E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet: Nuk e shkelëm ligjin për amnistinë

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve hodhi poshtë dje pretendimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë mbi interpretimin e gabuar të ligjit për faljen e interesave për detyrimet tatimore të prapambetura. Në një deklaratë zyrtare, tatimet thanë se veprimtaria e tyre ka qenë në përputhje me ligjin.

Dhoma Amerikane e Tregtisë njoftoi të hënën se i ka dërguar një letër ankese ministrit të Financave, Ridvan Bode, mbi "interpretimin e gabuar të ligjit për amnistinë". Sipas Dhomës, tatimet po detyrojnë bizneset të nënshkruajnë deklarata për heqje dorë nga e drejta e ankimimit kundrejt faturave fiskale që i konsiderojnë si të padrejta. "As në ligj dhe as në udhëzimin e ministrit të Financave nuk është shkruar gjëkundi detyrimi për të hequr dorë nga e drejta e ankimimit", - tha në letrën e dërguar Bodes presidenti i Dhomës, Philip H. Bay.

Tatimet thonë se në fakt, pranimi i pagesës së principalit në këmbim të faljes së gjobave dhe interesave është thelbi i ligjit.

"Nuk rezulton asnjë rast në të cilin përfaqësuesit e këtij institucioni të kenë dhënë përgjigje apo interpretim zyrtar të ndryshëm nga kushtet e përcaktuara në këtë ligj, si dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij", - thanë zyrtarë të Tatimeve dje.

Rastet e përmendura në letrën e dërguar nga presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, gjejnë shpjegim të qartë në ligjin nr.9986 dhe në udhëzimin nr.33 dhe administrata tatimore është e vendosur për zbatimin në mënyrë korrekte të ligjit", - vijon më tej deklarata.

Tatimet i kujtuan përfaqësuesve të biznesit se afati ligjor për përfitimin nga amnistia është data 7 prill. Pas kësaj date, ligji humbet fuqinë e tij dhe ndalon së zbatuari.

Amnistia

Qeveria vendosi të pastrojë bilancet nga taksa të vjetra të papaguara, si dhe detyrime të sigurimeve shoqërore përmes një ligji të veçantë. Individëve dhe kompanive iu ofrua të paguajnë detyrimin nominal dhe në këmbim u faleshin interesat, kamatëvonesat dhe gjobat përkatëse që shoqërojnë taksat e papaguara. Edhe shumë biznese që kanë mosmarrëveshje me tatimet për "vlerësime tatimore" menduan të përfitojnë nga ligji, duke paguar faturën pa gjobat përkatëse, ndërkohë që çështjet e tyre vijonin të shqyrtoheshin nga gjykatat. Në rastin e doganave, rivlerësimet shoqërohen me detyrimin që përveç dëmit të pësuar nga shteti për taksat e papaguara, të shlyhet edhe gjobë sa disafishi i tatimit të fshehur. Kompanitë zakonisht i drejtohen gjykatës për të zgjidhur mosmarrëveshje të tilla. Tatimet thonë se përfitimi nga ligji për "Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore, të detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve e të taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe të gjobave e kamatëvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore", nënkupton detyrimin për të pranuar edhe vlerësimet tatimore, për të cilat, bizneset besojnë se janë joprofesionale dhe të paqena. Ligji i mësipërm është reklamuar gjerësisht si "Ligji për Amnistinë". Ekspertët vërejnë gjithsesi se mali i borxheve të prapambetura në tatime e dogana përfshin edhe fatura të pashlyera që prej dhjetë vjetësh dhe se praktikisht nuk kishte asnjë shpresë për qeverinë që këto borxhe të arkëtoheshin. Kjo është veçanërisht e dukshme në taksat e papaguara të qarkullimit rrugor. Në Shqipëri janë lëshuar mbi 350 mijë leje qarkullimi për automjete, por besohet se jo më shumë se gjysma e tyre kanë dalë nga rrugët, ndërsa autoritetet llogarisin taksat e papaguara si borxhe që shoqërohen me interesa e gjoba.

Ligji merrte përsipër të falte rreth 30 milionë euro interesa dhe gjoba në këmbim të pagesës së principalit të taksave në rendin e disa milionë eurove. Deri më sot, nuk është raportuar asgjë mbi ecurinë e zbatimit të këtij ligji.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›