E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani, votëbesim të fortë për projektin e Berishës “Shqipëria, vend i zhvilluar”

26-01-2013 / Gazeta 55

Entuziazëm në ceremoninë e 22-vjetorit të themelimit të degës së PD për Elbasanin. Jehona e fitores nuk shpërblen vetëm kursin e fortë të investimeve, si dhe ndërtimin e Rrugës së re, por edhe vendosmërinë për të shembur murin e bllokimit, që kanë ngritur pinjollët e dytë të Bllokut komunist
Berisha: Në pranverë inaugurohet autostrada Tiranë – Elbasan, mandatin e tretë anëtarësojmë Shqipërinë në BE

Kryeministri Sali Berisha, njëherësh Kryetar i Partisë Demokratike, përshëndeti dje takimin festiv në Pallatin e Sportit të qytetit të Elbasanit, për kremtimin e 22 vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike në këtë qytet. Mes entuziazmit të qytetarëve të Elbasanit, të cilët kishin mbushur rrugët e këtij qyteti, kryeministri Berisha u shpreh se sot, Partia Demokratike dhe kjo mazhorancë kremton 22 vjetorin e themelimit të saj, në Elbasan dhe në gjithë vendin, si forca politike, e cila shoqëroi zhvillimet më epokale duke e renditur  Shqipërinë në një ndër vend e zhvilluara. Kreu i qeverisë theksoi se PD rrëzoi diktaturën më të egër në planet dhe shpalli çështjen kombëtare yllin e saj polar. “Ne sot kremtojmë së bashku, ditën në të cilën ne të gjithë së bashku u shndërruam nga njerëzit e shtypur në njerëzit e lirë duke dëshmuar se, ne jemi ndryshimi. Ne jemi ndryshimi, sepse ne me kurajon, guximin tonë përmbysem diktaturën e egër komuniste dhe shndërruam Shqipërinë në vendin e lirive dhe të drejtave të respektuara. Ne jemi ndryshimi, sepse 22 vjet më parë, ne ishim vendi i të gjitha lirive të ndaluara me kushtetutë, sot jemi vendi i respektimit të plotë të lirive dhe të drejtave njerëzore. Ne jemi ndryshimi – Përpara! Pasioni ynë është liria, janë liritë dhe të drejtat tuaja, zgjerimi dhe konsolidimi i tyre. Ne festojmë sot krenarë, sepse ne jemi ndryshimi, 22 vjet më parë kombi ynë lëngonte në Shqipëri nga diktatura e egër dhe vendet përreth nga pushtimet barbare. Ne së bashku 22 vjet më parë, jo vetëm hodhën në një anë diktaturën, por u ngritën në rrugët dhe sheshet e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë dhe deklaruam, se ne jemi forca e interesit tonë kombëtar, se çështja shqiptare është ylli ynë polar. Ne jemi ndryshimi, sepse sot pas 22 viteve shqiptarët janë të lirë, shqiptarët janë më të vendosur se kurrë të bashkohen rreth idealit të Bashkimit Kombëtar. Përpara, Përpara, Përpara drejt Bashkimit të Kombit shqiptarë”- u shpreh kryeministri përpara mijëra qytetarëve elbasanas në pallatin e sporteve të qytetit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri një përmbledhje të të gjitha përpjekjeve dhe hapave historikë të realizuar nga vendi ynë, nën drejtimin dhe vizionin e kësaj force politike dhe mazhorance në qeverisje, duke përmendur fillimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, më pas, anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut, realizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, përpjekjen e qeverisë për realizimin e reformave për marrjen e statusit të vendit kandidat, rritjen e rrogave dhe pensioneve, hapjen e vendeve të punës, mbështetjen e bizneseve si dhe shndërrimin e infrastrukturës, duke e bërë Shqipërinë një vend të denjë Evropian. “Ne jemi ndryshimi, sepse 22 vjet më parë ne, ishim njerëzit dhe vendi më i izoluar i planetit, ndërsa sot ne lëvizim të lirë pa viza në mbarë Europën. Ndërsa sot, ne jemi anëtarë të Aleancës më të fuqishme të lirësi së kohërave. Ndërsa sot, ne fituam, merituam rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e kandidat. Ne jemi ndryshimi, sepse 22 vjet më parë ne ishim qeniet më të varfëra në planet, sot pas 22 vitesh në ende nuk jemi të pasur, por i përkasim grupit të vendeve me të ardhura të mesme të larta. Me të ardhur nga 204 dollarë për frymë, sot janë 9 mijë dollarë për frymë dhe ecim të sigurt të vendosur drejt vendeve të zhvilluara. Ne jemi ndryshimi, sepse në këtë vend të hiperkolektivizmit më ç’njerëzor ne