E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taso, mes pikturave dhe Poezisë së verës

Nisma Piktori pogradecar ekspozon 20 tablo në aktivitetin kushtuar traditës së verës

Nën muzikën e tingujve live, ca rreshtave të frymëzuar nga tradita e verës, njerëz që shijojnë në një komunikim intim prodhime të ndryshme vere e më tej ca tablo të Anastas Kostandinit frymëzuar nga e njëjta temë. Kjo ishte atmosfera e mesditës, krijuar nga organizimi i aktivitetit “Poezia e verës”, në kuadër të aktiviteteve që ambasada italiane realizon nën siglën “Italia – Shqipëria 2010, dy popuj, një det, një miqësi”. “Poezia e verës” ka bërë bashkë kantina shqiptare dhe italiane të verës, duke i vendosur në një kontekst arti të frymëzuar prej saj. Ky aktivitet, realizuar me bashkëpunim e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Kujdesit të Konsumatorit, si dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe disa shoqatave kulturore vendase, do të bëjë një udhëtim edhe në qytetet e Durrësit, Shkodrës dhe Beratit. Ishin jo të paktë ata që me një gotë verë në dorë ndalen në tablotë e Tasos, një udhëtim nga prodhimi, te shijimi dhe ngritja në kult e verës. “Unë gjithmonë mezi e pres rastin që të pikturoj këtë temë, sepse e kam shumë qejf. Tani e kam sjellë në një cikël prej 20 pikturash, por shpresoj të bëj edhe një show tjetër, ndoshta edhe më të madh. Diku kam premtuar se dua të ilustroj imtësisht Mitrush Kutelin dhe Lasgush Poradecin, ku ky i fundit i takon botës së dashurisë, ndërsa Kuteli i takon botës rustike, botës provinciale me atë ekzotizmin magjinë e vet, si një lloj realizmi magjik. Kam përputhje me atë lloj letërsie”, shprehet Taso. Kjo nuk është e para herë për piktorin që trajton motivin e verës. “Wine day” ka qenë një tjetër ekspozitë që Taso ia ka kushtuar kësaj tradite, lidhur ngushtë me artin. Tablotë e Tasos shkriheshin mjaft mirë në atë ambient. Arsyen e tregon vetë piktori. “Një nga të fshehtat e mia është se tablotë i pikturoj nën trysninë e muzikës. Më pëlqen muzika paraklasike, baroke. Të gjitha tablotë e mia lidhen me të. Jam orvatur të bëj një ekspozitë dhe kam arritur ta konturoj tashmë një të tillë me vepra që lidhen thellësisht me muzikën...”, shprehet Taso. Ndërkohë, nën këtë sigël, të tjera aktivitete do të organizohen në vazhdim.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›