E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, ndoshta më e keqja ka kaluar

Të dhëna pozitive nga ekonomia evropiane dhe ajo amerikane të publikuara gjatë ditëve të fundit shtynë shumë ekspertë se kurba e krizës ekonomike që përfshiu botën vitin e kaluar, ka arritur në minimumin e mundshëm dhe se tani do të fillojë rigjallërimi. Në shkurt, shitjet me pakicë në Evropë shënuan rritje, në Britani inflacioni shënoi rritje, ndërsa në SHBA u rrit numri i shtëpive të shitura. Këto të dhëna tregojnë se së paku për tani, duket se më e keqja e krizës botërore ka kaluar. Sipas Financial Times, plani i fundit i Rezervave Federale në SHBA, në ndihmë të stabilitetit të sistemit financiar, mund të funksionojë, duke ndihmuar të gjithë ekonominë botërore. Nëse ky konkluzion vërtetohet, kriza e kohëve tona do të jetë shumë më e vogël dhe me më pak pasoja sesa Depresioni i Madh i viteve ‘30. Në atë kohë, kriza solli varfëri masive në të gjitha vendet. Në lagjet e varfra të Nju Jorkut apo Londrës, njerëzit konkurronin me qentë dhe macet për të gjetur bukë nëpër kazanët e plehrave. Kriza e atëhershme besohet se solli në pushtet Adolf Hitlerin dhe për pasojë, edhe Luftën e Dytë Botërore. Kriza e sotme gjithsesi nuk ka sjellë asgjë të tillë, të paktën deri tani.

Megjithatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se ekonomia botërore do të shënojë rënie të prodhimit këtë vit për herë të parë në 60 vjet dhe se rikthimi te rritja pritet të vijë vonë në vitin 2010. Media ndërkombëtare vëren se raportet alarmuese të FMN-së gjatë muajve të fundit janë shoqëruar me kërkesën për më shumë fonde nga ekonomitë e zhvilluara. Kriza filloi në vitin 2007 në SHBA, me rritjen e numrit të kredive me kolateral të pashlyera pas një bumi të gjatë rritjeje ekonomike spektakolare. Ajo u transformua në krizë financiare amerikane dhe botërore përmes produkteve derivative, pasi bankat kishin shitur dhe blerë shumë herë të njëjtat kredi të këqija mes njëra-tjetrës. Kjo situatë solli falimentin e Lehman Brothers dhe shpëtimin e gjigantëve të tjerë amerikanë. Prej këtu, kriza u përhap në të gjithë botën përmes pakësimit të investimeve, rënies së volumit tregtar dhe vështirësive në rifinancimin e borxheve publike. Pasojat e krizës mund të vijojnë të shkaktojnë probleme edhe për shumë vite, pavarësisht se më e keqja mund të ketë kaluar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›