E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të angazhojmë intelektualët dhe ekspertët në qeverisje

-Sepse nuk mund të vilen kajsi prej lisit, Artur Shopenhauer-

Nga Gëzim Tushi

Gezim TushiNë shoqërinë shqiptare në përgjithësi por sidomos në qeverisjet e tranzicionit demokratik, në përgjithësi nuk ka patur qartësi idesh dhe vullnet të kristalizuar politik për rolin e intelektualëve dhe ekspertëve në orientimin demokratike të jetës politike, qeverisjen strategjike të jetës ekonomike, zhvillimet sociale dhe morale. Megjithëse është folur për rolin e tyre duket se qëndrimet përgjithësisht kanë qenë ambiguide, të mbuluara me eufemizma politike dhe sloganet e shpërdoruara keqas të meritokracisë, sistemit të vlerave dhe vlerësimit të meritës. Në fakt të metat e sjelljes dhe vlerësimit të kontributit të intelektualëve dhe ekspertëve të fushave të ndryshme, akoma nuk janë korrigjuar. Kjo tregon se shoqëria, politika dhe mënyra e qeverisjes së vendit, janë në fazën kur sapo kanë dalë nga periudha e amullt e paqartësive të tranzicionit.
Kjo është arsyeja që në shoqërinë tonë akoma nuk janë të qarta, normative dhe funksionuese raportet militant- ekspert, meritë militantizëm. Të cilat me sa duket edhe në ardhmen nuk janë problem që mund të zgjidhen lehtë në këtë klimë sociale të politizuar nga presionet e megalomanisë militanteske, tonet e të cilës akoma janë shumë të larta dhe sfumojnë vlerën dhe kontributet e intelektualëve, administratorëve dhe ekspertëve të zot. Në fakt problemet nuk zgjidhen lehtë, sepse raportet e politikës me militantët, intelektualët dhe ekspertët, janë bërë probleme të komplikuara, të vështira për tu interpretuar drejt në modulet dhe modelet e qeverisjes së vendit.

Kjo është arsyeja pse përgjithësisht njerëzit ndihen të paqartë nga zhvillimet kaotike, kontradiktat që shfaqen dhe mungesa e rrugëve adekuate, të qëndrueshme të zgjidhjeve të problemeve ekonomike e sociale të shoqërisë tonë. Këtë situatë e ndërlikon akoma më shumë besim i verbër i trashëguar i qeverisjes militante, si model i vjetër, bashkë me bindjen akoma rezistente të paternalizmit militant të qytetarëve tanë, që në periudha rotacioni politik, kanë më shumë se duhet pritmëri ndaj aftësive fuqiplote e magjike të shtetit dhe politikës.
Në këtë kontekst, duket sikur ka një psikologji që determinon situatën sipas të cilës gjithçka duhet pritur nga politika, lidhja me politikanët, njohja me deputetët dhe ministrant e qeverive të shtetit. Ky perceptim i deformuar paternalist dhe etatist është një plagë e madhe sociale që ka sjellë me bollëk indiferentizëm qytetar, pasivitet intelektual dhe konformizëm social të ekspertëve. Problemet që diskutohen tani pas zgjedhjeve të 23 qershorit, pasi kaloi tollovia marramendëse e premtimeve paraelektorale, duket se jo vetëm nuk janë të lehta por janë shumë të vështira. Tani qytetarët militant janë përballë pritmërive, të cilat me sa duket nuk janë deri në fund të qarta dhe të sigurta.
Në këto rrethana për ti shërbyer në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, është detyrë e politikës që pa mohuar rolin dhe kontributet e militantëve, pritmëritë e të cilëve shpesh janë të ekzagjeruara dhe përtej mundësive dhe aftësive personale, duhet rindërtuar politika e angazhimit me çdo kusht e ekspertëve, intelektualëve dhe specialistëve. Kontributi i tyre profesional, aftësitë që zotërojnë në fusha të ndryshme janë aset, që edhe mund të mos gjendet në oborin e militantëve. Prandaj ata duhet të angazhohen sinqerisht nga politika për të ndriçuar situatat, duke i bërë shërbim vendit me anë të zbulimit të së vërtetës së gjërave, elaborimit të ideve të sakta profesionale, përmes zgjerimit intensiv të debatit dhe administrimit të punëve. Kohët janë të vështira dhe qeverisja e ardhshme nuk do mund të jetë e suksesshme, pa angazhimin e sinqertë dhe kontributiv të intelektualëve dhe ekspertëve dinjitozë dhe patriotë të këtij vendi.
Ndryshe, në se ata nuk përfillen apo vlera e tyre matet me kultin e militantit atëherë vlera e ekspertëve, intelektualëve dhe atyre që kanë se çfarë të ofrojnë, do të ishte minimale, pa asnjë vlerë politike, sociale, administrative e profesionale. Padyshim, është evident rreziku i rishfaqjes në shoqërinë tonë të kontradiktës së vjetër, e cila mund të lulëzojë edhe tani pas 23 qershorit, duke zbatuar politikën e zaptimit të gjithë pjesës së hapësirës të jetës publike dhe profesionale vetëm nga politikanët dhe militantët.

