Duro dhe Bulku njëzëri: Duam 3 pikë me Danimarkën
Leonard Karaj
Duan shpagimin me të gjitha mënyrat. Ndeshja e parë në Kopenhagen foli vetëm për danezët ndaj tani është radha që skuadra e Morten Olsen të vuajë rikthimin kuqezi. Deklarata vjen nga dy mesfushoërt e Kombëtares shqiptare, Klodian Duro dhe Ervin Bulku, të cilët kërkojnë me çdo kusht fitoren në ndeshjen e 9 shtatorit. Sipas tyre Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të dalë nga fusha e “Qemal Stafës” me një rezultat pozitiv. “Normalisht që Danimarka jo më kot është kryesuese e grupit tonë, jo se ka fituar vetëm kundër nesh, por e ka bërë këtë gjë dhe ndaj gjithë ekipeve të tjera në grup. Ndaj kjo ndeshje vjen pas një periudhe tjetër nga ndeshja e parë të cilën luajtëm në Danimarkë. Unë mendoj që kjo gjendje e mirë e ekipit dhe ky entuziazëm t’i bashkangjitet dhe me një lojë të mirë dhe me një rezultat pozitiv”, pohon Klodian Duro. Sipas të gjitha gjasave Duro do të luajë edhe në këtë takim si titullar në rolin e mesfushorit të krahut të djathtë.
Në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe Bulku, i cili shkon edhe më tej teksa pohon se rezultati pozitiv në këtë takim nuk duhet parë si një gjë e pamundur edhe pse Danimarka ëhstë kryesuesja e grupit. “Ne shpresojmë që të bëjmë më të mirën në këtë ndeshje dhe të vazhdojmë atë ecuri pozitive që kemi nisur me trajnerin dhe që të jemi sa më të gatshëm edhe për këtë sfidë. Jemi përpara publikut tonë dhe mundohemi t’u japim atyre më të mirën si në rezultat dhe në lojë. Mendoj se fitorja ose barazimi me Danimarkën nuk është utopi ndaj duhet të provojmë të bëjmë më të mirën tonë”, tha Elvin Bulku, mesfushor i kombëtares. Ndërkohë Kombëtarja e Shqipërisë ka vijuar edhe dje përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Josip Kuzhe, i cili ka preferuar të ketë një grumbullim të gjatë me skuadrën, në prag të sfidës kundër Danimarkës, e parafundit në këtë fushatë eliminatoresh të Botërorit 2010. Takimi i fundit do jetë ai i tetorit ndaj Suedisë së Zlatan Ibrahimoviçit në Stokholm.