E Diel, 1 Nëntor 2026

Taullai: S'i paguam "bandës" 500 mijë euro, na vranë vëllain

Banda e Lushnjes

Vëllai i tretë i Baki Taullait, tregoi se i kishin paguar në mënyrë të herë pas hershme bandës para në shuma të majme


"Kishim blerë një tokë në Tiranë dhe banda na kërkoi para ose tokën. Vëllai denoncoi në polici dhe në SHIK bandën dhe ata e kërcënuan se do e vrisnin"


TIRANË- "Vëllai im Baki Taullau është vrarë nga Leonard Prifti, i njohur me pseudonimin "Çibiku", pasi i denoncoi kërcënimet dhe gjobat që "banda" e Lushnjës e kryesuar nga Alfred Shkurti, i kishin vendosur për pagimin e një shumë prej 500 mijë eurosh ose letrat e një toke që vëllai kishte blerë në Tiranë".


Me këto fjalë e nisi dëshminë e tij Sajmir Taullai para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku ishte thirrur nga organi i akuzës për të rrëfyer vuajtjet dhe gjobat e paguara nga familja e tij pjesëtarëve të "bandës" së Lushnjës.


Sipas tij, gjithçka filloi pas trazirave të marsit 1997, kohë kur "banda" e Alfred Shkurtit u krijua dhe u forcua, duke vazhduar vendosjen e gjobave ndaj familjes Taullau deri në korrik të 2005 kur edhe është vrarë Baki Taullai. Po kështu ditën e zgjedhjeve, sipas tij, Leonard Prifti kishte ndjekur vetë dëshmitarin Sajmir Taullai dhe vëllain tjetër Bakiun, i cili mbeti i vrarë.


Dëshmia


"Ditën e zgjedhjeve të korrikut 2005, kur unë dhe vëllai dolëm në qendër të qytetit për të ndjekur rezultatin e zgjedhjeve, aty vërejtëm se po ndiqeshim nga Leonard Prifti dhe një person tjetër biond me kapele.


Personi me kapelë m'u lëshua mua për të më vrarë dhe unë u largova ndërsa vëllain e ndoqi Leonard Prifti dhe e vrau",-tha Sajmir Taullau. Më pas ai shtoi: familja e tij nuk i ka pasur dhe nuk i ka njeriut borxh në qytetin e Lushnjës dhe as në Tiranë, vetëm që i janë borxhli familjes", - tha ai në lidhje me vrasjen e të vëllait të tij.


Në këtë rast, vëllai i tretë i Baki Taullait, nuk hezitoi të vinte gishtin mbi pjesëtarët e bandës së Lushnjes, duke e cilësuar këtë të fundit si përgjegjëse për vrasjen e vëllait të tij dhe për gjobat e paguara nga ky i fundit, në adresë të pjesëtarëve të bandës.


Gjobat


"Nga viti 1993 deri më 1997, kam qenë në burg, pasi isha i dënuar dhe kur u hapën burgjet, edhe unë si shumë të tjerë ika nga burgu dhe shkova në Itali. Atje ndenja deri në fillim të vitit 2000, kohë në të cilën erdha pasi vëllai im po kërcënohej rregullisht nga "banda" e Alfred Shkurtit.


Pjesëtarët e "bandës" së tij, Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Enver Dondollaku, Arjan Aliçko, dhe Leonard Prifti (ky i fundit i vrarë), sajonin histori të ndryshme vetëm e vetëm që t'i merrnin lekë vëllait tim Baki Taullait, që kishte një biznes.


Fillimisht ata kërkuan që unë t'i bashkohesha "bandës" së tyre, por më pas meqë unë nuk iu bashkova, më akuzonin se isha pjesë e "bandës" së Artur Dajës dhe po tentoja të hakmerresha ndaj tyre. Unë për herë të fundit e kam takuar Artur Dajën kur isha 17 vjeç dhe para se të bija në burg dhe që nga ajo kohë nuk e kam parë më.


Pasi u ktheva në Shqipëri vëllai Bakiu më tha: nuk ke bërë mirë që ke ardhur. Për këtë shkak më nxori një vizë dhe ika në Greqi ku ndenja disa muaj. Gjatë kësaj kohe, kam mësuar se Bakiu është detyruar t'i paguajë disa herë gjoba "bandës" së Alfred Shkurtit pasi e kërcënonin për jetën time dhe të vëllezërve të tjerë.


Mesa di unë, vëllai ka paguar disa herë "gjobat" e vëna nga Alfred Shkurti, Enver Dondollaku, Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Arjan Aliçko, Leonard Prifti etj. Siç më ka thënë vëllai, kishte paguar njëherë si fillim 6 milionë lekë, të cilat i kishin marrë Eduart Demiri dhe Ilir Stërgu për llogari të Alfred Shkurtit. Më pas 10 milionë të tjera të vjetra i janë paguar Enver Dondollakut dhe 6 mijë euro motrës së tij.


