E Diel, 1 Nëntor 2026

Të blesh pesticide në Shqipëri? Shumë e lehtë

Pesticidet në Shqipëri shiten në mes të rrugës, madje jashtë çdo kushti sigurie. Gjithkush mund të blejë në Shqipëri pesticide të ndryshme, madje edhe fostoksinë. Askush nuk të kërkon një recetë, apo arsyen se përse do ta blesh fostoksinën, këtë helm vdekjeprurës. Ndërkohë që numri i vetëvrasjeve me fostoksinë e ka kaluar kufirin e alarmit, ajo vazhdon të mbetet një nga helmet më "të preferuara" për personat që zgjedhin vetëvrasjen, si mjetin më të shpejtë për të shpëtuar nga problemet e jetës së përditshme.

Ndërsa ky bar vrasës nuk shitet vetëm në farmacitë bujqësore, por edhe në rrugë, duket se në mënyrë absolute mungon kontrolli i shtetit. Jo vetëm që nuk janë marrë masa për të rritur elementet e sigurisë, apo masa shtrënguese në shitjen e këtij bari, por fostoksinën ta shet kushdo, pa qenë as farmacist veteriner. Në disa prej vendeve perëndimore, fostoksina është eliminuar si medikament, duke u zëvendësuar me medikamente të reja, që nuk paraqesin rrezik për jetën e njeriut.

Sot është shumë e lehtë dhe aspak e kushtueshme të blesh vdekjen në rrugët e kryeqytetit dhe në qytete të tjera të vendit. Mjafton të drejtohesh në farmacitë bujqësore, ose në tregje të ndryshme në kryeqytet, për të kuptuar sa e lehtë është blerja e një kokrre fostoksinë. Vetëm 300 lekë të reja kushtojnë tabletat e këtij helmi, që tregtarët t‘i shesin së bashku me një pluhur tjetër, me të cilin duhen përzier bashkë. Madje, tregtarët, kur ta shesin, i bëjnë shumë reklamë fostoksinës, në përpjekje për të të bindur se është medikamenti i duhur.

"Fiks Fare" bleu fostoksinë në disa pika shitjeje, nëpër rrugët e vendit. Asnjë nga tregtarët nuk e mori mundimin për t‘u interesuar, lidhur me qëllimin e blerjes së këtij medikamenti. Ndërkohë, Ligji 7662 përcakton qartë mënyrën e shitjes së pesticideve. Po kështu, për farmacistët është e përcaktuar qartë, në rregulloren e farmacive, se personat që e blejnë këtë medikament duhet të marrin autorizim nga Ministria e Bujqësisë. Por kjo pikë nuk respektohet, pasi fostoksina shitet në mes të rrugës tashmë dhe jo vetëm në farmaci. Edhe pse Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë një urdhër që ky helmicit të mos tregtohet jashtë farmacive bujqësore, ai ende vazhdon të jetë i pazbatuar.

Në gjuhën popullore, fostoksina njihet ndryshe si bari i miut, ndërsa për mjekët toksikologë, ai është thjesht fosfidi i aluminit.

E vendosur në gypa alumini, fostoksina përdoret nga bujqit për të eliminuar insektet parazitare te të lashtat, siç janë fasulet dhe gruri. Ngjyra e medikamentit është gri në të verdhë, ku i vetmi ndryshim nga medikamentet e tjera farmaceutike është madhësia e tij. Avujt e rëndë i japin fostoksinës forcë vepruese të menjëhershme, sapo bie në kontakt me lagështirën e ambientit.

Ligji

Ligji 7662 përcakton qartë mënyrën e shitjes së pesticideve. Për farmacistët është e përcaktuar qartë se, personat që e blejnë këtë medikament duhet të marrin autorizim nga Ministria e Bujqësisë. Në gjuhën popullore, fostoksina njihet ndryshe si bari i miut, ndërsa për mjekët toksikologë, ai është thjesht fosfidi i aluminit

Fostoksina

Fostoksina përdoret nga bujqit për të eliminuar insektet parazitare te të lashtat. Ngjyra e medikamentit është gri në të verdhë. I vetmi ndryshim nga medikamentet e tjera farmaceutike është madhësia e tij. Avujt e rëndë i japin fostoksinës forcë vepruese të menjëhershme, sapo bie në kontakt me lagështirën e ambientit



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›