Koha e tranzicionit në Shqipëri është e mjaftueshme për të nxjerrë konkluzionin se në qeverisjen e vendit, hapësira për intelektualët dhe ekspertët ka qenë në përgjithësi e mbytur nga megalomania militante, idetë gjysmake të gjithllogëve të politikës që kanë mbijetuar dhe sunduar me anë të militantizmit dhe sloganeve gjysmake, ideve të cekta profesionale. Realiteti ynë ka qenë i dominuar nga njerëz të vendosur padrejtësisht në skakierën e drejtimit të punëve të qeverisjes së vendit, që flasin përciptas për gjithçka dhe ofrojnë ide edhe për ato që dinë edhe për ato që nuk dinë asgjë. Kjo sëmundje e vjetër e politikanëve tanë e trashëguar nga e kaluara nuk ka rrugë tjetër për tu shëruar, veç përballjes me ide intelektuale, profesionale, angazhimin burrëror jo konformist të intelektualëve ekspertëve të fushave të ndryshme, që tani nuk i mungojnë vendit tonë.
Në këto rrethana ajo që kërkohet dhe që duhet të bëjnë politikanët, nuk është që të mendojnë se cili është vendi që ata do zënë në qeverisjen e vendit për veten e tyre. Përkundrazi, ata kanë detyrë të angazhojnë shtresën e intelektualëve profesionistë për zgjidhjet e nyjeve të kolizioneve dhe kontradiktave tona të zhvillimit, të kontribuojnë me dije, ide e zgjidhje për parashikimin e rreziqeve dhe vlerësimet sa më objektiv të situatës së sotme, mundësive të parashikimit të perspektivës së zhvillimit të ekonomisë, kulturës, arsimit, shëndetësisë në vendin tonë.
Por kjo nuk është vetëm detyrë e politikës dhe e qeverisë. Sipas meje vendi ynë është në fazën kur duket se bën thirrje të hapur që intelektualët të bëhen aktivë, të japin kontribute konsistente dhe konkrete, në ndihmë të gjetjes së rrugëve të duhura politike e profesionale të zhvillimit me ritme më të shpejta të vendit. Koha ka nevojë që intelektualët, profesionistë, ekspertët e fushave (të cilat vendit tonë nuk i mungojnë) të lëvizin mendjen, të angazhojnë dijet, të venë në lëvizje sinqerisht sëmundjen pozitive që ka të bëjë me aftësinë së pandërprerë të të menduarit dhe prodhimit intelektual dhe profesional.
Vendi ynë tani më shumë se kurrë ka nevojë për ta. Nuk është normale që në këtë situatë të vështirë të vendit, të ndihet patologjia e vjetër sociale e mosvlerësimit të intelektualëve dhe ekspertëve e këtij vendi. Kam frikë se përballë politikës që nuk i bën dot të gjitha gjërat, apo përballë disa politikanëve megalomanë e gjithollogë, mund të shfaqet sëmundja e njohur e sehirxhiut, që bën paqe intelektuale me veten dhe pasivisht vetëm konstaton difektet dhe inventarizon gabimet e mungesës së ekspertizës apo të tendencës së megalomanisë së politikës.

Shoqëria shqiptare është në një fazë të tillë kur me siguri që rrezikohet të paguajë haraç të madh, në se do mungojë kurajoja intelektuale, morale dhe profesionale e intelektualëve dhe ekspertëve të fushave të ndryshme.
Koha moderne nuk i ka më intelektualët dhe ekspertët në rolin zbukurimit të mendimit social me lajle lule, as dhe të vlerësimit pasiv të mendjeve të atyre që besojnë se e bëjnë detyrën, vetëm duke i konservuar bazat e përgjithshme të dijeve dhe bindjeve të tyre profesionale apo duke i mbajtur ato thjesht si zbukurim intelektual brenda vetes.

Këto lloj njohurish pasive nga të cilat nuk ka përfitim ekonomia, arsimi, shëndetësia, kultura, jeta sociale, etj, që i kanë këta intelektualë dhe ekspertë dhe që nuk i vënë në dispozicion të zhvillimit tregon se ata ose janë jashtë kohës o

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›