“Te Rapidi, më i suksesshëm se te Ried”
Hamdi Salihi është më shumë se i lumtur që do të bëjë pjesë në një klub të madh, si Rapidi i Vjenës. Që në stërvitjen e parë, sulmuesi shkodran ka kuptuar se te rekordmenët e Austrisë është gjithçka ndryshe nga Riedi, aty ku la pas një paraqitje shumë të mirë. “Pas stërvitjes së parë përshtypja ime është shumë e mirë. Ekipi, stafi teknik dhe tifozët më pritën mirë. Unë e di se çdo gjë do të jetë ndryshe nga Riedi. Kam ardhur në një vend, ku njerëzit janë të përqendruar që nga minuta e parë për gjithçka që unë mund të bëj në fushë. Stadiumi, tifozët, interesimi i medias dhe çdo gjë tjetër, natyrisht që këtu është më i madh se sa në Ried. Unë do të bëj maksimumin për Rapidin dhe shpresoj që me pak fat të shënoj sa më shumë gola”, ka thënë për mediat austriake 25-vjeçari. Ai nuk kishte shumë kohë për të shijuar kalimin në minutat e fundit të merkatos tek Rapidi, sepse i duhej të udhëtonte për në Shqipëri. I ngacmuar nga gazetarët, nëse e mendon veten titullar te Rapidi, Salihi ndër të tjera u shpreh se ka biseduar me trajnerin Peter Pakult dhe ky i fundit beson shumë në vlerat e tij. “Kam folur me trajnerin Pakult dhe më ka thënë se beson te mua. Unë do të luftoj për të zënë një vend titullari dhe natyrisht të shënoj sa më shumë”, shton sulmuesi. J.M.