shndërruam shqiptarët në pronarë të 240 mijë apartamenteve, shndërruam në pronarë mbi 400 mijë familje shqiptare në fshat të tokës së tyre, ne shndërruam shqiptarët  në pronarë të qindra e mijëra bizneseve. Ne jemi ndryshimi, sepse ne besojmë tek iniciativa juaj, tek prona juaj,  Shqipërinë gjithnjë përpara do ta çojmë. Ne jemi ndryshimi, sepse në kohën më të vështirë të krizës ekonomike të Europës dhe Botës me mundin tuaj, me djersën tuaj, me reformat që mbështetëm, ne shndërruam Shqipërinë në ishullin e vetëm të rritjes ekonomike. Ne garantuam së bashku një rritje ekonomike 4 herë me të madhe, se mesatarja e Rajonit. Ne jemi ndryshimi, sepse në kushtet e krizës më të thelle, kur në vendet e tjera po dyfishohet papunësia, Shqipëri mbetet i vetmi vend, sipas Komisionit Europian, që ka ulur papunësinë. Ne jemi ndryshimi dhe për një shkak tjetër madhor, sepse ne kemi vetëdijen tonë se bëjmë gabime, sepse ne kemi vetëdijen tonë se çdo i papunë ka të drejtë të na kërkojë punë, se çdo i varfër ka të drejtë të kërkojë nga ne, të dalë nga varfëria se, çdo njëri në hall ka të drejtë të kërkojë nga ne, ti zgjidhim hallet e  tij. Sigurisht ai kërkon nga ne, sepse ne jemi ndryshimi, kurse tjetri është mashtrimi. Ai kërkon nga ne, sepse ne kemi jemi të bindur thellë në ndërgjegjen tonë,  se ne gabojmë, por korrigjojmë gabimet, se ne nuk i përsërisim ato, se për ne, interesat e qytetarëve  janë interesat  e para dhe të parët jeni ju, të parët do mbeteni ju, e para është Shqipëria”- tha ai.
Kryeministri Berisha theksoi se shumë është bërë, por dhe shumë ka ende për tu bërë, ndaj ai kërkoi votën e shqiptarëve edhe për një mandat të tretë. “Ne sot njerëzisht trokasim në zemrën e çdo qytetari, trokasim me ndershmëri, sinqeritet dhe përulësi, kërkojmë votën, për një katër vjeçar tjetër, për të bërë Shqipërinë vend të zhvilluar, për të integruar Shqipërinë në Europë. Ne duam mandatin tjetër të tretë, sepse Shqipëria mezi po pret, që të gjithë treguesit e saj, se shqiptarët mezi po presin të gjejnë veten, qytetarë të njërit prej vendeve më të zhvilluara të Rajonit dhe më gjerë. Ne kërkojmë votën tuaj të ecim përpara në rrugën tonë drejt Europës. Europa është destinacioni ynë, Europa është vokacioni ynë, Europa është projekti ynë, është zotimi ynë, të cilin do të bëjmë realitet katër vitet që vijnë”- deklaroi kreu i qeverisë.
Nën moton “Ne jemi ndryshimi – Përpara!”, kryeministri Berisha iu referua dhe alternativës kundërshtare, duke akuzuar lidershipin socialist, Edi Rama për bllokimin e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu, Berisha akuzoi Ramën edhe për fshehje të pasurisë së tij dhe të familjarëve si dhe për lëshimin e lejeve të ndërtimit në konflikt interesi. “Ne do të shembim me 23 qershor murin e bllokimit, që ka ngritur kryetari i PS-së Edi Rama, duke mbrojtur pallatet dhe pasuritë e bashkëshortes dhe familjarëve të tij. Ne jemi ndryshimi, sepse çdo ditë, çdo vit ne përballemi me lumin e shqetësimeve tuaja të halleve dhe derteve tuaja, të familjeve dhe fëmijë tuaj, kurse tjetri e ka mendjen tek pallatet e familjes, e ka mendjen tek  fshehja e pasurive, tek rezidencat në malin e Dajtit dhe pronat e familjes së tij. Ne i themi atij se, edhe mund të ndërtosh duke shfrytëzuar pushtetin  pallatet e paligjshme për familjen tënde, por në kasafortën e Partisë Socialiste,  nuk do të mund ta fusësh kurrë pallatin dhe lejet e dhëna, në konflikt interesi. Ne jemi ndryshimi, sepse ne besojmë shumë tek ju, ne besojmë se ju dhe vetëm ju, mundi, djersa, përkushtimi juaj për vete, familjet tuja dhe vendin tuaj, përbën faktorin më themelor  të ndryshimit  dhe zhvillimit të Shqipërisë, ndaj dhe ne bëjmë gjithçka të ulim taksat, bëjmë gjithçka të lehtësojmë bizneset tuaja, bëjmë gjithçka të nxisim iniciativën tuaj, kurse shoku që e ka mendjen tek pallatet e familjes, bën gjithçka t’ju tatojë ju. Ai do që Shqipëria të jetë në këmbët e karriges së tij, do që shqiptarët të punojnë për pushtetin e  tij, pushtet të cilin nuk do ta gëzojë kurrë, sa të jeni ju dhe shqiptarët e lirë”- deklaroi më tej kreu i qeverisë.

