Tavo: Le të kthejmë Himarën në një “galeri të hapur” me kujtime dhe atmosferë detare

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, ka ftuar qytetarët dhe miqtë e Himarës të kontribuojnë me objekte dekorative për të kthyer qytetin bregdetar në një “galeri të hapur” me kujtime, kulturë dhe atmosferë detare.
Në një postim në rrjetet sociale, Tavo u bëri thirrje banorëve dhe mbështetësve të dhurojnë objekte autentike ose vintage që lidhen me traditën dhe detin, si ankora të vjetra, timona anijesh, vegla peshkimi, biçikleta vintage, çadra plazhi, valixhe udhëtimi, punime artizanale me temë detare, si dhe elementë dekorativë të tjerë.
Sipas kreut të bashkisë, çdo objekt i dhuruar do të restaurohet dhe do të ekspozohet me emrin e dhuruesit. Dorëzimi i objekteve bëhet pranë Bashkisë Himarë.
