E Hënë, 2 Nëntor 2026

Te Partizani provohen shumë lojtarë, por asnjë nuk mbetet

partizani

Pas pushimit për Krishtlindjeve të kuqtë u janë rikthyer përgatitjeve, por për momentin nuk kas një afrim, ndonëse pritet të jenë të shumtë

Nga ILIR CARA

 

Ndonëse me grup të reduktuar, të kuqtë e kryeqytetit i kanë vijuar përgatitjet edhe pas ditës së Krishtlindjeve. Partizani ka në plan që duke nisur nga kjo fazë e dytë e sezonit të nisë ristrukturimi i plotë i klubit, me qëllimin e vetëm, kthimin real të legjendës. Parashikohet që në këtë treg dimëror Partizani të plotësojë kryesisht defektet, që u panë në fazën e parë, në portë dhe sulm. Nga ajo që shikohet në terren këto reparte ende mbeten zbuluar, ndonëse realisht bordi që po merret me përforcimet ka biseduar me lojtarët përkatës. Partizani prej ditësh ka nisur përgatitjet për fazën e dytë, realisht kjo fazë do të konsiderohet e mirëfilltë në ditët e para të janarit, ku pritet edhe një plotësim i hallkave të munguara, që nisin nga zyrtarizimi i trajnerit të ri. Bordi i ngarkuar me lëvizjet në tregun dimëror po bisedon me disa lojtarë, pjesa dërrmuese e të cilëve vijnë nga Superliga. Paralelisht të kuqtë janë të hapur edhe për testime. Gjatë këtyre ditëve është parë një interesim i madh nga futbollistë të ndryshëm që aspirojnë një fanellë të kuqe. Ky kontingjent përbëhet kryesisht nga futbollistë të rinj dhe pa përvojë. Stafi që po merret me përgatitjet është treguar i hapur u ka dhënë mundësinë që të provohen, por asnjë nuk ka mundur që të mbetet. Ky grup lojtarësh përgatitet me të kuqtë në një ose dy seanca dhe më pas merr përgjigjen e stafit teknik. Skuadra do të vijojë stërvitjet edhe në dy ditët në vijim dhe më pas lojtarët do të pushojnë deri me 6 janar.

Përgatitjet intensive Presidenti Lulëzim Sallaku dhe stafi i tij i afërt kanë përpiluar gjithë rrugën që do të ndjekë Partizani në periudhën mes dy fazave. Drejtuesit kërkojnë merkato cilësore që garantojnë kalimin në Superligë, por grupi nuk do të ketë më shumë se 23 futbollistë. Gjithashtu është planifikuar edhe një fazë e mirëfilltë përgatitore, e cila thuhet se për një afat dy javor do të zhvillohet jashtë vendit. Turqia shikohet si vendndodhja ku do të kryhet kjo fazë përgatitore, që pritet të nisë nga mesi i muajt janar. Nëse kjo gjë nuk mbetet në kuadrin e premtimeve, padyshim do të ishte një risi dhe konfirmim se te Partizani gjërat kanë nisur të merren seriozisht.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›