Unë vetë personalisht bashkë me Eduart Demirin i kam paguar vëllait të Alfred Shkurtit, Zyberit, 6 milionë lekë të vjetra të cilat m'i dha vëllai Bakiu që t'ia jepja pasi i kishte vendosur Alfred Shkurti "gjobë". Kjo histori ka vazhduar edhe më gjatë, ku në rastet kur vëllai Bakiu nuk pranonte të paguante ata hakmerreshin ndaj biznesit të tij dhe kërcënonin pjesëtarët e familjes.


Në vitin 2002, pasi vëllai kishte refuzuar të paguante 5 milionë lekë, ata të "bandës" i vendosën tritol banesës së vëllait tjetër Albert Taullaut i cili mbeti i plagosur. Gjatë kësaj kohe, isha duke pirë një kafe në një lokal erdhi një shtetas me emrin Genti Turku dhe më kërkoi të pija një kafe.


Pranova dhe shkova, kur më dërguan te varrezat nga më doli Leonard Prifti me një pistoletë në dorë. Mua më thanë se të kërkonte Enverd Dondollaku dhe atje më doli Prifti. Ky i fundit kërkoi që ta merrja vëllanë dhe të shkoja pasi na kërkonte Alfred Shkurti te varrezat.


Shkova në shtëpi dhe i thashë vëllait Bakiut, të mos dilte se po e kërkonin ata të "bandës" për ta vrarë. Këta të fundit, kishin marrë vesh që vëllai kishte blerë një truall në Tiranë dhe i kërkonin që të paguante ose 500 mijë euro ose letrat e tokës.


Pas kësaj "gjobe" vëllai nuk pranoi që t'i paguante dhe të shkonte të takonte Alfred Shkurtin. Ata, pjesëtarët e "bandës" e kërcënuan se do ta vrisnin. Për këtë shkak, ne më pas po ruheshim duke mos dalë. Vëllai i denoncoi tek drejtori i SHISH-it Xhevdet Zeqe.


Ai i adresoi tek Antiterrori në Drejtorinë e Policisë së Fierit dhe Tiranës, ku vëllai dha dëshmi me detaje duke denoncuar të gjithë pjesëtarët e "bandës" dhe gjobat e vendosura ndaj familjes tonë. Pas këtij denoncimi, të kryer nga vëllai, "banda" e mori vesh dhe kërcënuan sërish se do ta vrisnin.


************************


Krushku i Artur Dajës

Përpara se të vritej Artur Daja më kërcënuan me jetën e tim biri: Do ta qash djalin, më tha Enver Dondollaku

Banda, xhiro në qytet, me kokën e Tur Dajës në qese
TIRANË- Në seancën e djeshme gjyqësore, po me kërkesë të prokurorisë, dëshmoi në procesin gjyqësor ndaj të pandehurve të akuzuar si pjesëtarë të "bandës" së Lushnjës edhe 70- vjeçari Qemal Haliti i njohur edhe si vjehrri i motrës së Artur Dajës.


Haliti ishte siguruar me masa të rrepta sigurie i shoqëruar nga policia e Lushnjës për të dëshmuar para togave të zeza. Në fjalën e tij para Gjykatës së Krimeve të Rënda, plaku 70- vjeçar tregoi skenën kur disa nga të pandehurit e këtij procesi gjyqësore shëtisnin me kokën e prerë të Artur Dajës nëpër qendër të qytetit.


"Çuni im kishte për nuse motrën e Artur Dajës. Pas përplasjes me armë mes Artur Dajës dhe Alfred Shkurtit mbeti i vrarë, vëllai i Aldo Bares, (Alfred Shkurtit), Ramadan Shkurti, dhe një shok i tyre. Që pas këtij rasti, djali me nusen ikën në Greqi se pritej të kishte përplasje sërish me armë mes tyre.


Gjatë kësaj kohe, para se të vritej Artur Daja, më ndalon në rrugë Arben Boriçi dhe më pyet se "ku është Artur Daja dhe djali im". Unë i thashë që nuk e di ku është Arturi ndërsa djali im ka ikur në Greqi.


Ai më tha, "ik o Qemal dhe na kthe përgjigje pas tri ditësh". Unë u largova dhe pas tri ditësh po shkoja për te vreshtat, kur në rrugë afër Komisariatit të Policisë së Lushnjës ishte ndalur një furgon i bardhë nga ku doli Arben Boriçi dhe më pyeti sërish se ku është Artur Daja.


I thashë që nuk e di se ku është. Ata u nisën, pas pesë metrave rrugë u ndal sërish dhe hapi derën Enver Dondollaku dhe më thirri në emër duke më thënë se "do ta qash shumë shpejt çunin o Qemal" dhe u larguan.


