E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europarlamentarët, shpenzime të tepërta të parave

Raporti

Parlamenti Europian është akuzuar dje në lidhje me shpenzimin e miliona eurove nga paratë e taksapaguesve për “propagandë” televizive, udhëtime turistike në mal për ski dhe mësime gjuhësh të huaja për stafin. Në një raport, Parlamenti ngre pyetjen në lidhje me buxhetin e Asamblesë, përfshi shqetësimet në lidhje me 72 mijë paund për stafin e Parlamentit, të cilat u përdorën për një udhëtim në alpet italiane për fëmijët e deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë. Në raport sulmohet edhe buxheti vjetor prej 8 milionë paundësh për televizionin e europarlamentit, që është kanali i tij i dedikuar. Ky kanal transmeton ngjarjet përfshi seancat plenare dhe mbledhjet e komiteteve të ndryshme, por ndërkaq nga disa parlamentarë ai është cilësuar si një kanal që bën një propagandë glorifikuese për vetë Parlamentin. Një eurodeputete britanike e cilësoi kanalin si një “shaka”, duke theksuar se sa e kotë ishte që taksapaguesit të jepnin para për një stacion që transmetonte orë e orë të tëra të pafund mbledhjesh e takimesh tepër specifike, që në fakt nuk ishin veçse një propagandë e pastër. Detajet për mënyrën e shpenzimit nga ana e Parlamentit të buxhetit prej 1.3 miliardë paundësh ndodhen në një sërë amendamentesh në lidhje me përdorimin e zërave të caktuar të buxhetit. Sipas disa komenteve, mënyra se si janë përdorur disa fonde të buxhetit është e pajustifikueshme, duke qenë se bëhet fjalë për paratë e taksapaguesve, të cilat mund të ishin shpenzuar në mënyrë më të mençur. Disa deputetë kanë bërë thirrje për më shumë hapje dhe transparencë para taksapaguesve. Në dokument ka edhe zëra të tjerë të shpenzimeve të paarsyeshme, si shuma prej 241 milionë paundësh për rinovimin e qendrës sportive të Parlamentit. Sipas drejtorit të think tank “Open Europe” në Londër, materialet në fjalë flasin për një moskonsideratë të madhe të parlamentarëve për paratë e taksapaguesve. Kjo, edhe pse bëhet fjalë për një moment shumë të madh krize ekonomike. Pikërisht në këtë kohë Parlamenti shpenzon para për udhëtime luksoze me ski për fëmijët e deputetëve.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›