Josipoviç: “Kroacia mbështet futjen në BE të Bosnjes dhe të vendeve të tjera të rajonit”
Presidenti i Kroacisë Ivo Josipoviç, dërgoi një mesazh të fortë për Bosnjë dhe Hercegovinën (BiH) gjatë vizitës së tij të fundit, duke thënë se Zagrebi kërkon marrëdhënie të mira me vendet në rajon dhe mbështet futjen e tyre në BE. Vizita ishte udhëtimi i parë i Josipoviç në një vend të huaj që kur Kroacia u bashkua me BE. "Kroacia do të vazhdojë të jetë mike e Bosnjë dhe Hercegovinës. Do të mbështesim rrugën evropiane të BiH-së në nivelin politik, teknik e ekonomik, por rëndësia e elementit kulturor, shkencor e edukativ të bashkëpunimit tonë nuk duhet të harrohet," tha Josipoviç. Gjatë udhëtimit dy-ditor, Josipoviç u takua me udhëheqës shtetërorë e të njësisë të BiH-së dhe diskutoi çështjet kryesore të pazgjidhura midis të dy vendeve. Më e para nga to është ndërtimi i urës Peljesaç, që do të lidhë Kroacinë e jugut me pjesën tjetër të vendit pa dëmtuar mundësinë e përdorimit nga BiH të Detit Adriatik. "BiH nuk do të vendosë sesi Kroacia do të lidhet me territorin e saj. Kroacia do ta vendosë këtë, por Kroacia duhet të dijë se BiH duhet të sigurojë mundësi të përdorimit të pandërprerë të detit të hapur," tha Nebojsha Radmanoviç, kryetari i presidencës së BiH-së. Josipoviç pohoi se Kroacia është gati të ndihmojë BiH dhe vende të tjera rajonale në rrugën e tyre për anëtarësimin në BE. "Problemet që ka BiH janë shpesh unike e të vështira për t’u kuptuar për komunitetin ndërkombëtar. Kroacia është një vend që mundet me siguri të ndihmojë në shprehjen e tyre dhe në kërkimin e duhur për një zgjidhje sepse më e shumta e kësaj është diçka e afërt dhe e njohur për ne," tha Josipoviç. Presidenti kroat tha gjithashtu se vendi i tij është partneri më i madh ekonomik i BiH dhe hyrja e Kroacisë në BE nuk do të ndryshojë gjendjen e tanishme. "Nuk ka nevojë të frikësohesh nga BE sepse Kroacia është tani partner i BE-së për fqinjët e saj. Në afatin e gjatë, do të sjellë shumë përfitime për të dy vendet. Shumë kompani kroate hapën strukturat prodhuese në BiH për të kompensuar daljen e Kroacisë nga CEFTA, që do të thotë një numër i madh vende pune të reja në BiH," tha Josipoviç. "Ekonomia dhe investitorë kurdoherë gjejnë rrugën e tyre për sukseset e reja të biznesit. Shtetet duhet t’i inkurajojnë ata, veçanërisht duke krijuar një mjedis të favorshëm social në të cilin do të investonin me gëzim kapitalin e tyre," shtoi Josipoviç. Atë e shoqëronin përfaqësues të qeverisë kroate dhe të dhomës së tregtisë. Ata përsëritën nevojën për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve. Delegacioni qeveritar ndoqi një ceremoni në Tuzlë e cila vendosi lidhjet midis universiteteve të Zagrebit e të Tuzlës, duke bërë të mundur që ata të nxisin standarde të përbashkëta të arsimimit e përhapjen e ideve shkencore. "I jam mirënjohës presidentit për vizitën e tij sepse Kroacia dhe Bosnjë dhe Hercegovina kanë marrëdhënie të forta," tha Kryebashkiaku i Tuzlës Jasmin Imamoviç. "Pres informacion të dobishëm që do të na ndihmojë në rrugën tonë të BE-së, por gjithashtu në përmirësimin në bashkëpunimin kulturor, politik e ekonomik midis BiH dhe Kroacisë në të ardhmen," shtoi Imamoviç.
...