Taulant Balla të mos i përvidhet drejtësisë – të provojë akuzat

Pronarët e tokës së ish-kompleksit Partizani
Deputeti i PS, Taulant Balla vazhdon t’i fshihet proceseve gjyqësore të ngritura kundër tij. I njohur si një nga deputetët shpifës par excellance, ligjvënësi socialist akuzon dhe shpif, por nuk mban përgjegjësi për akuzat dhe shpifjet e tij të ulëta. Si e tillë, një padi gjyqësore kundër tij, është ngritur prej disa muajsh nga pronarët e ligjshëm të tokës së ish kompleksit sportiv “Partizani”, për shkak të akuzave dhe shpifjeve ndaj tyre. Në dy seanca gjyqësore, Balla nuk është paraqitur – duke mashtruar gjykatën me pretendime banale, për të justifikuar mungesën e tij. Por, janë sërish pronarët e tokës ata që i bëjnë thirrje të përballet me drejtësinë dhe të provojë akuzat kundër tyre. “Duke dashur të trajtojmë çështjen me dinjitet dhe korrektesë kemi përmbi dy muaj që e kemi hedhur në gjyq për shpifje Taulant Ballën, duke i mundësuar të paraqesë fakte për sulmin e ulët ndaj të gjithëve nëse ka, por ky person vijon t’i përvidhet drejtësisë”- thuhet në një reagim të pronarëve.
Ndërkohë, në seancën e para një muaji, Taulant Balla i dërgoi letër gjykatës duke deklaruar se nuk do merrte pjesë në seancë ngaqë do ishte pranë elektoratit të tij. Por, në të njëjtën orë kur ishte seanca gjyqësore para një muaji, z. Balla u shfaq në konferencë për shtyp nga selia e PS duke vijuar lojërat e tij politike. “Me anë të këtij reagimi e njoftojmë z. Balla se seanca e radhës është caktuar më datë 6 shkurt 2013, ora 15:30. Dëshirojmë t’ju themi që lojërat politike t’i mbani për vete se nuk na interesojnë. Pronarët e vjetër që pasi ju vodh prona për dhjetëra vjet dhe mezi po marrin pjesë të trashëgimisë së tyre të ligjshme presin së paku dinjitet dhe korrektese nga forcat politike”- vijon më tej deklarata e pronarëve të ligjshëm të tokës së ish kompleksit sportiv “Partizani”.