E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton materialin e përfunduar të përgjigjeve të pyetësorit që do t’i dorëzohet nesër Komisionit Europian

Ai përshkruan të gjithë përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt BE-së, tërësinë e reformave, ligjeve dhe vendime, mbi të cilat funksionon sistemi demokratik dhe ekonomia e tregut, pra, paraqet thelbin e zhvillimeve 20 vjeçare të Shqipërisë.

Paraqitja e përgjigjeve të pyetësorit përbën një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë, Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian.

Ftoj edhe një herë opozitën shqiptare të angazhohet me të gjithë potencialet e saj, për të dhënë kontributin e vet në procesin e integrimit të vendit, në përputhje me programin që ajo ka paraqitur para anëtarëve të saj, para qytetarëve shqiptarëve.

Kryeministri Berisha prezantoi sot, para anëtarëve të qeverisë dhe mediave, materialin përfundimtar të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili nesër do t’i dorëzohet KE-së nga Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha tha se përgjigjet, e paraqitura në 3854 faqe, që u korrespondojnë 2284 pyetjeve, përshkruajnë të gjithë përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt Bashkimit Europian dhe paraqesin thelbin e zhvillimeve 20 vjeçare të Shqipërisë.

Kryeministri e konsideroi paraqitjen e përgjigjeve të pyetësorit një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë, Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian. Duke shfrytëzuar këtë moment të rëndësishëm për vendin, Kryeministri Berisha ftoi opozitën për dhënë kontributit e vet në procesin e integrimit të vendit.

“Në këtë proces, hapësira është e gjerë për kontributin e të gjithë faktorëve, të mazhorancës qeverisëse, të opozitës, të shoqërisë civile, të biznesit, të botës akademike, të rinisë, grave, pra, çdo faktor, çdo element i shoqërisë shqiptare, që ka bindjen e thellë se për shqiptarët, ky është projekti kryesor, duhet të angazhohet me të gjithë potencialin e tij, për të kontribuar.”

Më pas, Kryeministri Berisha njoftoi nisjen e menjëhershme të përgjigjeve të pyetësorit, sëbashku me kopjen elektronike të tyre, për në Bruksel.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Kemi sjellë këtu, sot, përgjigjet për pyetësorin e Komisionit Europian për Shqipërinë, përgjigje të cilat janë paraqitur në 3854 faqe dhe u korrespondojnë 2284 pyetjeve. Siç e shihni, ky është vëllimi më i madh që kam pasur ndonjëherë në dorë, të cilin mendova t’ju paraqes juve, zotërinj ministra dhe mediave, para se ta nisim për në Bruksel. Ai përshkruan të gjithë përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt Bashkimit Europian, tërësinë e reformave, ligjeve dhe vendime të këtij vendi, mbi të cilat funksionon sistemi demokratik dhe ekonomia e tregut, pra, paraqet thelbin e zhvillimeve 20 vjeçare të Shqipërisë.

Në përgjigjet e pyetjeve të pyetësorit të Komisionit Europian, natyrisht, janë paraqitur të gjitha arritjet e Shqipërisë, rezultatet e reformave të 20 viteve të marra së bashku. Paraqitja e përgjigjeve të pyetësorit përbën një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë, Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian. Ky është një rast të ftoj edhe një herë opozitën shqiptare të angazhohet me të gjithë potencialet e saj, për të dhënë kontributin e vet në procesin e integrimit të vendit, në përputhje me programin që ajo ka paraqitur para anëtarëve të saj, para qytetarëve shqiptarëve.

Në Shqipëri, më shumë se në çdo vend tjetër, qytetarët mbështesin procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Në Shqipëri, nuk ekziston asnjë forcë politike që të mos mbështesë në programin e vet, procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Ka rëndësi të madhe ka që secili në pozicionin e tij të japë me vendosmëri kontributin që i takon. Në këtë proces, hapësira është e gjerë për kontributin e të gjithë faktorëve, të mazhorancës qeverisëse, të opozitës, të shoqërisë civile, të biznesit, të botës akademike, të rinisë, grave, pra, çdo faktor, çdo element i shoqërisë shqiptare, që ka bindjen e thellë se për shqiptarët, ky është projekti kryesor, duhet të angazhohet me të gjithë potencialin e tij, për të kontribuar.

Meqenëse korrieri, që do ta nisë materialin për në Rinas, ka përcaktuar një kohë të caktuar, ne po e nisim që tani drejt aeroportit. Bashkë me këtë material do të dorëzohet edhe kopja elektronike e përgjigjeve, me besimin më të madh se do të marrin vlerësim objektiv dhe të merituar nga ata që do ta shqyrtojnë.”


13/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›