në 4, nga 6 që është sot, numri i ditëve nga 177 që është sot ulet në vetëm 45 ditë ndërsa kostoja reduktohet afro 3 herë.
- Për regjistrimin e pronësisë, numri i procedurave përgjysmohet - pra nga 6 që janë sot bëhen 3, ndërsa numri i ditëve të duhura për këtë proces reduktohet me 3 herë, pra nga 33 ditë që është sot bëhet 13.
- Për pagesat e taksave do të ulet kontributi i punëdhënësit nëpërmjet heqjes së pagës së referencës; dhe thjeshtimit dhe shkurtimit të kohës, kostove dhe procedurave nëpërmjet veprimeve që do të kryhen online.
- Për tregtinë e jashtme, dokumentet për eksport do të reduktohen me më shumë se gjysma , nga 7 që janë sot, në vetëm 3 dokumente ndërsa dokumentet për import reduktohen nga 8 që janë sot në 4. Koha e nevojshme për eksportim do reduktohet me 5 herë, nga 19 ditë që janë sot në 4 dite ndërsa koha për import do të reduktohet me 6 herë, nga 18 ditë në vetëm 3 ditë.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›