Tatimet, hapet gara për 310 vende të lira
Administrata tatimore ka hapur garën për 310 vende të lira në pozicione që variojnë nga nivel drejtor drejtorie, deri në specialist. Sipas njoftimit në faqen zyrtare, konkurset do të zhvillohen sipas ligjit të “Statusit të nëpunësit civil”, pra me konkurs të hapur, pasi të jenë përzgjedhur mbi CV-të e dorëzuara. Duke parë pozicionet duket se lufta më e madhe do të përqendrohet në Tiranë, pra në Drejtorinë e Përgjithshme për pozicionet e drejtorit, në degën e VIP-ve, dhe për inspektorët, që janë mbi 180 vende të lira. Përmes burimeve të sigurta, “Shqip” ka mësuar se të gjitha vendet e shpallura të lira për pozicion drejtori janë të zëna prej kohësh përmes formulës “të emëruar me komandim, deri në zhvillimin e konkursit”, duke mos u dhënë asnjë shpresë kandidatëve që lexojnë njoftimin dhe shpresojnë se mund të fitojnë. Pozicionet e drejtorëve të drejtorive në fusha të ndryshme, deri në shefa degësh nëpër rrethe, gjithsej 39, janë që të gjithë në punë, të emëruar dhe presin thjesht formalizimin, pavarësisht në fund të njoftimit janë vendosur kriteret e garës sipas statusit të nëpunësit civil. Vendet janë të zëna pothuajse edhe për përgjegjësit e sektorit, të cilët kanë ndryshuar para disa javësh dhe se presin formalizimin me konkurs. Aktualisht tatimet drejtohen nga një shef i ri, i emëruar tri ditë më parë, me vendim qeverie, i pesti brenda katër vitesh mandat të qeverisë “Berisha”.
PozicionetData për zhvillimin e konkursit pritet të zhvillohet në fund të muajit maj, ndërsa nuk ka një numër të saktë sesa kanë aplikuar për vendet e lira. Për kategorinë A, drejtor drejtorie, garohet për 8 “vende të lira”, pra pritet zyrtarizmi i tyre që janë aktualisht në këto funksione. Në degët rajonale janë 11 drejtorë të komanduar, që presin formalizimin e emërimit përmes “konkursit” sipas statusit të nëpunësit civil. Në pikat me kriteret e aplikimit, thuhet se për pozicionin drejtor, kandidati duhet të ketë një eksperiencë pune në tatime të paktën dy vjet e sipër. Në kategorinë B, që futen përgjegjësit e sektorit, që janë gjithsej 8 vende të lira në Drejtorinë e Përgjithshme, dhe 32 vende të lira për pozicione drejtor drejtorie në rrethe. Duket se në kategorinë C1, gara pritet të zhvillohet e ashpër, mbi bazën e meritave, pasi kandidohet për 64 vende të lira në pozicionin përgjegjës sektori në rrethe. Numrin më të madh të konkurseve e kanë kategoritë C2 dhe C3, pozicionet specialistë dhe inspektorë, pasi janë 187 vende të lira, që të gjitha në Tiranë.
EmërimetNjë raport i Komisionit të Shërbimit Civil, që i referohej rasteve për shkarkimet dhe konkurset e viteve 2007-2008, thuhej se në administratën tatimore shkelej hapur ligji i statusit të nëpunësit civil. Jo vetëm që shkarkoheshin punonjës me status, duke i lënë listë-pritjeje, por merreshin në punë me kontratë individë që nuk kishin lidhje me pozicionin. Në raport thuhej se buxheti i shtetit kishte paguar për një vit rreth 1 milion dollarë si pasojë e listë-pritjeve dhe emërimeve me kontratë, pra paguhej dy herë i njëjti vend pune.
#