Unë nuk fola vetëm e pashë. Pas pak ditësh nga ky moment, një komshi erdhi te shtëpia dhe na lajmëroi se çunat e Fred Shkurtit i kanë prerë kokën Artur Dajës dhe po shëtisin me kokën e tij në qytet. Kam dalë afër qendrës dhe i kam parë nga rreth 50 metra larg Ilir Stërgun, Arben Boriçin çunat e tjerë të grupit të Alfred Shkurtit të cilët i kishin prerë kokën Artur Dajës.


E kishin vendosur në një qese plastmasë dhe me atë në duar shëtisnin në qendër të qytetit. Pas kësaj skene, ata u larguan andej nga ca lokale dhe nuk i pashë, më pasi u largova. Nuk e di se si dhe ku e kanë vrarë, por, një gjë e di që e kam parë me sytë e mi, kokën e Artur Dajës që ishte e prerë dhe e vendosur në qese najloni"- tha plaku 70- vjeçar Qemal Haliti.

Të pandehurit


Në këtë proces hetimor janë të pandehur Arben Borici, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Cici, Arjan Alico, Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku) dhe Rexhep Gina. Këta persona, të akuzuar si pjesë e "Bandës së Lushnjes", akuzohen për disa vepra penale ndër to, edhe vrasje të ndodhura disa vite më parë në Lushnje.


Masakrimi i trupit të Artur Dajës


Në datë 21 tetor të vitit 1998, në fshatin Grabian të qytetit të Lushnjes pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi, janë gjetur në vendngjarje, pjesë të një trupi njeriu.Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjes pjesëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga Aldo Bare kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës së Artur Dajës.


Ndërmjet tyre në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stergu, Arben Boriçi, Erion Cici, Arjan Aliço, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shtetasi i vrarë Leonard Prifti dhe persona të të tjerë.


Të gjithë viktimat kane qenë shokë apo miq të shtetasit Artur Daja i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga ana e të pandehurit Aldo Bare. Viktimat nuk kanë pasur konflikte personale me të pandehurit.


Si u krijua banda e Lushnjes


Si moment i krijimit të organizatës, e ashtuquajtura "Bandë e Lushnjes" apo "Grupi i Alfred Shkurtit" është vrasja dhe dhunimi i kufomës së shtetasit Ramadan Shkurti, vëllai i Aldo Bares, në muajin korrik të vitit 1997 në qytetin e Lushnjes.


Kjo vrasje erdhi si pasojë e përballjes me bandën e shtetasit Artur Daja, banor i qytetit të Lushnjes. Pas vrasjes, shtetasi Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja dhe pjesëtarëve të bandës, krijoi bandën e tij.


Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i pandehuri Aldo Bare ka një rol dhe autoritet absolut në organizatë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar që të gjithë anëtarët e organizatës kriminale kanë pasur një disiplinë të fortë të drejtuar dhe të kontrolluar nga i pandehuri Aldo Bare.


Në gjithë veprimtarinë e saj kjo organizatë udhëhiqej nga interesat e të pandehurit Aldo Bare. Anëtarët e organizatës i drejtoheshin drejtuesit të tyre Aldo Bares me nofkat të tilla si : "I madhi" ; "Profesori" ; "Kryetari" e të tjera. Disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhrat e të pandehurit Aldo Bare nuk bëheshin të diskutueshëm.


Ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anetarët e organizatës të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psiqike, fizike si dhe të veprimeve kriminale të tilla si : rrahje, heqje të lirisë, tortura, vrasje.


Në vijim të veprimtarisë kriminale, kjo organizatë është kujdesur vazhdimisht në drejtim të ushtrimit të veprimtarive ekonomike ku pjesëtarë të organizatës ushtronin role të caktuara. Këto veprimtari shtriheshin në Lagunën e Karavastasë, në shoqerinë e sport-klub Lushnje, në bingon e qytetit e të tjera.


Të akuzuar si pjesëtarë të bandës

Alfred Shkurtin alias Aldo Bare (Në gjykim)
Ilir Stërgu (Në gjykim)
Afrim Hoxha (Në gjykim)
Arben Boriçi (Në gjykim)
Enver Boriçi (Në gjykim)
Enver Dondollaku (Në gjykim)
Jorgo Muzaka( Në gjykim)
Rexhep Gina (Në gjykim)
Arjan Aliçko (Në gjykim)
Maksim Çela (I dënuar me 25 vjet burg)
Erion Cici (I dënuar me 25 vjet burg)
Dritan Vila (I dënuar me burgim të përjetshëm)
Leonard Prifti (I vrarë)
Erion Kashari (I dënuar në Lushnje)
Elton Mermali (I dënuar në Lushnje)
Petrit Liçi (I penduar, i dënuar me 7 vjet burg)

Viktima të bandës


Artur Daja,
Genci Kashari,
Xhevdet Demiri
Artan Sulçe,
Bledar Haxhia,
Nosh Gjeloshaj,
Alfred Pirra,
Klenti Bano
Nimet Zeneli
Masar Aliu,
Idajet Beqiri,
Luan Bilbili,

PLAGOSUR
Bernard Linatopit
Bardhyl Kurti
Arben Kicja

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›