Taulant Balla nxjerr në Kuvend audion për 21 janarin: Prokuroria ta marrë urgjentisht si provë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar se audio e re e dalë mbi ngjarjen e 21 janarit 2011, duhet të shërbejnë si provë për organin e akuzës dhe prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet.
“U publikua për herë të parë një audio-regjistrim autentik i cili zbardh më në fund gjithë kronologjinë e urdhër-dhënies, masakrën shtetërore të 21 janarit. Nuk e kam bërë kurrë diçka që historikisht e bëni ju por do ta bëj unë sot. Do të vendos për publikun gjithë këtë material audio që është publikuar i gjithë mbrëmë nga një gazetar inevstigativ në një televizion kombëtar. Uroj dhe shpresoj dhe natyrshëm i bëj thirrje prokurorisë që më në fund këtë çështje ta hetojë”, u shpreh Balla
Biseda mes Ndrea Prendit dhe ushtarit të Gardës (2011) e lexuar nga Taulant Balla në Kuvend:
“Dashamir…!”, thotë komandanti i gardës. “Gati për zjarr ushtarak”, kundër civilëve të paarmatosur.
Dashamiri: Po iu kuptova, gati të gjithë luanët.
Ndrea Prendi: Nëse do të hyjnë brenda, do të hapet zjarr luftarak për t’i asgjësuar.
Dashamiri: Iu kuptova!
Ndrea Prendi: Mos qëlloni me ushtarak akoma, në ajër, ajër!
Ndrea Prendi: Dashamir ku je?
Dashamiri: Këtu jam këtu…
Ndrea Prendi: Bëju thirrje me altoparlant, u kalua kufiri do hapet zjarr luftarak.
Dashamiri: Largohuni nga hyrja!
Ndrea Prendi: Të mbahen armët në dorë, gati për zjarr. Pastaj kur t’iu them unë, në trup.
Balla shtoi se Garda e Republikës në vitin 2011 qëlloi me zjarr luftarak mbi trupat e protestuesve të opozitës.
“Nëse secili prej jush këtu e ka zemrën dhe mendjen në vendin e duhur si ka mundësi që komandanti i Gardës së Republikës sapo del nga zyra e Sali Berishës jep urdhër për të asgjësuar popullin e opozitës që po protestonte në shesh, për të qëlluar në trupat e popullit opozitar dhe pastaj vjen momenti kur Ndrea Prendi thotë; Ky është urdhri dhe në këtë moment qëllohet nga pistoleta e Ndrea Prendit dhe nga automatiku i njërit prej oficerëve të gardës së Republikës, me çfarë? Me zjarr luftarak. Zjarri luftarak nuk ka lidhje me protestën. Kjo është një provë që prokuroria e Tiranës ta marrë urgjentisht”, theksoi Balla.
/rtsh.al/