E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle, trafik narkotikësh nga qelitë e burgut

Prokuroria i përgjoi 12 aparate celularë. Të arrestuarit, krahas trafikut të drogës, administronin lokale dhe fabrika birrash

Pesë persona kanë rënë në pranga me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa dy të tjerëve u janë komunikuar akuzat e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në masën e arrestit me burg ku dhe ndodhen aktualisht. Prokurori Anton Martini, nëpërmjet një konference për shtyp, ka shpjeguar dje detaje nga operacioni i koduar “Ura”, i realizuar në bashkëpunim me strukturat e policisë italiane dhe të vendeve të rajonit, nga ku dyshohet se kalonte lënda narkotike për të përfunduar më pas në vendet perëndimore. Në këtë grup të mirorganizuar, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, bënte pjesë edhe Endrit Dokle, një nga krerët e bandave të Durrësit, i arrestuar në vitin 2005 për shumë vrasje. Megjithëse në burg, Dokle drejtonte dhe organizonte trafikun e drogës në Itali. Nga përgjimet e prokurorisë ka rezultuar se Dokle ishte një nga tre krerët e këtij grupi dhe duke bashkëpunuar me “ushtarët” e tij, në liri, arrinte të kalonte qindra kilogramë lëndë narkotike jashtë shtetit. Në dy raste sasia e lëndës narkotike është sekuestruar, ndërsa hetimi në kompleks konsiderohet nga prokuroria dhe policia si një sukses, pasi është arritur të zbardhet e gjithë linja e trafikut. Sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda personat që akuzohen janë: Isuf Buna, Shefqet Vata, Endrit Dokle, Jorid Xhunga, Edmond Taullaj, Vito Biba dhe Eglantina Lulo.

Grupi kriminal

Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë përcaktuar se të akuzuarit dhe arrestuarit gjatë operacionit të koduar “Ura” kishin pseudonime. Shtetasi Isuf Buna përdorte pseudonimin “Lalushi”, Shefqet Vata njihej ndryshe si “çeti”, Jorid Xhunga kishte nofkën “Ruçi” e “Ridi”, Edmond Taullaj (vëllai i Indrit Taullajt) njihej si “Moke”, Vito Babe kishte pseudonimin “Vehap” dhe Eglantina Lulo njihej si “Tina”. Prokuroria deklaron se arrestimet u kryen në kuadër të operacioni “Ura”, ndërsa hetimet për aktivitetin kriminal të këtij grupi kanë filluar në muajin shtator të vitit 2008, në kuadër të procedimit penal numër 84 të regjistruar në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë. “Ky grup kriminal ka pasur si aktivitet të tij trafikimin e heroinës në drejtim të Italisë, në rrugë tokësore duke bashkëpunuar me elementë kriminalë në vende të tjera si Kosovë, Bosnjë, Kroaci e Itali”, tha prokurori Anton Martini, duke shtuar se hetimi ka arritur të dokumentojë me prova aktivitetin e grupit në harkun kohor shtator 2008 deri në prill të vitit 2009. “Gjatë këtij intervali kohor është arritur të sekuestrohet një sasi prej afro 40 kilogramë heroinë në kohë dhe vende të ndryshme. Për dokumentimin e aktivitetit të grupit është bashkëpunuar me autoritetet italiane të drejtësisë dhe në këtë drejtim një ndihmë ka dhënë edhe zyra e bashkëpunimit policor italian në Tiranë ‘Interforcë’. Hetimi ka evidentuar edhe bashkëpunëtorë të tjerë në këtë aktivitet kriminal, për të cilët vazhdojnë hetimet”, vijoi prokurori, Anton Martini.

Hetimi

Operacioni i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka evidentuar të metat e sistemit tonë të drejtësisë, ku individë të arrestuar drejtojnë edhe organizojnë grupe kriminale për trafikimin e narkotikëve. Megjithatë, hetimet konsiderohen nga policia e prokuroria të plota, ndërsa shumë persona të tjerë do të thirren për dëshmi para oficerëve të policisë gjyqësore. Nga të dhënat hetimore mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda ra në gjurmët e këtij grupi falë informacioneve të Prokurorisë së Durrësit. “Dosja është referuar nga Prokuroria e Durrësit në vitin 1998”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilat saktësojnë se hetimet kanë filluar pas vrasjes së shtetasit Arjan Saliu në qytetin bregdetar. Menjëherë pas kësaj vrasjeje, prokuroria zbuloi se një grup personash kryenin aktivitet kriminal në fushën e trafikut të narkotikëve. Nga të dhënat e mbledhura, përgjimet e vëzhgimet, rezultoi se grupi kishte një shtrirje rajonale dhe drejtohej nga një person i paraburgosur dhe në proces gjykimi te Krimet e Rënda. Hetimi është shtrirë edhe në rajon në bashkëpunim me zyrën italiane të bashkëpunimit, me të cilën janë mbajtur kontakte të vazhdueshme. Shtetasja Eglantina Lulo, nëna e katër fëmijëve, përdorej nga ky grup për të shpërndarë lëndën narkotike në Itali ndërsa ndodhet aktualisht në masën e arrestit shtëpiak për shkak të fëmijëve. Ka të dhëna se lënda narkotike dërgohej nga Shqipëria, dhe sapo nisej, drejtësia shqiptare lajmëronte në kohë shtetin italian për sasitë e drogës. Lënda nuk sekuestrohej në territorin shqiptar për shkak të mosdekonspirimit të hetimeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›