E Diel, 1 Nëntor 2026

Gashi: Nga 2007-ta, pagat janë ngritur 69 %

Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, thotë se që nga fillimi i mandatit të tij, të ardhurat e punonjësve shëndetësorë të Kosovës janë rritur mesatarisht për 69 për qind.

Në një konferencë për gazetarë, të mbajtur në hollin e Kuvendit të Kosovës, Gashi ka bërë krahasimet e pagave për kategori të ndryshme për dhjetor të vitit 2007 dhe janar të vitit 2010.

Në këtë përqindje, ministri ka llogaritur ngritjen prej 10 për qind të pagave të bërë më 2009, ngritjen e tanishme prej 30 për qind dhe 44 eurot.

Kështu, mjekët specialistë në dhjetor 2007 kanë marrë pagë 273 euro, tani do të marrin 437 euro (rritja 60 për qind), infermierët, teknikët, kanë marrë pagë 156 euro (dhjetor 2007 tani do të marrin 267 euro (rritja 71 për qind), kurse punëtorët e higjienës në dhjetor 2007 kanë marrë 130 euro, tani do të marrin 230 euro (rritja 77 për qind).

“Mesatarja e rritjes për periudhën dhjetor 2007-janar 2010 është 69 për qind”, ka thënë Gashi.

Ministria e Shëndetësisë, nëpërmes një komunikate për shtyp, thekson se punonjësit shëndetësorë duke nisur prej ditës së nesërme, do ta vërejnë ngritjen në pagan ë xhirollogaritë e tyre.

Ministri ka theksuar po ashtu se një numër i kuadrit mjekësor të QKUK-së janë të angazhuar edhe si kuadër arsimor në Fakultetin e Mjekësisë dhe institucione të tjera arsimore dhe në këtë aspekt, ai ka thënë se asistentët marrin mbi 700 euro pagë (nga arsimi kanë marrë 500 euro dhe 50 për qind nga paga klinike), profesorët marrin nga 1200 euro (nga arsimi kanë 1000 euro dhe 50 për qind nga paga klinike). “Këto nuk janë shtesat në pozita udhëheqëse, pagesë për punë mentori, komisionet, kujdestaritë”.

Ministri Gashi tha se në proces e sipër janë miratimi i disa ligjeve, të cilat do ta përmirësojnë pozitën materiale të punonjësve shëndetësorë. Projektligji për shërbyesit civilë, sipas tij, punonjësit shëndetësorë i nxjerr nga kjo kategori; projektligje tjera në procedurë janë ai për Sistemin e Pagave si dhe Projektligji për Punën, me të cilin rregullohet çështja e viteve të punës, etj.

Gjithashtu, Projektligji për Sigurimet Shëndetësore është hartuar dhe pas miratimit në Qeveri do të përcillet për miratim në Kuvend.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›