Gjatë 2012-s, Shqipëria mori 1 miliard dollarë investime
“Në rrugën tonë  të vështirë edhe më shumë duhet të kishim bërë, por vëllezër mos harroni se, kur erdhën në pushtet,  Shqipëria merrte 38 milion dollarë investime të huaja dhe mori 1 miliard dollarë vitin e kaluar. Gjatë këtyre viteve ne jemi të vetëdijshëm se edhe me shumë mund të kishim bërë, por mos harroni se në vitin 2005 penetrimi i internetit në Shqipëri vetëm 4.8 përqind, kurse sot është 62 përqind. Sot të dashur të reja dhe të rinj të Elbasanit,  kryeqyteti i vendit tuaj u përzgjodh dje,  njëri nga 21 qytete me shkallën me të mirë të përdorimit të internetit në Botë”.

Në pranverë inaugurohet autostrada Tiranë - Elbasan
Kryeministri Berisha garantoi dje nga Elbasani se në pranverë të këtij viti inaugurohet autostrada që lidh këtë qytet me kryeqendrën e Shqipërisë, Tiranën. Kreu i qeverisë theksoi se ky investim ishte një premtim i Partisë Demokratike dhe që bëhet realitet brenda këtij mandati. Gjithashtu kryeministri solli në vëmendje se në 7 vite qeverisje të PD, janë asfaltuar mbi 10 mijë km rrugë. “Ne jemi ndryshimi, sepse ne vetëm 6 vjet më parë në ketë vend të bekuar nga Zoti dhe shqiptarët kishim gjithsej 2430 km rrugë të asfaltuara dhe në këto 7 vite kemi asfaltuar mbi 10 mijë km dhe do të asfaltojmë çdo km rrugë të kësaj toke të bekuar. Ne jemi ndryshimi, sepse ne po bëjmë realitet pranverën që vjen autostradën Tiranë-Elbasan me tunelin e Kërrabës, që ju e meritoni një mijë herë”- deklaroi ai.

Qeveria do vijojë rritjen e pagave dhe pensioneve
Ne mendojmë për buxhetin tuaj, për buxhetin e familjeve tuaja, për buxhetin e pensionistëve tanë. Unë e di se, ju nuk merrni aq sa meritoni, por edhe ju e dini se, kjo qeveri ka rritur rrogat më shumë se çdo qeveri tjetër në Europë, në një kohë të shkurtër.
Në 6 vite ju jeni dëshmitarë që keni rritur sipas kategorive nga  120 në 150 përqind rrogën re mësuesve të fëmijëve tanë. Se kemi rritur sipas kategorive nga 130 në 160 përqind,  rrogën e infermierëve  dhe mjekëve tanë. Se kemi rritur me 110 përqind  pensionet në fshat, se kemi rritur 60 deri ne 80 përqind pensionet në qytete.  Ne jemi ndryshimi,  rritja e rogave dhe pensioneve  tuaja është qëllimi ynë më madhor.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›